ANALIZA – Propaganda me anti- KÇK si puna e hirit që kërkon të mbulojë atë të maces…

Pakkush në botën e civilizuar mund ta hamendësonte se një togfjalësh i një kryeministri, “Kap Ça të Kapësh”, sipas gjasave t thënë pa u menduar shumë, do të kthehej jo vetëm në kryetemë të aktualitetit prej muajsh, por edhe në një akt normativ të qeverisë, duke i dhënë pamjen e një ligji të fortë. Nuk është çudi, që pasi të testohet si akt normativ, “anti- KÇK” të miratohet nga “ndërmarrja” e kryesuar nga Gamoz Ruçi dhe si ligj.


Edi Rama nuk i beson “drejtësisë së re” që po ai vetë po e “sistemon”. Të paktën, nuk i beson plotësisht ose brenda saj kanë depertuar edhe individë që nuk ishin parashikuar ose që “mund ti prishin punë”.

Ajo që vihet re tjetër, pa u dashur të futemi në detajet e aktit normativ, është mungesa e konsultimit të një dokumenti shumë të rëndësishëm me BE-në dhe me SHBA-në, siç e kanë pranuar vetë përfaqësuesit diplomatikë në vendin tonë.

Përplasja e pritshme në mes institucioneve por edhe kompetencave ligjore, është diçka që do të vihet re shumë shpejt, sapo akti normativ të nisë zbatimin.

Dhënia e kompetencave Policisë së Shtetit, pa patur një garant në momentin e parë të zbatimit të tyre, është një tjetër shkelje që nuk është e vështirë të kuptohet, edhe pa qenë jurist.

Por ajo që është më e rëndësishmja, lidhet me propagandën, atë që “anti- KÇK” po përpiqet të mbulojë.

Le të flasim konkretisht. Të paktën 6 kryebashkiakë të PS-së, janë miminalisht me “hije” në biografinë e tyre. Për disa, janë publikuar dokumente nga vendet përendimore, për të tjerë ka kërkesa nga opozita për verifikim nga Prokuroria. Njëri prej tyre është në kërkim policor dhe pritet të gjykohet. Pa folur për të tjerë që, sipas opozitës, po verifikohen për të shkuarën e tyre kr.iminale. A nuk do të ishte mirë që “anti- KÇK” të niste aktivitetin, bashkë me trupat OFL – Operacioni Forca e Ligjit, duke patur si “lëndë të parë” pikërisht këta kryebashkiakë?! Sepse janë pushtetarë në nivel lokal dhe me mbrojtje politike. Do të ishin shembulli më i mirë për paanshmërinë e “anti- KÇK”.

Janë të paktën dy dosje, 184 dhe 339 (të cilat duket se janë më shumë, të evidentuara me fraksione) për vjedhjen e manipulimin e zgjedhjeve në këtë vend. Zgjedhjet janë themeli i një sistemi demokratik dhe me zë është e provuar se nivelet më të larta të këtij shtet, janë përfshirë në zollume. A nuk do të ishte më e mirëpritur nëse “anti- KÇK” do të vepronte pikërisht në këtë drejtim?!

Ka dy afera ndër qindrat që ky akt normativ mund të hulumtojë. “Unaza e Tiranës” dhe “Rruga e Balldrenit”. A do të ishte e mundur që kjo “anti- KÇK” të merrej pikërisht me pjesën e padukshme të këtyre aferave me vlerë disa qindra milionë euro?

Por jo, edhe “anti-KÇK”, si çdo gjë tjetër në këtë vend, nis me selektivitet, me përzgjedhje. Rama ka vendosur të mos e nisë nga nivelet më të larta, nga skandalet më të mëdha e nga personazhet më VIP. Ai do të nisë kontrollin e vilave e makinave luksoze në të gjithë vendin, do tu kërkojë bankave të dhëna për paratë e depozituara dhe të gjitha subjektet e këtyre verifikimeve “do të kenë 48 orë kohë për të vërtetuar pastërtinë e pasurisë së tyre”. E gjithë kjo, në një vend ku informaliteti është ulur këmbëkryq prej 30 vitesh, ku paratë kanë hyrë e kanë dalë nëpër dogana pa u deklaruar edhe kur janaë fituar me djersë, ku pjesa më e madhe e blerësve nuk tërheqin akoma kuponin në kasë e për ta mbyllur, me mijëra shqiptarët që po largohen nga ky vend pa patur akoma trysninë selektive të “anti-KÇK”.

Është e sigurtë se “anti-KÇK” do të godasë. Do të godasë me përzgjedhje dhe vetëm “peshqit e vegjël” dhe ata në periferi të pushtetit aktual. Sepse nuk ka si ndodh ndryshe, moti i mirë shihet në mëngjes. Edhe diçka e fundit. Pjesë e verifikimit nga “anti-KÇK”, do të jenë edhe mediat. Duke nisur nga ato online, deri tek tradicionalet e mëdha. Natyrisht, do të cënohen vetëm ata që janë jashtë rreshtit. Pronarët e tyre, më saktë. Uroj të jem i gabuar, por këtu do jemi…nëse nuk na thërret emigracioni deri atëherë! /Nga Blerti DELIJA/

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!