ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ “Unë jam parimor, unë të godas…”, për rudinat e glaukët që me lugë në brez, po i sulen detit që po bëhet kos…për ta…

Sapo ka mbushur 18 vjeç dhe për herë të parë, do të kishte votuar. Është Glauku, i cili merr përsipër të bëjë një analizë poltike jo vetëm të asaj që ndodhi me 30 qershor por edhe të PD-së për sot e për nesër. Mendimet e opinionet e një 18 vjeçari, nuk do të kishin marrë vëmendjen e askujt, me përjashtim të rrethit të tij miqësor në tavolinë ku po e dëgjojnë apo në rrjete sociale. Por me Glaukun nuk ndodh ashtu. Ai përbën “lajm” dhe çuditërisht, jo për meritë të tij. Ai është djali i të ndjerit Sokol Olldashi, një nga figurat e PD-së sa ishte gjallë dhe ndër të paktët që hapat e karrierës politike i hodhi gradualisht, duke bërë edhe mjaft “gavetë”. Të gjykosh përmbajtjen e kumtit të tij, nuk ia vlen sepse jemi në kufinjtë e një populizimi të çuditshëm e jo të natyrshëm për një 18- vjeçar. Edhe stili, siç është e natyrshme për një dorë të pastërvitur përveç detyrave të shtëpisë në gjimnaz, është në kufijtë e të pabesueshmes. Një 18- vjeçar që paragjykon veten që në hapat e parë të një qasje me publikun, me terma “tradhëtarë”, “mendësi komuniste”, “ristrukturim partie”, “partia jonë”, “trembje”, “frymëzim”, “fryma” etj.

Në fakt, i gjithë komenti i tij në rrjete sociale, nuk tregon asgjë tjetër veçse moshën e tij, përzier me llastimin që e ka ndjekur dhe do ta ndjekë edhe në vijimësi por edhe pak frustrim që mbase mund të konstatohet edhe nga jashtë. Pjesa tjetër, janë fraza mbase të dëgjuara që në moshë të vogël, të huazuara apo edhe të lexuara por të lidhura e të vendosura në një kontekst që arrin në kufinjtë e patetizmit, i pazakonshëm për një 18- vjeçar të mirëshkolluar. Raste të shumta kanë provuar se politika mund të jetë edhe trashëgimi politike, por asnjëherë në formën e rregullit të përgjithshëm. Glauku në këtë rast, është shembull evident. Aq më tepër, kur mban mbi supe peshën e një mbiemri që ka lënë pas një brez të tërë brenda dhe jashtë PD-së. Artikulimi publik në politikë, është art bazuar mbi eksperiencën dhe kjo e fundit, lidhet gjithmonë me moshën dhe etjen.

Pak a shumë, Glauku është binjak i Rudinës, Rudinës së Azem Hajdarit. Pasi iu bë dhuratë në emër të genit që mbart një vend i sigurte në listat e PD-së, në betejën e parë të vertetë por edhe të rëndë, vendosi të tërhiqet nga gara. Tashmë po tenton të kthehet në një liderë të të gjithë demokratëve, atyre në parlament dhe jashtë tij. Natyrisht, zlli i saj do të përendojë shpejt sepse i mungon ajo që i ati e bëri, pavarësisht se ishte Lideri i Dhjetorit, i mungon “gaveta”. Trampolina që të ofrohet, nëse nuk di ta përdorësh siç duhet, mund të të dërgojë në një destinacion, por që nuk ka lidhje me politikën. E sot, Rudina tejkalon edhe synimin e saj për të qenë lidere e demokratëve shqiptarë. Madje, merr edhe atributet që normalisht, mbase mund ti marrë vetëm një i zgjedhur i lartë si Presidenti, Kryeministri apo Kryetari i Kuvendit.

Quan “çmenduri” një deklaratë të Presidentit të Republikës. Kaq, do të ishte mirë. Por shkon edhe më tej. E keqkëshilluar sipas gjasave, kërkon falje publike të gjithë diplomatëve tanë për këtë çmenduri. Falje në emër të kujt? Në emër të kujt flet Hajdari kush thotë se “ndjehemi të turpëruar? Çfarë përfaqëson Rudina Hajdari? Me vetëm dy vite e katapultuar, e pa provuar asnjëherë përmes votës së shqiptarëve? Çfarë do të deklarojë ajo le të themi, pas dy viteve të tjera? Gjithmonë nëse do të jetë në politikë? E imagjinoni, gjykon një politikan që vitet e moshës së saj, ai i ka të suksseshme në politikë dhe gjithmonë me shpatullat e veta!

Katapultimi në politikë i individëve me meritë të vetme mbiemrin, është dëmi e gabimi më i madh që po i bëhet partive politike, në rradhë të parë vetë PD-së. Natyrisht, edhe vendit nëse kjo praktikë vazhdon dhe i lejohet hapësirë.

E për ta mbyllur, Rudina e Glauk! Shqiptarët nuk janë budallenj që të besojnë symbyllur tek trashëgimia politike përmes geneve. Sepse në Shkodër ka një shprehje: Nga lulja del ferra por edhe nga ferra del lulja! Këshilla e vetme: Rrituni dhe jo vetëm me moshë! Janë mijëra bashkëmoshatarë, më të mirëshkolluar dhe të aftë se ju por nuk ndjehen gjëkundi, nuk kanë asnjë hapësirë! Madje edhe duke u përballur me vështirësi sociale e ekonomike që ju ndoshta i kenë parë në filma kinemaje 3D! Ajo që sot gëzoni ju, është falë prindërve tuaj. E për fat të keq, që nuk jetojnë më! Sepse po të ishin gjallë, ju nuk do të përbënit sot “lajm”! Edhe boll, mjaft, ju fëmijët të llastuar të prindërve që u’a lanë të gjitha “sa të zgjatni dorën”! Mjaft më ju që mbyllni sytë, rrotulloni globin dhe aty ku ndalet gishti, zgjidhni të kaloni pushimet ndërsa bashkëmoshatarët tuaj punojnë tre muajt e vitit për të siguruar paratë për 9 muajt e shkollës! U tallët mjaft me bashkëmoshatarët e shqiptarët me “unë jam parimor, unë të godas” të huazuar edhe atë nga i ndjeri Bep Shiroka! Mos u bëni qesharakë dhe mos errësoni kujtimin e prindërve tuaj! Mjaft u tallët, provoni që keni këllqe ose dilni në prapaskenë! /ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.