Nuk ka ndodhur para 100 vitesh, por sot është mirë të sjellim në vëmendje se i famshimi akt normativ “Anti- KÇK”, kishte një synim të qartë: Ndëshkimin e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar, që bashkëpunojnë me “botën e errët” dhe “marrin në qafë” individë si ai tipi i Kadastrës së Durrësit me mbiemrin Pula.
Gjithçka nisi me 1 tetor ndërsa me 1 shkurt, gjithçka ishte gati për “OFL”-në ose së gjati, Operacioni Forca e Ligjit. Me urgjencë, për rreth 4 muaj, u përgatit çdo gjë dhe kulmoi me një mbledhje qeveria që miratoi aktin normativ “Anti- KÇK” që duhet të jetë i flefshëm jo më shumë se 45 ditë, nëse nuk kthehet në ligj në Kuvend.
Nuk ka asnjë dyshim se nëse Rama e dëshiron, ai kthehet në ligj brenda 24 orëve. Por Rama po teston fillimisht opinionin publik për impaktin e “Anti- KÇK” dhe më pas, edhe efikasitetin e tij, gjithmonë në shërbim të PR- it të kësaj mazhorance.
Është e qartë se qëllimi i “Anti- KÇK” ndryshoi rrugës. Ishte e kuptueshme se Rama nuk do të mund të merrej me gjytarë e prokurorë sepse automatikisht do të hidhte në erë themelet e KLGJ-së e KLP-së e bashkë me të, edhe reformën në drejtësi.
Mirëpo “hyr fjalë nga dole”. Dikush i kujtoi rrugës e për arsyen më sipër, nuk mund ta kishte “Anti- KÇK”- në si mjet për të shenjestruar prokurorë e gjyqtarë të korruptuar. Veç të tjerave, do të ndiqte edhe faktori ndërkombëtar, i cili duket, të paktën në pamje të parë, se është mjaft i interesuar për reformën në drejtësi.
“Çfarë thashë, thashë” dhe Edi Rama nuk mund të tërhiqej pas nga deklarimet publike “Anti- KÇK”. Kështu që, pranoi që kokoshi të katandisej në një thelë vetëm të çonte në vend premtimin e dhënë publikisht për një “Anti- KÇK”.
Në fakt, lindi “OFL”. Më saktë, një ringjallje ose rilindje nën shembullin e modelit të PS-së. Operacioni Forca e Ligjit, ishte ndër të parët e kësaj qeverie në pushtet por që u shua po aq shpejt dhe papritur u shfaq.
Ku konstatohet se edhe ringjallja apo rilindja e “OFL”- së është thjesht show? Personifikimi me një zonjë me uniformë policie, me syze të errëta për “ta maskuar”, trupa me uniforma të reja me stampën “OFL” dhe…dhënia “me pikatore”, ditë pas dite, e dy e nga dy emrave të atyre që duhet të justifikojnë pasurinë. Besoj se janë kritere të mjaftueshme për të vërtetuar përdorimin për PR, për reklamë për qeverinë.
Deri tani, subjekte të këtij ligji janë të dënuar, në gjykim apo ish- të dënuar. Shkurt e qartë “figura të njohura si parja e kuqe”, jo vetëm nga opinioni publik por edhe nga strukturat ligjzbatuese. Jo vetëm nga ligji “Anti Mafie” por edhe nga të tjerë instrumenta, ata kanë kaluar “në sitë” më shumë se njëherë. Kur ia kanë dalë ti shpëtojnë pasuritë e tyre me vendime gjykatash, a ka ndonjë gjykatës në këtë vend që rrëzon vendimin e një kolegu për të njëjtën çështje dhe kur në lojë janë…miliona euro?! Ja edhe një element tjetër në mbështetje të idesë së show-t që pritet të prodhohet me “Anti- KÇK”.
Antarë apo ish- antarë të kësaj mazhorance, deputetë, ish- deputetë, kryebashkiakë apo ish- kryebashkiakë, të paktën sipas përcaktimeve të aktit normativ “Anti- KÇK”, duhet të ishin subjekte kontrolli dhe verifikimi të pasurisë. Deri tani, nuk ka asnjë shenjë se do të veprohet në emër të aktit normativ edhe ndaj tyre. Sepse “zoçka do ruajtur zogjtë e vet sa pa vajtur në kthetrat e skifterit, sepse po vajti…aha…as puplat s’ua gjen dot”, do të thoshte i ndjeri Llazar Filipi në një nga filmat e para 1990- ës. E kush janë “zogjtë” e kush është “zoçka” që i ruan, shqiptarët e dinë mirë.
Por natyrisht, specialistët e PR- it qeveritar, kanë parashikuar vijueshmëri. Nëse ndodh ekzakt siç edhe më sipër paralajmëruam, “Anti- KÇK” do të vazhdojë të qëndrojë në këmbë mediatikisht sepse nga foltoret, Rama e antarë të kësaj mazhorance, do “ti turren” gjyqtarëve “të korruptuar”, “bashkëpunëtorë me krimin” etj.
Në kuptimin e PR-it, më shqeto, manipulimit të opinionit publik brenda e jashtë vendit, “Anti- KÇK” është i mirëmenduar për të ecur gjatë në mbështetje të synimeve që Rama e Rilindja kanë për vete dhe këtë vend. Sepse Makiaveli është akoma fuqiplotë në politikën shqiptare me “Qëllimi justifikon mjetin”. “Anti- KÇK” është njëri nga mjetet, më i riu por sipas gjasave jo i fundit… /Nga Blerti DELIJA/