Pas zyrtarizimit si kandidat për garën në PD, Agron Shehaj doli para gazetarëve si alternativë për të zëvendësuar Lulzim Bashën në krye të partisë më të madhe të opozitës. Që në këtë dalje të parë, sigurisht jo e fundit deri me 13 qershor, Shehaj përdori simbolikat.
Ai ftoi gazetarët në amjentet e “Rogner”, ku pak ditë më parë ish- kryeministri Berisha thirri gazetarët lidhur me shpalljen e tij “non grata”. Pavarësisht se publikisht, me një letër të shkruar iu vunë në dispozicion mjediset e selisë qendrore dhe selive në rrethe për qëllime zgjedhore, Shehaj zgjodhi “Rognerin”. Pse jo, për të krijuar idenë se pas tij, si mbështetje, mund të jetë…Berisha.
Sigurisht, për ta bërë të vertetë këtë garë, Shehaj duhej të anatemonte jo direkt Bashën. Natyrisht, askush nuk priste ta lavdëronte rivalin më të vështirë për ta mundur, por tingëllima e akuzave nga korrupsioni deri tek paaftësia, nuk dukej shumë normale për një garë brenda “familjes politike”. Mbase, mund të jetë një qasje për të kompaktësuar demokratët votues, që nuk është çudi ta shohin nga sot Shehajn si një “Ramë” të vogël. E kam fjalën për kryeministrin.
Nga ana tjetër, Shehaj “certifikoi” zgjedhjet e 25 prillit, teksa u kujtoi demokratëve që PD duhet të ndryshojë lidershipin për të fituar zgjedhjet e 2025- ës për të ndryshuar më pas Shqipërinë. Natyrisht, kjo nuk do të ketë impakt të mirë tek antarësia. Siç është krejt normale, të nesermen e humbjes së zgjedhjeve, çdo opozitë synon zgjedhjet e parakohëshme. Edhe nëse kalojnë 4 vite në opozitë, kjo qasje mban të karikuar “popullin opozitar”, të paktën për të shpresuar ndryshim pushteti para zgjedhjeve normale të radhës.
Në një linjë me Bashën, është shfaqur Shehaj lidhur me një marrëveshje të mundshme bashkëqeverisje me mazhorancën. Ai e ka përjashtuar katagorikisht këtë mundësi. Deputeti i sapozgjedhur Shehaj, është në këtë nivel të politikës me vullnetin, mbështetjen e pse jo katapultimin nga Lulzim Basha. Një deputet i thjeshtë në Vlorë në 2017- ën, katër vite më pas drejtues i fushatës elektorale në një nga zonat e Tiranës. Edhe ndëë më të votuarit personalisht me 25 prill 2021. Por ai e bëri të qartë se nuk ka asgjë personale me Bashën. Thjesht, po kërkon të japë kontributin e tij për PD- në. Cili ishte kontributi i tij aktual për PD- në, kësaj pyetjeje Shehaj nuk iu përgjigj.
Deputeti i sapozgjedhur evidentoi se ka qenë kundër “djegies së mandateve” dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet e “30 qershorit”, duke thënë se në mbledhjet e forumeve të PD- së nuk mund të flitet, të shprehesh. Shkurt, ka zgjedhur të heshtë, të mos flasë, të bëjë kompromis, sipas gjasave, për të arritur atë që arriti me 25 prill. E kjo, nuk i bën aspak nder, sidomos e pohuar me gojën e vet.
“Qershia mbi tortë” ishte deklarimi se fushata ishte e pabarabartë, duke e thënë troç se Basha është i favorizuar. Përballja me kryetarin në një debat publik, nuk është domosdoshmëri për Shehajn, por nuk do ti shmangej, bëri të ditur ai. Pyetja që mbase duhej të kishte një përgjigje, është se pse pranoi të futet në një garë të pabarabartë. Që në nisje, ai po paralajmëron se do të jetë humbës.
Pjesa tjetër e pyetje- përgjigjeve, është në kufijtë e demagogjisë. Qoftë “kryetari jep dorëheqjen kur hup zgjedhjet, të sanksionohet në kushtetutë”, qoftë “kandidatët për deputetë do të votohen nga antarësia”, qoftë edhe “vendimmarrjet do të bëhen nga antarësia me parimin një antar, një votë”.
Agron Shehaj nuk ka hyrë në garë për të fituar. Indirekt pohoi se ka patur një telefonatë me Bashën për ta siguruar se nuk do të kandidonte. Më pas, pas një reflektimi të gjatë, vendosi të kandidojë…
Agron Shehaj u katapultua në politikë duke ardhur nga bisnesi. Pjesa dërrmuese e kësaj kategorie, në politikën e lartë nuk është preferuar, nuk ka mbijetuar gjatë. Ky është një tjetër minus jo i vogël për garën e tij. Nga disa portale, qarkullojnë fjalë për papastërtinë e plotë të bizneseve të Shehajt. Sigurisht, mund të jenë edhe “shashka”, sajesa apo diçka e ngjashme. Por edhe nëse është biznesmeni më i pastër në glob, ky fakt nuk e ndihmon, madje e pengon, të arrijë në krye të Partisë Demokratike.
Besoj se Shehaj do të jetë më i votuar se kandidatët e tjerë Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli, nëse këta do të shkojnë deri në aktin final të 13 qershorit. Por është e sigurtë se do të marrë shumë më pak se Lulzim Basha. Nga ajo që u pa sot, në këtë dalje të parë para gazetarëve, Shehaj nuk e mund dot, nuk ka hyrë në garë që ta mundë Bashën. /Nga Blerti DELIJA/