Një vendim i papritur, në pamje të parë një lëshim i fortë për Edi Ramën. Kështu mund të komentohet në nisje vendimi i PD dhe LSI për të paraqitur kandidaturat e tyre për antar në KZAZ-të e vendit. Është një e drejtë ligjore që ua jep Kodi Zgjedhor dy partive kryesore opozitare, ndërsa në gjysmën e KZAZ-ve opozita do të ketë shumicën e antarëve.
Sapo u publikua lëvizja më e fundit e opozitës, nisën edhe komentet. Shumëkush e sheh thuajse një përsëritje e 2017- ës, aq më shumë kur nesër data shënon 17 maj. Kjo, edhe pse PD me një njoftim zyrtar në rrjete sociale nënvizoi: “Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshëmritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit.”.
Pas këtij sqarimi të PD-së, natyrshëm lindin disa pyetje: Pse PD nis interesohet për një proces zgjedhor, pjesëmarrjen brenda të të cilit e ka refuzuar publikisht? Pse i intereson opozitës të pengojë regjistrimin e paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie në një proces që nuk e njeh dhe nuk merr pjesë? Pse opozita shqetësohet të vertetojë se Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime kur çdo ditë ekspotentë të saj, artikulojnë dosjet “339” dhe “184” ku gjykata ka në dorë prova për manipulime të proceseve të kaluara? Për çfarë sherben faktimi i paligjshmërisë të kryer në KZAZ nga përfaqësues të Edi Ramës, kur opozita nuk do të garojë me 30 qershor? Të gjitha duken pyetje retorike dhe të gjitha kanë një përgjigje: Opozita nuk futet në KZAZ për të garantuar procesin zgjedhor!
Me këtë lëvizje, opozita synon vënien nën kontroll të procesit zgjedhor, duke qenë pjesë e tij. Pra, një vënien nën kontroll brenda kuadrit ligjor. Siç thamë më sipër, në gjysmën e KZAZ-ve, opozita është shumicë. Pra, e kontrollon totalisht procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas 30 qershorit. Edhe në KZAZ-të e tjera, duke qenë pjesë legjitime, ka njëmijë e një mekanizma për të bllokuar.
Nuk ka asnjë dyshim se PD dhe LSI, me komisionerët e tyre, fillimisht në KZAZ por më pas edhe në Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Grupet e Numërimit, ka mundësi të kontrollojë në mënyrë legjitime procesin, pa rrezikuar “penalitete të Kodit Penal” siç e kërcënoi Rama para disa kohëve. Edhe vetë Policia, në këto kushte është e pafuqishme të ndërhyjë sepse duhet që kerkesa të miratohet nga kryetari e nënkryetari i KZAZ-së apo i KQV-së, ku njëri është i opozitës, tjetri i mazhorancës.
A është kapur i papërgatitur Edi Rama nga lëvizja e papritur e opozitës? Askush nuk mund ta thotë, edhe pse në fakt, nuk ka asnjë instrument në dorë për të reaguar. Papritur, do të jetë opozita ajo që do të drejtojë lojën në procesin zgjedhor. Realisht tani, Rama është totalisht i pafuqishëm të ndikojë. Me opozitën pjesë ligjore e administrimit, procesi zgjedhor mund të shkojë më lehtë drejt dështimit. Mund të ndodhë para, gjatë apo pas 30 qershorit? Kjo mbetet të shihet! Por tashmë opozita e ka një skenar dhe “akti” i parë ishte sot! /ShkodraWeb/