
Pas një emisioni në një nga televizionet kombëtare në vend, është raportuar në dy versione për një ngjarje që lidhet direkt dhe indirekt me situatën e krijuar në Baks- Rrjoll prej më shumë se një muaji. Fillimisht, Fatmir Shpellzaj, personi që konsiderohet pronar i tokës ku po ndërtohet një resort turistik, njoftoi se djali i tij është “masakruar brutalisht” nga pala tjetër në konflikt por pa cituar emra dhe pa evidentuar diçka përmes fotove, videove apo dokumenteve spitalore, pasi sipas akuzuesit, i biri ka përfunduar në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë, pala tjetër, përmes Prekë Mollës, ka deklaruar se banorët janë dhunuar nga djali i Fatmir Shpellzaj dhe persona të tjerë pas emisionit, duke treguar si prova edhe disa foto, ku shihet një xham i thyer i një makine. Përtej këtyre versioneve, deri në momentin kur të ketë denoncim zyrtar apo edhe hetime nga policia/ prokuroria, nuk mund të flitet për një version zyrtar të besueshëm.
Ngjarja e mbrëmshme, duhet të konsiderohet “këmbanë alarmi” e fortë për institucionet. Tashmë përballja rrezikon të futet në një hylli të rrezikshme, atë të përballjes personale mes individëve. Përgjatë këtyre më shumë se 35 ditëve protestë, disa individë janë evidentuar më shumë, qoftë para mediave në terren apo edhe në studio televizive e rrjete sociale. Nga një përplasje palësh, edhe fizike, mund të shkohet tek ajo mes individëve, në terrenin ku zhvillohen ngjarjet, edhe në kuadër të hakmarrjes apo gjakmarrjes, pse jo edhe në citim të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Konflikti kështu, rrezikon të përfshijë më shumë se disa individë, për të kaluar tek familjet apo edhe fiset brenda e jashtë Shqipërisë. Nëse heshtja do të vijojë të jetë mbizotëruese akoma, nëse institucionet bëjnë sikur nuk shohin e nuk dëgjojnë, mund të rrezikohet të ketë edhe viktima. Nga një çeshtje prone, e cila duhet të zgjidhet nga veprimi e ndërveprimi i institucioneve të këtij vendi, mund të mbizotërojë vetëgjyqësia bazuar edhe në Kanun.
Mbase dikush mund te konsiderojë këtë “këmbanë alarmi” si të tepërt, të nxituar apo edhe në vendin e kohën e gabuar. Për dritëshkurtërit, mbase duhet sjellë në vëmendje kalvari i ngjarjeve edhe të rënda, deri në sallën e gjykatave, për konflikte të lidhura me pronat. “E keqja një herë ndodh”, thonë shqiptarët… Gjithmonë nëse nuk është synim i dikujt/disave pikërisht dirigjimi i këtij konflikti pronash pikërisht në atë drejtim. Atëherë, edhe nëse institucionet do të reagonin, do të ishte shumë vonë. Spiralja do të ishte e rrezikshme dhe e pandalshme, me kosto jetë njerëzish, edhe të pafajshëm totalisht! /ShkodraWeb/




