Edhe vetë e di se nuk mund të jetë opozitë. Pa kaluar të paktën dy teste para shqiptarëve, një vendor dhe një parlamentar. Megjithatë, Astrit Patozi është i vendosur të shkojë drejt 30 qershorit. Më shumë se “bindje” e tij, është një revansh i tipit “për inat të vjehrrës shkoj e flej me mullixhinë”.
Askush nuk e beson se Patozi do të bëjë ndonjë “boom”. Kaq pak kohë nuk ka patur në dispozicion as miliarderi Silvio Berlusconi kur zbriti në politikën italiane në 1994 dhe fitoi zgjedhjet me “Forza Italia”. E si mund të arrijë sukses Patozi pa asnjë dyshkë të dyshimtë në xhep?
Por edhe nëse do të ketë një farë suksesi, nuk do të jetë i tij dhe i “Bindjes” së tij por si një bonus i mazhorancës për shërbimin si fasadë- opozitë me 30 qershor. Edhe nëse nuk do të jetë kështu, nuk do ti shpëtojë paragjykimit të arsyeshëm.
Astrit Patozi nuk e ka strukturuar partinë. Madje, me regjistrimin në KQZ shpalli edhe fushatën e antarësimeve. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë fushatë, nëse të tjerët nuk i “dhurojnë” elektorat për të mbushur sallat. Edhe nësë ndonjë “kryebashkiak i djathtë” aktual, do të tentojë të kandidojë duke iu atashuar “Bindjes” së Patozit, vështirë të krijojë alibinë e besueshme për elektorat të “BD”- së.
Denoncimet për falsifikim të firmave nga të paktën 11 persona, tregojnë se ka patur ngutje për krijimin e “Bindjes Demokratike”. Sepse Patozi nuk ndoqi as shembullin e “Zgjidhjes” së Kokëdhimës, i cili natyrisht ka shumë më tepër para se kreu i “Bindjes” por nuk u fut në zgjedhjet e 2017-ës, edhe pse i kishte mundësitë edhe ligjore.
Fatkeqësisht, “Bindja Demokratike” nuk po shfaqet si një krijesë e ardhur natyrshëm në krahun e djathtë të politikës. Më shumë ka nisur si një “mish i huaj”, diku në organet e frymëmarrjes së PD-së që tenton ti lëhtësojë nga ana tjetër, frymëmarrjen PS-së.
Çuditërisht, “Bindja” erdhi në jetë sipas mënyrës së vjetër të politikës sonë, edhe pse është parti e re. Falsifikimet e firmave, dyshimet jo pa baza për lindje me mbështetje nga mazhoranca, aludimet se po përdoret si fasadë e Edi Ramës, po e ndotin që në hapat e parë “Bindjen”.
Por për çdo gjë, në çdo kohë, ka një mundësi për të riparuar. Korrigjimi më i mirë do të ishte tërheqja nga gara e 30 qershorit si fillim. Më pas, terheqja e dokumentacionit të themelimit nga gjykata dhe rishikimi i plotë, për të eleminuar të gjithë ata që rezultojnë firmëtarë pa dëshirën e tyre. E në fund, të nisë një proces organizimi dhe shtrirje të natyrshme në vend, si një test i parë i mbështetjes popullore për të pritur gongun e rradhës për përfshirje në zgjedhje.
Si mund të justifikohej? Fare thjeshtë, me firmat e falsifikuara të themeluesve, duke dhënë një shembull të qartë se “Bindja” kërkon të vijë si një parti ndryshe. Sepse është e qartë se askush nuk dyshon se ka qenë Patozi ai që falsifikoi firmat, është e kuptueshme se ka një komision për mbledhjen e tyre dhe mund të bëhen edhe gabime.
E nësë vazhdon në këtë rrugë të ka nisur, “Bindja” nuk është asgjë tjetër, por si partitë “e vjetra”. Ose për ta thënë me gjuhën e popullit, “Bindja” dhe çdo parti tjetër, janë aq të ngjashme sa “merr një m#t e ndajë përgjysëm”. /Shënim i ShkodraWeb/