ANALIZA – Shpjegimi i marrëveshjes, ç’ fitoi opozita dhe ç’ humbi Rama…

Sot, me marrëveshjen për Kodin e ri Zgjedhor, opozita ka të drejtën të thërrasë fitore, pasi ajo arriti të kapë të gjithë objektivat që i kishte vënë vetes ditët e fundit. Ndonëse kishte arritur më parë hapjen e kutive dhe vendosjen e kamerave në qendrat e votimit, PD dhe LSI u vunë në vështirësi kur pala qeveritare nuk donte të dëgjonte as për kontrollin biometrik. Edhe më të vështirë e bëri situatën këmbëngulja e Ramës për të mbushur me punonjës rilindës të administratës të gjithë hierarkinë e numërimit të votave.

Po të bëhet një bilanc i shkurtër i asaj që ka ndodhur nga e diela e 31 majit e deri këtë të premte, hapat e hedhur janë tejet të dukshëm. Pesë ditë më parë, Edi Rama nuk pranonte as identifikim elektronik të zgjedhëseve dhe as hiqte dorë nga depolitizimi, të cilin e kishte shpallur si vijë të kuqe.


Me ndërhyrjen e fortë të ambasadores amerikane, ambasadorit të BE-së dhe atij britanik, Lulzim Bashës iu propozua që të merrte të parën, duke sakrifikuar të dytën.

E gjitha kjo u shoqërua edhe me presionet e forta të Yuri Kim, se qeveria i ka bërë të gjitha lëshimet e veta, se PD po shton kushte të reja dhe se topi tashmë kishte mbetur në bahçen e SHQUP-it.

Deri mbrëmë në darkë, kur Edi Rama u shfaq përballë gazetarëve në emisionin “Opinion”, ai ishte i bindur se rekomandimi i OSBE-ODIHR-it dhe kushti i fillimit të bisedimeve me BE-në ishte depolitizimi i komisioneve. Ai nuk dha asnjë shenjë se mund të tërhiqej, madje. njësoj si Damian Gjiknuri, kërcënoi me faktin se fjalën e fundit e ka Parlamenti, ku opozita reale mungon prej një viti.

U desh kalimi i stafetës së protagonizmit nga amerikanët te BE dhe propozimi i një kompromisi të këtyre të fundit, të enjten në mesditë, që do ta detyronte Edi Ramën të tërhiqej nga ajo që kishte këmbëngulur dhe të pranonte kthimin te komisionerët politikë.

Kështu, brenda këtyre pesë ditëve, opozita fitoi pothuajse gjithçka mund të arrinte në atë tavolinë. Nëse të dielën e 31 majit ajo nuk kishte as identifikimin biometrik dhe as komisionerët e saj, këtë fundjavë ajo i ka fituar të dyja këto garanci.

Por, sado e madhe qoftë kjo fitore në tryezë, ajo sërish mbetet shumë larg garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në kushtet e një regjimi monist, ku Parlamenti është njëngjyrësh (siç u dëshmua edhe sot nga Rudina Hajdari), ku pushteti lokal kontrollohet vetëm nga rilindja, ku mediat e mëdha i shërbejnë në kor pushtetit, ku paratë e oligarkëve dhe muskujt e krímìt janë të gjitha në shërbim të një njeriu, është një iluzion të besosh se shmangia e vjedhjes mund të fitohet duke firmosur mbi një dokument.

Këtu, rruga është ende shumë e gjatë. Prandaj, përpara se të ngrejë trofeun e fitores, opozita duhet të kujtojë se marrëveshja e sotme është vetëm një etapë. Por se ata që kanë nënshkruar sot bashkë me të janë të njëjtit që e bënë këtë edhe në 2017, kur i dhanë më shumë se gjysmën e qeverisë, gjë që nuk i pengoi aspak që votat t’i rrëmbenin sërish me bándìtë. /Nga Andi BUSHATI/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media