ANALIZA – Ramën dhe Albinin i largon Vuçiçi, pse s’ranë dakord…?

Edi Rama e ka yshtjen për ironi më të fortë se atë për vetëpërmbajtje. Vesin e tij ai nuk ia kurseu në konferencën e shtypit, as Albin Kurtit. Duke e etiketuar si “të ri në detyrë”, ai mëtoi të theksonte gjithë naivitetin dhe ëndërrat fluturake që ngërthen ky togfjalësh. Pasi ia ka thënë më parë edhe privatisht, gjatë takimit të tyre të mëhershëm në Tiranë, se realiteti i qeverisjes bie shpesh ndesh me poezinë e opozitës, ai u rimundua ta fusi në këtë steriotip edhe publikisht bashkëbiseduesin e tij.

Por, në fakt, divergjenca e thellë që Rama dhe Kurti shfaqën këtë të martë, ajo e mospajtimit për idenë e mini Shengenit Ballkanik, nuk ka të bëjë thjesht me ndryshimin mes një njeriu që u është nënshtruar ingranazheve të pushtetit dhe një tjetri që vazhdon inercinë idealiste të opozitës.


Ajo mbi të gjitha është thelbësore, parimore dhe patriotike.

Mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit qëndron një hendek i thellë : i pari e sheh Kosovën si mish për top për pushtetin e tij. Për këtë, ai është i gatshëm, që përkrah Aleksandar Vuçiçit, të kërkojë një zgjidhje që i vë të dy në piedestalin e liderëve të pashmangshëm të Ballkanit.

Vetëm kështu mund të justifikohen piruetat krejtësisht haluçinante, që bëjnë dhe shiun dhe diellin në fare pak kohë. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si këta dy politikanë u shndërruan papritmas nga idhtarë të zgjidhjeve me ngritje muresh, me ndarje etnike, me shkëmbime territoresh dhe popullsish, në krejt të kundërtën, në partizanë të rrëzimit të mureve, të heqjes së kufijve, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, sipas modelit të Europës së bashkuar.

Mjafton vetëm ky kapërcim i pabesueshëm, për të mos e parë Edi Ramën as si idealist, as si realist, por thjesht si oportunist.

Me Albin Kurtin e opozitës, në 22 vjet, ka ndodhur e kundërta. Ai ka vuajtur burgun serb për Kosovën e pavarur, ai ka duruar prangat e UMNIK-ut për një shtet pa enklava të dirigjuara nga Beogradi, ai është shndërruar në deputet radikal me gaz lotsjellës në dorë, për të mos dorëzuar pjesë të territorit, ai ka pasur gjithmonë një yll polar, të diskutueshëm për shumëkënd, por të panegociueshëm për të: bashkimin kombëtar.

Pikërisht këto dy modele politikanësh janë përballur në takimin e tyre të parë zyrtar në Tiranë.

Ashtu sikurse u duk edhe nga fjalët e tyre, ata nuk kanë rënë dakord. Sepse, sipas Albinit (shiko linkun e shkrimit lart) më parë duhet një “Makro- Shengen” midis vetë shqiptarëve. Ndërsa, sipas Ramës, ai nuk mund të arrihet kurrë, pa mini Shengenin, pra pa lejen e Beogradit dhe të Vuçiçit.

Ky pra është hendeku, i cili u vu re sot. Ai mes një politikani që qëndron prej 22 vitesh në pushtet dhe që e sheh gjithçka vetëm me cinizmin e përfitimit të vet personal dhe një lideri që vjen nga opozita dhe që ruan ende idealin e të folurit në emër të shumicës.

Pikërisht këtë përplasje, Edi Rama u mundua ta fshehë përmes ironisë me steriotipin e “të riut në detyrë”, duke lënë të kuptohet se koha dhe pushteti do ta transformojnë edhe Albin Kurtin.

Natyrisht askush nuk mund të vërë bast për këtë.

Por, mosmarrëveshja e sotme na tregoi një gjë: se udhëheqës si Rama, nuk mund të ndryshojnë dot më, ata kanë vetëm një shpresë, ta bëjnë edhe Albinin si vetja.

Ndërsa Kurti ende na mëkon me besimin për të dyshuar, se nuk ekziston një rrugë e vetme, se për të qëndruar gjatë në politikë nuk duhet patjetër të kalosh nga Beogradi, nuk mund t’u nënshtrohesh edhe kompromiseve më të ulta, se në fund të fundit, nuk duhet vetëm të përulesh, por edhe të besosh. /Nga Andi BUSHATI/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media