Shënim i ShkodraWeb
Ishte një emër që u përfol të paktën në rrjete sociale si pasues i mundshëm i Lulzim Bashës, nëse lideri aktual i PD- së do të jepte dorëheqjen e paravokueshme pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Agron Shehaj, zyrtarizoi sot pjesëmarrjen në garën e 13 qershorit. Deri tani zyrtarisht, janë shpallur si kandidatë Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi. Me Agron Shehajn, shkon në 5 numri i kandidatëve pasi ish nënkryetari i FRPD- së deklaroi dorëheqjen nga gara ditën e sotme.
Zyrtarizimi i emrave të kandidatëve pritet të bëhet të dielën nga Kryesia e PD- së dhe sipas gjasave, që të gjithë do të jenë pjesë e garës, të paktën nisur nga kriteret e vendosura paraprakisht nga Komisioni Zgjedhor i selisë blu. Teorikisht, kriteri i kontributit në fushatën elektorale, mund të nxjerrë nga gara ndonjë apo disa kandidatë por nuk është rasti i Agron Shehajt të paktën. Ai ishte drejtues fushate në Tiranë dhe impakti i tij përgjithësisht ka qenë pozitiv.
Që në krye të herës duhet pranuar se qënia në garë e më shumë se një kandidati përballë Lulzim Bashës, favorizon pikërisht këtë. Me logjikën më të thjeshtë, votat do të ndahen të paktën në 5 drejtime, për secilin kandidat.
Historia 30 vjeçare e partive politike në vend ka treguar se kryetarët, të partive të mëdha apo të vogla politike, është e vështirë, madje në kufijtë e të të pamundurës, të largohen nga një proces i brendshëm votimi. Për shumë arsye që mund të analizohen por që janë edhe të kuptueshme, kryetari është gjithmonë i favorizuar subjektivisht e objektivisht.
Që gara të ishte deri diku e fortë, më mirë do të ishte të ngeleshin vetëm dy kandidatë përballë. Edhe pse precedentët e ngjashëm kanë treguar se përsëri kryetarët e kanë fitoren në xhep. Madje edhe në PD, edhe në vetë garat e Bashës, qoftë me Olldashin e ndjerë apo edhe me Selamin, kryetari ia ka dalë të fitojë dhe madje thellë.
Këtë herë, duket se “rregulli” nuk është e sigurtë se do të funksionojë 100%. Ka një perceptim se shpallja “non grata” e Berishës, pas humbjeve të zgjedhjeve të 25 prillit, ka krijuar një atmosferë paparashikueshmërie brenda PD- së lidhur me zgjedhjet. Deri tani nuk ka një vendim zyrtar të strukturave vendimmarëse, por të paktën Basha dhe ata që prononcohen publikisht nga PD, e kanë bërë të qartë se zgjedhjet janë të manipuluara e nuk do të njihen. Por nga ana tjetër, në shtator është paralajmëruar se PD do të ulet në Kuvend. Thjeshtë për të marrë mandatet e më pas për tu distancuar nga Kuvendi, duke nisur një taktikë të njohur edhe më parë nga partitë opozitare në vend, kjo mbetet të shihet.
Në pamje të parë, kandidimi në afatin e lejuar i Agron Shehajt, mund të lexohet edhe i lidhur me shpalljen “non grata” të Berishës nga SHBA. Nga ana tjetër, edhe pse duket e vështirë të besohet, Shehaj mund të jetë në garë për ti bërë nder vetë Bashës. Në gara të tilla, ka ndodhur jo rrallë në këtë vend. Edhe pse duket në kufijtë e të pabesueshmes, përsa kohë publikisht njohim një profil krejt tjetër të Shehajt.
Largimi me votë të brendshme i një kryetari është vështirë të ndodhë në një parti shqiptare, por në rastin e PD- së, ka edhe një faktor tjetër. Janë të shumtë ata që besojnë se lideri historik Sali Berisha, ka akoma ndikim të fortë. Jo vetëm në vendimmarrjet politike por edhe në përcaktimin e lidershipit e kandidatëve për deputetë e pozicione të tjera. Pavarësisht se vetë Berisha e ka bërë të qartë se nuk ka ndikim, pavarësisht se Basha e ka deklaruar se vendimet ai i merr vetë, nuk ka ndicie të qarta që e vertetojnë këtë.
A do të ketë një garë të vertetë në PD këtë herë? A do të ketë ndikim direkt ose indirekt Berisha në këtë garë? A do të japë dorëheqje Basha kur emri i tij të zyrtarizohet si kandidat për kryetar? A do të lobojnë deputetët e sapozgjedhur të PD- së në favor të rizgjedhjes së Bashës në krye të PD- së? E ka seriozisht apo “sa për tu gjet Kola në punë” këtë kandidim Agron Shehaj?
Mund të ketë edhe pyetje të tjera, më të detajuara apo hamendësime. Por futja e Shehajt në lojën për kryetar i PD- së, i jep padyshim vlera asaj. Një person “i bërë vetë”, i suksesshëm të paktën në biznes pavarësisht dritëhijeve që disa portale i hedhin aktivitetit të tij, Agron Shehaj mund të quhet një rival i fortë për Bashën. Sidomos nëse edhe kandidatët e tjerë të vetshpallur, do të hiqeshin mënjanë duke i lënë përballë vetë këta të dy. Por vështirë se do ta mundë Bashën…