Është vajza e Azem Hajdarit, figurës qendrore të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe padyshim, për 8 vite një nga politikanët më kontravers të Shqipërisë. E themeloi, e nxorri fituese, i doli kundër, u vë krye të sindikatave, ishte president i një klubi futbolli, i hoqën imunitetin. Të gjitha në një kohë relativisht të shkurtër dhe me një fund fatal me 12 shtator 1998, para selisë së partisë që vetë krijoi. Më herët, provoi edhe atentatet që e shenjestruan disa herë. E mbylli shumë para kohe karrierën politike, duke lënë pas shumë dritëhije për ekzekutimin e tij.
Nga këtu i duhej të nisej Rudina Hajdarit, e cila në 2017-ën arriti me katapult në elitën e PD-së, si pjesë e Grupit Parlamentar, ndër 43 deputetët që morën mandate. Më shumë se Rudina, e meritonte vëllai i saj Kiri përfshirjen në PD. Përveç meritave të trashëguara nga babai i tij, Kiri ka qenë mjaft aktiv në shumë lëvizje të iniciuara nga PD përgjatë viteve. Por u zgjodh Rudina, për shumë arsye dhe të mirëkuptueshme.
Gjatë këtyre viteve në parlament, nuk tregoi ndonjë aftësi të veçantë. Nuk ishte oratore, nuk ishte pasionante si i ati dhe natyrisht, nuk kishte karizmën e tij. Shkurt, ishte thjesht në deputete nga 43 të tjerë. Madje, nuhatjen politike që i mungonte, nuk u përpoq ta “stërviste” për të krijuar aftësi qasje brenda PD-së e më gjërë.
Rudina Hajdari nuk hyri rastësisht në PD por sot mund të quhet thjesht “rastësi” në këtë subjekt politik. Azem Hajdari hyri në Kuvend në përballje direkte mazhoritare, ndërsa Rudina përmes rreshtimit në një vend të sigurtë në listën shumëemërore. Kjo për të treguar se ajo duhej të respektonte vendimet politike të partisë që e ngriti në piedestal pa e merituar aspak personalisht, por thjesht si vajza e Azem Hajdarit. Gjërat duhen thënë hapur, ashtu siç qindra demokratë mbyllën gojën kur emri i saj u pa në lista si kandidate. “Nuk ka gjë, është vajza e Azemit, diçka duhet ti ketë marrë…”, tentohej të ngjallej optimizmi. Në fakt nuk i ka marrë asgjë sepse ishte shumë e vogël kur babai i saj u largua dhe përveç asaj që mund të quhet gjenetike, nuk mund ti merrte asgjë nga aftësitë e spikatura të Azemit.
Rudina Hajdari është shembull i keq edhe për të rinjtë e tjerë, madje deri dekurajues. Katapultimi i saj sjell shijen e keqe të trashëguar nga Partia Komuniste (Punës). Ata që janë mbi 40 vjeçarë kujtojnë sot fëmijët, nipat e të afërmit e dëshmorëve të luftës apo heronjve të punës socialiste, siç thuhej aso kohe. Përveç lidhjes së gjakut, nuk kishin asnjë meritë, por katapultoheshin duke vënë këmbën në kreditet e paraardhësve të vdekur në beteja me “armikun” apo në “ndërtimin e socializmit”.
Rudina Hajdari është shembull i keq sepse nuk i përket brezit të idealistëve. Për herë të parë në këto 30 vite, PD dhe deputetët e saj dhanë një provë të fortë duke u zhveshur nga të gjitha privilegjet si deputetë. U rreshtuan në shesh si qytetarë të thjeshtë ndërsa e katapultuara e PD-së Hajdari, duket se do të mbajë edhe për disa muajderi në dy vite një mandat që vetëm asaj mund ti sjellë përfitime.
Rudina Hajdari është shembull i keq sepse tregon papjekuri, pavarësisht një barre shkollë e eksperienca brenda e jashtë vendit. Tregohet deri qaramane, e llastuar teksa kërkon “mbrojtje” tek ndërkombëtarët nga një përjashtim i mundhsëm i merituar nga PD-ja pasi shkeli një vendim të partisë që e bëri deputete.
Rudina Hajdari, ti duhet të japësh dorëheqje dhe të largohesh përfundimisht nga skena politike. Unë jam askushi të të jap mend, pavarësisht se me mundësitë e mija, si mijëra demokratë të tjerë, për mbi 20 vite kam kontribuar për PD-në. Mandati yt dhe i deputetëve të tjerë, nuk është i yti sepse ti nuk mate forcat me asnjë rival direkt. Mandati është i PD-së dhe po të duash, edhe i Lulzim Bashës, vullneti i të cilit të futi në listë të sigurtë. Mund të ketë njëmijëenjë të këqija, defekte, por nuk mund ta mohosh se falë vullnetit të tij, ti sot po luan me mandatin tënd. Ti nuk ke nevojë për para, pasuri. Nuk ke nevojë as të bëhesh e famshme sepse e ke nga mbiemri yt sot dhe ajo që vetë mund të arrish nesër. Nuk ka as pushtet këto vite mandat që të kanë mbetur që të realizosh ndonjë endërr tënden.
E në fund krejt, një këshillë nga një emigrant ekonomik. Largohu sepse po qendrove, rrezikon të kthesh në zero edhe kreditet e pamohueshme që babai yt Azem Hajdari la në PD për 8 vjet. Hapi krahun dikujt tjetër, ndoshta edhe vëllait tënd, Kirit. Mbase duhet ta kishe bërë atëherë kur të gjithë kujtuam…gjatë protestës së studentëve! Atëherë do të njiheshe tamam si vajza e Azem Hajdarit! /Nga Sokol N. Sokoli/