Albin Kurti po rrëzon me duart e tij “kështjellën” qeverisëse që mendonte të ngrinte bashkë me Isa Mustafën. Gradualisht, kandidatura e tij si kryeministër në pritje për tu mandatar, po shuhet. Bashkë me të, edhe “modeli i ri” që Kurti pretendoi të vendosë në Kosovë.
Letra e sotme, ku konfirmon për herë të dytë brenda pak orëve se posti i kryetarit të Kuvendit nuk preket, është fillimi i fundit të ëndrrës së Kurtit për kryeministër dhe sipas gjasave, starti i lëvizjeve të tjera të presidentit Hashim Thaçi për ti dhënë një qeveri vendit të tij.
Kurti e di që politika është formë por edhe përmbajtje. Madje, në viset tona është më shumë formë. Aktualisht në Kosovë, si në çdo vend normal të botës, ka tre pozicione të larta shtetërore: Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri. Kreu i shtetit, të paktën edhe për një vit, i përket një force politike që nuk ka lidhje as me VV, as me LDK. Shefi i Vetëvendosja duhet të ishte i kthjellët deri në atë pikë sa të parashihte ndarjen e dy posteve të mbetura: Kryeministrin për vete, kryetarin e Kuvendit për aleatët. Paskëtaj duhej të nisnin seancat e takimeve VV- LDK për konfigurimin e qeverisë e institucioneve.
LEXONI EDHE: “Ja çfarë kërkojmë para dhe pas zgjedhjes së presidentit”, LDK paraqet kushtet për bashkëqeverisje me Vetëvendosje!
Kurti ra në “grackën” politike të Mustafës. Ky i fundit u tregua luajal me Kurtin, duke i votuar kandidatin e tij Glauk Konjufca si kryetar Kuvendi. Në këtë moment, Mustafa nisi të luajë me “të bardhët”, duke përdorur gjuhën e shahut. Siç ishte e kuptueshme, LDK do të kërkonte postin e Konjufcës. Madje, kjo u pa qartë edhe pas votimit në Kuvend me shprehjen “ndoshta VV ka vendosur të na japë postin e kryeministrit”.
Kurti kishte indicie për këtë pozicionim të Mustafës pas zgjedhjes së Konjufcës. Por vendosi, me kryeneçësi apo nga presioni brenda VV-së, të mos i japë asgjë aleatit në pritje. VV e kishte të qartë se LDK nuk do të kënaqej as me një apo dy ministri më shumë se fituesi i zgjedhjeve. Më shumë se privilegj, shtimi i portofolave në vende demokratike, konsiderohet rritje e përgjegjësisë para qytetarëve. E prandaj edhe sot, Mustafa këmbëngul që ministritë të ndahen barabar, me nga pesë secili aleat.
Sipas gjasave, Mustafa nuk do të tërhiqet nga posti i kreut të Kuvendit. Edhe Kurti, nuk e ka të lehtë t’ia ofrojë. Nisur nga letra e sotme, por edhe nga rreziku i ndonjë përçarje të mundshme brenda VV-së, duke i rrezikuar numrat për qeveri në koalicion me LDK-në, Kurti vështirë ta hedhë këtë hap. Me këtë imtas të rëndësishëm, shumë vështirë që Kurti e Mustafa ti japin jetë një qeverie të përbashkët.
Presidenti Thaçi është në pritje. Sipas gjasave, pret edhe një konfirmim të pozicionit të LDK-së lidhur me ndarjen e posteve të larta shtetëroreme VV. Nëse palët do të qëndrojnë në istikamet e tyre, me siguri do të ftojë Vjosa Osmanin e LDK-së për të testuar mundësinë e krijimit të qeverisë. Nuk përjashtohet mundësia që LDK me kryeministre Osmanin dhe me një platformë bashkëqeverisëse pa VV, të krijojë një ekzekutiv duke e lënë përsëri në opozitë Kurtin.
Nuk është e vështirë të hamendësohet se ky skenar ka qenë që në krye të herës kryesori, por duke i dhënë mundësinë vetë Kurtit të gabojë duke penalizuar veten por edhe VV. /Nga Blerti DELIJA/