ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Presidenti Meta “pa frena”, kreu i shtetit duket se po e nxit shkarkimin apo…dorëheqjen

Nuk është e qartë nëse e konsideron faqen personale apo të Presidentit të Republikës. 48 orët e fundit, postimet e Ilir Metës në Facebook e kanë vënë përballë kryeministrit dhe mazhorancës si opozitar. Videot dhe fotot, të publikuara edhe në minutat e fundit, lënë shijen sikur Meta po kërkon të vetë përshpejtojë shkarkimin nga President i Republikës. Betimi me dorën mbi Kushtetutë në 2017-ën, e detyron kreun e shtetit të qendrojë mbi palët dhe simbol i unitetit të popullit. Qartas, sot Presidenti i Republikës po anatemon votimet e 30 qershorit, madje me përcaktime të qarta e publike si “votime socialiste”, “hero i votave socialiste”, “Kuvendi socialist” etj.

Loading...

Duke qenë tanimë i përfshirë në një proces hetimi fillimisht e më pas shkarkimi nga Kuvendi, Meta është paragjykuar si i anshëm para 10 qershorit kur me një dekret të dytë presidencial, “mbyti” 30 qershorin si datë e zgjedhjeve vendore. Nga mazhoranca qeverisëse, kreu i shtetit thuasje e linçua sidomos pas dekretit të dytë, të shpalljes së zgjedhjeve vendore me 13 tetor- dekret që nuk dihet nëse konsiderohet i vlefshëm teksa nuk është botuar në Fletoren Zyrtare si ai i 10 qershorit.

Meta ka deklaruar publikisht se do të jetë ne detyrë deri me 24 korrik 2022, data e mbarimit të mandatit të dytë, një tjetër sfidë për shumicën që qeveris vendin. Sipas gjasave, me nisjen e shpalljes zyrtare të rezultateve të 30 qershorit nga KQZ, reagimi publik i Metës do të shtohet. Duket i pakuptimtë lëvizja “pa frena” e tij, jo vetëm duke u futur në “zonën e opozitëbërjes politike”, por duke qenë edhe kryeopozitar.

Natyrisht, askush nuk e pengon kreun e shtetit të shprehet edhe thjeshtë si Ilir Meta, politikan i stazhionuar dhe ndër historikët e Shqipërisë, i vetmi që në 29 vite provoi postin e kryeministrit, kryetari të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.

Nga ana tjetër, ai në asnjë moment nuk mund të zhvishet nga “kostumi” që i veshën me 24 korrik 2017, mbase edhe pa dëshirën e tij. Po ashtu, Kushtetuta parashikon, siç e ka pranuar edhe vetë Meta, se Presidenti “flet” me dekrete, normalisht, edhe me mesazhe dërguar institucioneve.

“Piazza” e Presidentit në këndvështrimin tonë, po ulet ndjeshëm dhe rruga drejtë të cilës ai po ecën, ka vetëm një finish: Shkarkimin e tij nga Kuvendi i administruar nga PS dhe të tjerë që nuk janë zyrtarisht pjesë e opozitës! “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të dalë sot në një konferencë për shtyp në ora 11:00, në ambientet e Institucionit, për votimet socialiste të 30 qershorit”, është njoftimi më i fundit i Presidencës lidhur me daljen e rradhës para mediave të kreut të shtetit.

Nuk është e vështirë të kuptohet se Meta nxiton të dalë nga Presidenca drejt opozitës jashtë parlamentare. I shkarkuar apo i dorëhequr, për atë vetë, nuk ka shumë rëndësi! Strategjia? E gjithë piramida shtetërore, nga institucionet kushtetuese deri tek këshillat bashkikë, ti lihet në dorë një force politike. Më saktë, një individi, sipas perceptimit të Presidentit të Republikës. /ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.