Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është kapur zyrtarisht në gënjeshtër, për të mos përdorur termin “mashtrim publik”. Figura më e rëndësishme publike në këtë qeveri pas kryeministrit, ka thënë të pavërteta lidhur me origjinën e gazit lotsjellës që u hodh pa teklif mbi shqiptarët që protestonin.
Pavarësisht se ish- gjeneral, i veshur me petkun e politikanit si ministër i brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar publikisht se “… për sa i përket gazit lotsjellës në konceptin buxhetor ne e kemi gjetur nuk e kemi blerë. Atë e hedh policia. Jam dakort me ju që është hedhur shumë, por ama janë shmangur plumbat…”.
Në fakt, ky pohim përmbledh në vetvete gjëra të rënda. Më e rëndësishmja, një ministër i brendshëm pranon publikisht se është hedhur shumë gaz lotsjellës ndaj bashkëqytetarëve të tij. Më i rëndë bëhet ky pohim, kur kemi parasysh se nuk bëhet fjalë vetëm për një përdorim dhe “ajo që ndodhi, ndodhi”. Ai është përdorur në dhjetra, mbase qindra raste. Madje, edhe në hapësira të mbyllura siç ishte rasti i protestës së zhvilluar në Shkodër në Pedonalen e qytetit, një rrugë e ngushtë, e mbyllur në mes ndërtesave.
Por mjaft i rëndë është edhe pohimi tjetër (gënjeshtër në fakt), se “… për sa i përket gazit lotsjellës në konceptin buxhetor ne e kemi gjetur nuk e kemi blerë”.
Një investigim i Insajder, i vërtetuar edhe nga Policia e Kosovës, saktëson se gazi lotsjellës nuk është gjetur por është sjellë nga Kosova. Policia e Kosovës pohoi sot se ka qenë një marrëveshje në mes dy ministrive të brendshme dhe prodhuesit. Jo vetëm me këtë deklaratë, por edhe të tjera ministri i brendshëm ish- gjeneral, ka bërë edhe politikë. Ai ka thënë se është përdorur gazi lotsjellës i blerë nga qeveria Berisha pas 21 janarit 2011.
Sipas investigimit të Insajder, gazi lotsjellës ka qenë “dhuratë” e presidentit Thaçi për partnerin e tij në Tiranë Edi Rama.
Pas këtij investigimi dhe pohimit të Policisë së Kosovës, në një vend normal, gjëja më normale do të ishte dorëheqja e ministrit të brendshëm, i kapur zyrtarisht në mashtrim të publikut. Jo vetëm kaq, por edhe duke u bërë pjesë e lojës politike e ndjeshmërisë qytetare me futjen në lojë të një ngjarje tragjike si 21 janari 2011. Ti shtosh kësaj edhe hedhjen e vetëdijshme me shumicë të gazit lotsjellës ndaj protestuesve, pohuar nga vetë ministri i brendshëm, dorëheqja do të ishte më e pakta për Sandër Lleshajn.
Por a do ta japë dorëheqjen ministri i brendshëm?! Përgjigjen e dinë të gjithë shqiptarët! /Shënim i ShkodraWeb Media/