Është data 15 gusht 1996. “Kaskat blu” të OKB-së ishin në mision në “zonën e gjelbër” në mes Qipros Turke dhe Qipros Greke. Qindra qytetarë greko- qipriotë protestojnë dhe futen në “zonën e gjelbër” në mes dy Qiprove. “Kaskat blu” dukej se kishin situatën nën kontroll deri në momentin kur një protestues i është shmangur vemendjes së tyre. Ai është drejtuar nga një vendroje turke dhe është ngjitur në një shtyllë me synim për të ulur flamurin turk që valëvitej.
Ushtarët turq kanë hapur zjarr menjëherë, duke e lënë të v.dekur në vend. Personi ishte një i afërm i një personi që ishte v.rarë po nga ushtarët turq të dielën para 15 gushtit 2019.
Është një kronikë e mediave italiane për atë ditë përleshjesh në Qipro. Mund të gjendet lehtë në internet edhe sot. Në kohën që ka ndodhur, ngjarja bëri bujë të madhe dhe asokohe, ushtari turk edhe u dekorua nga autoritet e vendit të tij. Veriu i Qipros u pushtua nga Turqia në 1974, pa pyetur askënd dhe vazhdon të mbahet nën pushtim edhe sot. Në mes, është një “zonë e gjelbër” 180 km e gjatë.
Nuk e di nëse ata që sot e shumëzojnë me zero nacionalizimin ndër shqiptarë, e kujtojnë. Në mos, le të hyjnë e ta lexojnë. Kjo për të kuptuar se vendosja e një memoriali të një shteti të huaj në kryeqytetin shqiptar, për një ngjarje që nuk ka asnjë soj lidhje me Shqipërinë, është më shumë se turp: Është Krim! Nëse nuk penalizohesh nga Kodi Penal, duhet të japësh llogari në emër të shqiptarizmës, të cilën kemi nevojë ta ngrejmë në piedestalin më të lartë. Dhe shembulli më i mirë, është vetë Turqia. Sidomos Turqia e Erdogan, e cila prej disa vitesh po “pushton” butë Ballkanin, duke kthyer në realitetit të prekshëm “perandorinë osmane” të re. Jo përmes shpatës si osmanët e vjetër, por përmes telenovelave, muzikës, investimeve dhe “Hamzave” që nuk mungojnë asnjëherë në këtë nahijen tonë.
“Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre.”.
Kështu shprehet Erion Veliaj, ai që tiranasit i dhanë edhe një mandate për të qeverisur gjysmën e Shqipërisë. Edhe të ishte në bahqen e tij me fiq, nuk mund të flasë kështu. Ai memorial nuk është për sot, as për nesër, por për brezat. Së bashku me varret e ushtrive të huaja që lanë eshtrat si pushtues në këtë vend dhe sot nderohen me memoriale, janë si “litari i Nastradinit” (edhe ky personazh turk) për brezat që vijnë. A ka një vendim të paktën të Këshillit Bashkiak Tiranë për memorialin? A ka një debat- konsultim publik për memorialet e varret e ushtrive të huaja? A duhet një referendum lokal apo kombëtar për nisma të tilla që cenojnë direkt nacionalizimin e sovranitetin e Shqipërisë?
Sot është momenti të mësojmë nga Turqia për nacionalizmin! Jo me armë në dorë për një flamur (që në fakt e kanë bërë edhe ameriakanët e gjermanët njësoj si turqit)! Por të na bërë të ndjehemi zotër sovranë në vendin tonë, që të mos bëjmë gomarlleqe (pa i mbet hatri gomarit) si ky i fundit por edhe të tjerë para tij. Dikush kujtoi dje se Shën Tereza e Kalkutës, siç i themi ne Nënë Tereza, nuk ka akoma një memorial në kryeqytetin e Shqiptarëve. Sepse e pengon një ligj. Emri i saj apo memoriali nuk mund të vendoset më shumë se një herë në institucione apo sheshe të vendit. Hidhni pak sytë nga vendet e tjera, Italia për shembull. Bëni një kërkim në internet me emrin e një rruge ku jeton ndonjë i njohur apo i afërm i juaji. Do të shikoni se përsëritet të paktën 10 herë nga qyteti në qytet. /Nga Blerti DELIJA/