Në Shkodër dhe jo vetëm nga socialistë, votues e mbështetës të tyre, pritshmëritë për përbërjen e qeverisë “Rama 3”, ishin mjaft të larta. Më shumë se një herë, Rama por edhe kandidatë për deputetë, nga sheshet e studiot televizive, kujtuan se “kemi borxhe ndaj Shkodrës për dy mandatet e para” dhe “mandati i tretë do të jetë mandati i Shkodrës”. Deri ditën e djeshme, përveç lëvizjeve në drejtoritë rajonale, anatemimeve si “njerëz të asaj apo këtij deputet”, nuk u artikulua asnjë ide konkrete, sidomos për hapësirën “brenda vijave të verdha”.
Që Shkodra do të përfaqësohej nga të paktën një ministër, ishte thuajse “ngjarje e sigurtë” për të folur me gjuhën e probabilitetit matematik. Në 2017- ën, Rama “i mësoi keq” socialistëe shkodranë por edhe ata jashtë radhëve. Mori Senida Mesin si numri 2 i qeverisë dhe rikonfirmoi Ditmir Bushatin në krye të diplomacisë shqiptare. Edhe pse në gjysmë të rrugës i largoi nga qeveria, pritshmëritë për mandatin e dytë, ishin të larta.
Se çfarë i ofruan Shkodrës katër vitet e dyta të qeverisjes Rama, rezultatet janë të dukshme për këdo. Ndjesa publike e Ramës dhe kandidatëve të tij në Shkodër, premtimet për “mandat të tretë për Shkodrën”, janë treguesi më i mirë.
Benet Beci, një emër i njohur si teknicien gjatë qeverisjes së PD- së por edhe PS- së, duke iu besuar agjensi shumë të rëndësishme shtetërore si FSHZH dhe KESH, ishte emri më i përfolur si ministër. Si deputet por më shumë si ministër i paralajmëruar, Beci paraqiti edhe disa projekte zhvillomore për Shkodërn, sidomos brenda “vijave të verdha”. Me 2 shtator, emri i tij nuk ishte në listën e ministrave, ndërsa zëra në PS bëjnë me dije se ai “është ruajtur për një garë tjetër politike”, pas rreth 2 viteve…
Emri tjetër që përflitej për antar kabineti, ishte ai i Edona Bilalit, të cilës Rama i tha publikisht “PS të bëhet si ti dhe jo ti si PS”. Që pas 25 prillit, emri i Bilalit u artikulua shumë herë, edhe nga vetë socialistët, si “deputetja që emëronte në Shkodër”, në disa raste edhe të afërmit e saj. Ditën e djeshme, me 2 shtator 2021, Edona Bilali u prezantua si Ministre Shteti apo ministër pa portofol. Antare kabineti, por vetëm me një staf të vogël në numër, pa buxhet për investime që mund ti devijojë drejt Shkodrës. Njëkohësisht, Bilali është prezantuar edhe si kryetare e PS për Qarkun Shkodër, pozicion i ri që pritet të zyrtarizohet në vijim.
Kryeministri Rama qartas ka mbetur i zhgënjyer prej 25 prillit në Shkodër, teksa humbi 1 mandat deputeti krahasuar me zgjedhjet e 2017- ës. Përgjegjësia do të binte diku, edhe pse drejtuesi politik Ilir Beqaj, u konfirmua si antar i Kryesisë së PS- së, bashkë me Ditmir Bushatin që u shkarkua para Beqajt për mangësi organizative e rezultate, edhe pse e la qarkun e Shkodrës me 4 deputetë socialistë kur ishte drejtues politik e ministër, në një përballje publike mjaft të ashpër para 4 viteve me Tom Doshin e PSD- së.
“Siç duken bathët”, qasja e kryeministrit dhe qeverisë së tij për Shkodrën, nuk është ajo që kishte premtuar para 25 prillit. Përbërja e qeverisë “Rama 3” është treguesi i parë dhe më i rëndësishëm deri tani. Për ironi të fatit, siç e ka përcjellë ShkodraWeb edhe në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, tre nga katër emrat e parë të listës së PS- së në Qarkun Shkodër: Edona Bilali, Benet Beci dhe Ilir Beqaj, nuk ishin rezidentë apo votues në Shkodër por në Tiranë. Pra, ministrja e shtetit Edona Bilali, e shkëputuar nga realiteti i Shkodrës prej vitesh, natyrshëm me aktivitet e impenjime sipas interesit të saj, do të ulet në karrigen qeveritare, në karrigen në Kuvend në Tiranë, aty ku mesa duket jeton prej vitesh. Jo vetëm kaq, nga Tirana ajo pritet të drejtojë edhe PS- në në nivel qarku Shkodër. /Editorial nga Sokol N. SOKOLI/