Përditë e më shumë rrjetet sociale po kthehen në platformat e preferuara për tu informuar. Jo vetëm në formatin tekst, pra të shkruar por edhe atë audio- video. Ndër të parët që pati largpamësinë për ta kuptuar, ishte Edi Rama. Pas fuqizimit me mbi një milion e kusur ndjekës në Facebook, kryeministri i dha jetë televizionit të tij privat ERTV- Edi Rama Televizion.
Natyrisht, asgjë nuk është e rastësishme. Edi Rama e kuptoi se teksti dhe fotoja, nuk janë mjaftueshëm për të arritur tek ata që ka dëshirë ti informojë apo edhe manipulojë mediatikisht. E përveç “syrit”, vuri në funksion edhe “veshin” duke lindur krijesën e tij ERTV.
Teknologjia nuk është dhe nuk mund të jetë më domein i një individi, qoftë ky edhe kryeministri i plotfuqishëm me emrin Edi Rama. Platformat sociale, shumë lehtë mund të kthehen në media sociale me akses të gjërë tek “populli i internetit”. E kështu, me shumë pak para, prenotohet një hapësirë në një nga miliona serverat që ekzistojnë në botë dhe “voila”, lind një portal që fillon kështu një minimedia. Krijimi i një profili dhe një faqeje në rrjetet sociale është totalisht falas deri tani dhe po pate mundësi financimi vetë apo nga “dikush” pas teje, ndërtohet një media online jo pak e rëndësishme.
Po pse Edi Rama e ka “kunjin” me portalet?
Është e thjeshtë! Po i hyjnë në “hise”, në atë që kërkon ta ketë si monopol të vetin: Komunikimin përmes rrjeteve sociale! Kjo e para. E dyta, duke qenë se janë shumë (aktualisht numërohen mbi 800 në Shqipëri që prodhojnë, shpërndajnë e rishpërndajnë informacion), është e vështirë të bllokohen e aq më pak “të futen nën sqetull”. Me mënyrat e njohura, me të cilat thuajse të gjitha mediat tradicionale, “i ka futur në thes”. E treta, informimi përditë e më shumë, po kërkohet përmes celularëve inteligjentë dhe me një aplikacion që shkarkohet po falas në smartphonë, edhe njoftohesh për lajmet e reja. Ndryshe nga televizionet, të cilat duhet të jesh përballë tyre që të informohesh.
Pse është e destinuar të dështojë përpjekja e kryeministrit për ti mbyllur gojën rivalëve të ERTV-së?
Ndjeshmëria legjitime e gazetarëve dhe shoqatave të tyre e të mbrojtjes së lirisë së shprehjes, është e mirëkuptueshme. Por në finale, Edi Rama nuk do t’ia arrijë qëllimit dhe do të mbetet në histori si “bubazheli” i rrjeteve sociale duke bërë thjesht një…vrimë në ujë.
Pjesa dërrmuese e portaleve, janë të hostuara jashtë vendit, në servera ku kryeministrat e atyre vendeve, nuk kanë një ERTV që të tremben nga disa portale “kryeneçe” apo edhe në sherbim të rivalëve të kryeministrave. Mbyllja e tyre, në momentin kur zbatohen rregullat e këtyre vendeve, praktikisht është e pamundur. Edhe nëse bllokohen IP-të fillestare, kompanitë mund të ndryshojnë adresat virtuale. Duke ruajtur të njëjtin emër të portalit, maksimumi duke ndryshuar nga.COM, në .NET apo qindra prapashtesa që shtohen përditë. Edhe nëse tentohet bllokimi përmes adresës së mailit ku është bërë regjistrimi fillestar, qpo edhe përmes një emri konkret individi, bota e madhe e internetit jep mundësi për krijim miliona mailesh dhe janë mbi 4 milion shqiptarë që zotërojnë nga një letërnjoftim elektronik. Edhe nëse kjo nuk arrihet, thjeshtë merret një adresë tjetër, madje duke vazhduar të ruash edhe çdo informacion që ke krijuar, mjafton ta lidhësh për shpërndarje në rrjetet sociale ekzistuese.
Kryeministri do ta ketë disi më të lehtë fillimisht me portalet që përfundojnë me .AL dhe që janë në zotërim të AKEP-it qeveritar. Por edhe për ato, vlejnë të njëjtat rregulla si më sipër. Mund të mbyllen ato me .AL dhe të hapen miliona me prapashtesa të tjera, duke vijuar të funksionohet normalisht.
Për të mbyllur portalet, Edi Rama ka vetëm një rrugë: Të bindë Mark Zuckenbergun e Facebook apo “markët” e tjerë të rrjeteve sociale që ti shërbejnë qëllimit të tij, duke mbyllur profilet e faqet që shpërndajnë informacionin e portaleve. Ose rruga tjetër, më e thjeshtë, nën shembullin e Koresë së Veriut, të bllokojë në të gjithë Shqipërinë, përmes IP-ve, Facebook, Twitter e të gjtha rrjetet e tjera sociale. Nëse do t’ia dalë, jo në Europianin e 2020 (sepse e dimë se jemi eliminuar nga faza finale) por në Botërorin e 2022-it, të gjithë shqiptarëtdo të festojnë se Shqipëria u shpall kampione bote duke mundur në finale Brazilin 4 – 0. Është një “film” që e kemi parë, por serinë e dytë mund ta shohim shqiptarçe. /Nga Blerti DELIJA/