ANALIZA – Rrugët për të larguar Berishën dhe a di Basha diçka që mbase nuk e dinë akoma PD e demokratët…

Çdokush ka një opinion për Sali Berishën. Nga 1990- a e këtej, ai ka patur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e atyre që jetojnë në Shqipëri por edhe atyre jashtë saj. Po flas për shqiptarët, sigurisht. Si pakkush në këtë vend, Berisha është zgjedhur 2 herë president i vendit, herën e dytë me një mandat të ndërprerë. Dy mandate ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë, fuqiplotë, ashtu siç ka qenë edhe në postin e presidentit.

Sali Berisha nuk ka qenë dhe nuk është kundërshtar i lehtë politik. Ai e ka të fortë genin e mbijetesës por edhe atë të qeverisjes “me dorë të hekurt”. Modeli i krijuar nga ai, po rezulton i suksesshëm, teksa po ndiqet për të tretin mandat radhazi edhe nga pasuesi i tij në qeverisjen e vendit, Edi Rama. Madje, ky i fundit, falë këtij modeli, nuk ka nevojë fare të votohet nga partia e tij, teksa votimin popullor, tashmë në hyrje të mandatit të tretë, e konsideron rikonfirmim edhe në drejtimin e PS- së.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 2013- ës, Sali Berisha vazhdoi modelin e paraardhësit të tij. Ashtu si Fatos Nano u largua nga të gjitha funksionet me dorëheqje pasi humbi zgjedhjet e 2005- ës, edhe Berisha bëri të njëjtën gjë. Mbeti si deputet i thjeshtë në PD deri në vitin 2017. Por ndryshe nga Nano, në Kuvend ai ishte jo vetëm shumë aktiv, por quasi- kryetar i opozitës. Deri diku normale, teksa ishte një lider historik i një subjekti të djathtë, të cilin praktikisht e drejtoi nga dita e parë e jetës.

Në vitin 2017, Berisha, ndryshe nga Nano, u rikandidua sërish për deputet dhe natyrisht, u zgjodh. Këtu ai nisi të krijojë një model tjetër, duke u shkëputur nga modeli Nano. Karakteri i tij, ndërtimi si individ me parimin e mostërheqjes, e bëri të vijojë të jetë në politikë, madje edhe faktor i rëndësishëm. Në shumë raste, krijoi dualitet të fuqishëm me pasuesin e tij në PD, i cili nga jo pak drejtime, konsiderohej si “delfin” i Berishës.

Historia dukej se do të përsëritej në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Kryetari i PD- së e bëri të ditur shumë para kësaj date se “Berisha mund të kandidonte ku të dëshironte ai vetë”. Të paktën mediatikisht dhe në terren, Berisha nuk ishte shumë i dukshëm. Nga “frëngjia” e tij në rrjete sociale, ai vazhdonte të ishte shumë aktiv, në jo pak raste, duke elektrizuar demokratët por edhe simpatizantët e tij personalë.

Në Tiranë, në krye të diplomacisë amerikane, kishte ardhur Yuri Kim. Për arsye jo shumë të qarta publikisht, Berisha u shenjestrua. Duhej të largohej nga politika aktive, nga ndikimi jo i vogël, edhe brenda partisë më të madhe opozitare. Pas shpalljes “non grata” të Tom Doshit, paralajmëroheshin edhe lëvizje të tjera nga DASH- Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërsa flitej për refuzim vize amerikane për kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi (i cili u tërhoq nga politika dhe Kuvendi), për Presidentin Ilir Meta, ishte Sali Berisha që u shpall “non grata” nga SHBA.

Sigurisht, ishte një lëvizje publike për ti treguar Berishës se kishte ardhur momenti të tërhiqej, edhe pse më pak se dy muaj më parë, ishte zgjedhur deputet i PD- së. Berisha nuk e kishte këtë plan. Në vend të tërheqjes së “butë”, ai zgjodhi një hap radikal: Paditi në një gjykatë në Francë sekretarin amerikan të shtetit Blinken, duke i kërkuar të paraqesë prova që justifikonin shpalljen e tij “non grata” nga SHBA. Natyrisht, SHBA nuk janë të detyruar dhe me shumë gjasa, nuk do të paraqesin dokumente për të justifikuar vendimin e marrë ndaj një ish- presidenti, ish- kryeministri të një vendi aleat.

Pas këtij hapi, politika nisi të luajë në pjesën e padukshme të ajsbergut të saj. Pati vetëm disa deklarata, të cilat më së shumti u shkëputën nga e gjitha, si ajo “një parti nuk mund të hajë bar për hatër të një personi”. Kur u kuptua se Berisha nuk do të vetëlargohej, nisi interpretimi i Ligjit të Dekriminalizimit, doli në skenë historia e mosdeklarimit të ndryshimit të ditëlindjes (ndryshim që mund të jetë bërë 40- 50 vite më parë, pra që nuk e penalizon dot Berishën). E pasi KQZ nuk dha garanci se Berisha mund të largohej me mekanizmin e mësipërm, mbetej vetëm një rrugë: Distancimi politik i PD- së nga lideri i saj politik.

Kështu, Sali Berisha u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD- së deri sa të sqarohet/zbardhet nga ai ose DASH çeshtja e shpalljes së tij “non grata”. Vendimi, siç e pohoi vetë, ishte i kryetarit të PD- së Lulzim Basha, i cili deri mbrëmë konsiderohej “delfin” i Berishës. Kryedemokrati e tha publikisht se ka qenë një nga vendimet më të vështira që ka marrë, ndërsa akoma nuk është sqaruar se kush e ka kompetencën në PD për të marrë një vendim të tillë. Sigurisht, reagimi i Berishës ishte mjaft i ashpër, siç edhe ka nisur një lloj pozicionimi brenda PD- së, pro/kundër largimit të tij nga GP i PD- së.

Lulzim Basha nuk e ka patur të lehtë “të vrasë babanë e tij politik”, siç thuhet zakonisht në këto raste brenda një subjekti politik nga pasardhësi për paraardhësin. Çfarë mund ta ketë shtyrë Bashën të marrë këtë vendim kaq ekstrem? Vetë Berisha foli për kërcënime, sanksione për Bashën e PD- në por pa dhënë më shumë detaje. Madje, ai shtoi se është kërcënuar edhe vetë përmes fëmijëve të tij. A është e mundur që Basha të ketë parë ndonjë dokument, përmes të cilit është bindur se Berisha e ka merituar shpalljen “non grata” nga SHBA- të? A është e mundur, e pranueshme, që lideri i opozitës së një vendi tashmë në paradhomën e BE- së, të pranojë të bjerë pre e presione/kërcënimeve? A është përjashtimi i Berishës hapi i fundit drejt një projekti që thuhet prej muajsh se ekziston, për një bashkëqeverisje me “koalicion të madh” në këtë vend?

Pyetjet mund të jenë edhe më shumë por përgjigjet vështirë të merren publikisht. Ajo që mbetet të shihet është nëse politika- ajsberg do të tregojë pjesën e saj të dukshme. Në të kundërt, duhet të presim për të parë nëse faktet publike mbështesin hipotezat. Ajo që mbase mund të konstatohet shpejt, është impkati që do të ketë në PD vendimi i marrë kundër Berishës. Është një test i fortë për Bashën, Berishën e vetë PD- në. Gjithsesi, këto 30 vite kanë treguar se kryetarët i kanë fituar gjithmonë betejat brenda partive të tyre, pavarësisht se këtë herë pritet të “luajë rëndë”…Sali Berisha! /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel