E kishim paralajmëruar si një mundësi për ta marrë Shkodrën! Sot, përmes “mashës” Anila Denaj, Edi Rama nisi rrugën e fundit që i ka mbetur të marrë Shkodrën: Gjunjëzimin përmes bllokimit të veprimeve financiare në Degën e Thesarit.
Në një veprim të padëgjuar më parë, janë refuzuar kryerja e veprimeve për likuidimin e faturave të investimeve dhe shërbimeve që ka në proces me të tretë Bashkia e Shkodrës. Justifikimi sa qartas politik, është edhe i budallepsur. Siç njofton qeverisja vendore, “mandati i kryetares së baskisë ka përfunduar me 20 gusht 2019”. Madje, marria ecën edhe më tej, kur përveç datës, përfundimit të mandatit i vihet edhe një orë, pikërisht 16:30.
Nuk duhen shumë mend për ta kuptuar se përfundimin e mandatit të një kryetari bashkie, mund ta shpallin shumë institucione por e sigurtë është se nuk e shpall Ministria e Financave. Edhe një “budalla me brirë”, e kupton kaq gjë. Mund ta shpallë gjykata, mund ta shpallë KQZ, mund ta shpallë Këshilli i Ministrave, mund ta shpallë në lajthitje e sipër edhe Këshilli Bashkiak. Por asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk mund ta shpallë Ministria e Financave!
Po atëherë? Edi Rama dhe juristët rrotull e kanë kuptuar se Shkodrën nuk mund ta marrin. Është e qartë se është kthyer në një “mallkim” për Ramën dhe PS-së. Rastin më të mirë e pati me 30 qershor 2019. Ishte i vetëm në votim me një kandidat, por nuk e mori dot. Kandidati që kishte zgjedhur, edhe pse fitoi plot rreth 8% të votave, nuk mori dot mandatin e kryetarit. “Hijet” në të shkuarën e tij, e detyruan të japë dorëheqje, duke vërtetuar “mallkimin” për Ramën e PS-në. “Mallkimi” vazhdoi edhe në mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak të dalë nga 30 qershori. Përveç protestës që e ktheu konstituimin të ngjashëm me një proces në regjim junte ushtarake, munguan edhe deputetë të PS-së.
Jo vetëm kaq, por edhe votimet për drejtuesit e këtij organi si dhe përfaqësuesit e tij në Këshillin e Qarkut, u bënë të hapura- me dorën lart, pa alternativa. Shkelje flagrante kjo e ligjit për votime që lidhen me individët, në sy të Prefektit të Qarkut, i cili nëse kërkon të verifikojë ligjshmërinë siç ia kërkon detyra, duhet ti kthejë pas për tu bërë nga e para. 19 gushti u mbyll nën shenjën e “mallkimeve”.
Pas zërave që në orët e para të mëngjesit, në darkë u publikua procesverbali i një mbledhje me dyer të mbyllura në selinë e PS-së Shkodër. Mishmash, është pak të thuhet ajo çfarë lexohet dhe që “sa për tu gjet Kola në punë”, u përgënjeshtrua sot me katër rreshta në Facebook. Ndërkohë, asnjë nga ata, emrat e të cilëve janë të shënuar e zezë në të bardhë në atë dokument, nuk ndjehen. E pra, nëse do të ishte abuzuar deri në atë pikë, Arviti, Blediana apo Tereza do të kishin reaguar. Të paktën, nën shembullin e Edit në Tiranë, duke paditur në gjykatë për shpifje Sali Berishën.
Është e qartë se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për të marrë Shkodrën. Pavarësisht se janë çoroditës logjikisht, këtë hapësirë nuk ia lejon Kushtetuta, nuk ia mundëson Kodi Zgjedhor e as ligji 139/2015 për vetëqeverisjen vendore. Këtë ia përsërisin prej ditësh Edi Ramës tashmë në ankth. E vetmja rrugë është Ilir Meta, të cilit duhet ti kërkohet shpallja e një date zgjedhjesh të parakohshme për Shkodërn. Por Presidenti do ti përplasë 13 tetorin e nëse do të votohej për Shkodrën, do të legjitimohej votimi për të gjitha bashkitë. E “mallkim pas mallkimi”, mjeti i vetëm për të marrë Shkodrën, mbetet bllokimi i veprimeve financiare në thesar. Por edhe ky do të rezultojë një tjetër “mallkim”, çështje kohe.
E pas dështimit të sigurtë edhe të kësaj metode, mbetet vetëm që Shkodra të merret përmes kamikazëve të KQZ “Biba” ose…pushtimit ushtarak.
Historia ka treguar se edhe pushtimeve Shkodra u ka rezistuar gjatë, më gjatë se çdo kështjellë tjetër në këtë vend. Qyteti ra i fundit edhe nën pushtimin osman, 10 vite pasi ra Kruja, kryeqendra e Arbërisë. Sepse Shkodra kthehet në “mallkim”. Mjerë ai që nuk e kupton në kohë! Napoloni, në një moment të vështirë pat thirrur “mbretërinë për një kalë”. Sot Edi Rama patjetër “Shkodrën do ta shkëmbente me gjithë Shqipërinë”./Shënim i ShkodraWeb/