ANALIZA – Paratë e rindërtimit nga termeti do ti paguajnë shqiptarët, kryeministri do të marrë përfitimet e tjera…

Mjaftuan vetëm pak orë që “tullumbacja” jo vetëm të shfryhej por edhe të shpohej. “Lavdia” personale e kryeministrit në thithjen e “donacioneve” për rindërtimin e vendit pas pasojave të termetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, po kthehet në një hall shtesë për Shqipërinë e shqiptarët.


Specialistët e ekonomisë kanë sqaruar se 885 milion “të dhuruara” janë kredi që premtuara. Më saktë, borxhe që Shqipëria i merr në ente e shtete të ndryshme për ti shlyer. Ajo që mbetet nga 1.15 miliardë euro, janë në formën e dhuratës së vërtetë. E gjithë kjo shumë e stërmadhe, peshon mbi borxhin e jashtëm të vendit tonë dhe më drejtpërdrejt rëndon mbi shqiptarët, ata që kanë lindur dhe ata që duhet të lindin. Më shkurt, kryeministri ynë nuk ka asnjë meritë sepse thjeshtë i shtoi shqiptarëve edhe disa qindra euro borxhe për kokë.

Kjo do të ishte gjysma e të keqes. Do të vazhdojmë të paguajmë “suksesin” e sotëm të kryeministrit edhe kur ai të mos jetë më në politikë. Ai mund të jetë në pension apo edhe në një jetë më të mirë, por shqiptarët do të duhet të duhet të paguajnë për “suksesin e pashoq” të 2020-ës së kryeministrit të tyre “largpamës”.

Kur futesh në një bankë për të marrë kredi, pyetja e parë është lidhur me interesin që duhet paguar dhe për sa vite. E në finale, sa duhet paguar më shumë nga shifra që të krediton banka. Më thjeshtë, dje kryeministri siguroi kredi 885 milion euro por sa milionë mbi këtë shumë duhen paguar dhe brenda sa viteve duhen shlyer borxhet? Këtë nuk e di askush, as edhe vetë kryeministri. “I plotfuqishmi” i tij për rindërtimin Ahmetaj, ka përmendur si interes jo më pak se 2% dhe një afat jo më pak se 15 vjet. Interesi 2% mund të konsiderohet mjaft i favorshëm por matematika 885.000.000 x 0,02 x 15 vite = 265.500.000 milion euro më shumë duhen paguar. Pra në total, shqiptarët duhet të paguajnë për 15 vite 1.15 miliardë euro. Nëse afati i kredisë do të jetë më shumë se 15 vjet, sigurisht që shuma do të rritet.

E fundit, por jo nga rëndësia. Mijëra shqiptarët e mbetur në qiell të hapur pas termetit, duan një orë e më parë të kenë një çati mbi kokë. 885 milion euro janë premtuar nga kreditorët por kur do të bëhen efektive, të lëvrueshme, nuk dihet. Sepse janë shtetet përkatëse, entet financiare që duhet ti miratojnë dhe për këto, ka procedura. “I plotfuqishmi” i kryeministrit tha se procedurat do të përmbyllen brenda 2 viteve, në rastin më të mirë.

Morali: Paratë e rindërtimit nga termeti do ti paguajnë shqiptarët, kryeministri do të marrë përfitimet e tjera… Dhe nuk po flasim vetëm për përfitime financiare në këtë rast! /Nga Blerti DELIJA/