ANALIZA – “Opozita e re” që po luan lojën e vjetër të Ramës për mandatin e tretë, pse pranon “t’ia fut vetes”…

“Puna e listave të hapura ishte lojaaaa”, do të thoshte sot për kërkesat e “opozitës së re” i madhi Ndrek Luca për nëse do të ishte mes nesh fizikisht. Sepse është e qartë, të gjithë ata që sot janë në ulëset e Kuvendit, të futur nga listat e PD-së dhe LSI- së, kanë zero shanse të rikthehen sërish në zgjedhjet parlamentare të rradhës. Madje, ata me nismën e tyre kundër koalicioneve parazgjedhore, po punojnë për këtë, kundër interesit të tyre por natyrisht, në interes të Edi Ramës.

Mjafton të njohësh aritmetikën e fillores për të kuptuar se pse “opozita e re” parlamentare, po luan kundër interesit të vet duke kërkuar ndalimin me ligj të koalicioneve parazgjedhore.


Që të gjitha partitë politike, me përjashtim të PD-së, PS-së, LSI-së dhe ndonjë tjetre, janë parti me “një furgon elektorat”. Votat e tyre numërohen lehtësisht me gishtat e duarve e në raste të veçanta, mjaftojnë gishtat e këmbëve për të nxjerrë rezultatin e tyre. Sigurisht, metaforë por këto 30 vite kanë treguar se kan arritur të marrin qindra vota, shumë larg kufirit 10 mijë që mesatarisht duhen për të prodhuar një mandat në Kuvend.

Ndryshe do të ishte nëse të gjitha votat e “të voglave” do të futeshin në një “thes” me emrin koalicion parazgjedhor. Qoftë në nivel rajonal apo edhe kombëtar, mund ti afroheshin pragut për të marrë ndonjë deputet liste. Edhe nëse jo, të grupuara bashkë, mund t’u imponoheshin disi edhe subjekteve të mëdha, duke marrë si bonus apo qokë, ndonjë ulëse në parlament.

Po pse po e bëjnë këtë “gabim” partitë e vogla që përfaqësohen sot në Kuvend me deputetë të dalë nga listat e PS-së?

Sa më sipër arsyetuam, mjafton të kuptojmë se nuk po merakosen aq shumë për vete sa për Edi Ramën dhe realizimin e ëndrrës së tij për një mandat të tretë qeverisës.

PS- ja, sidomos me ardhjen në drejtim të Edi Ramës, e ka trend të pashmangshëm realizimin e sondazheve për mbështetjen që gëzon në elektorat. Nuk është vështirë të kuptohet se Rama e ka davanë të humbur përballë koalicionit opozitar të kryesuar nga PD-LSI. Këtë duhet t’ia kenë thënë Ramës ekspertët e tij të sondazheve.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që sondazhet, ta kenë nxjerrë PS-në si forcë të parë politike në vend. Është e kuptueshme deri diku, teksa ka 7 vite në qeverisje të vendit dhe “rastësia” e realizimit të sondazheve, nuk përjashton në sondazhe administratën që paguhet nga qeveria apo pushtetit vendor, i cili prej një viti është njëngjyrësh.

Atëherë çfarë duhet bërë për të minimizuar rrezikun teorik të paktën të humbjes në zgjedhet e rradhës?!

E thjeshtë, të pengohet unifikimi i votave të opozitës së bashkuar në një koalicion zgjedhor. Pak a shumë siç ndodhi në zgjedhjet politike të 2017- ës, kur nuk pati koalicione dhe Rama mori “timonin” i vetëm me 74 mandate në Kuvend.

Nuk ka dyshim që kaq vota, Rama nuk mund të marrë as në ëndrrën më të mirë të mundshme. Por nën shembullin e Vetëvendosjes në Kosovë, mendon se mund të joshë me ofertë pushteti ata që mund të kenë mandate plotësuese për të kaluar pragun e 70 mandateve për krijim qeverie. “Aleancat fluide” janë të njohura në këtë vend dhe nuk do të ishte çudi që Rama, me mjetet pafund në dispozicion nga kulaçi tek kërbaçi, t’ia arrinte. Sepse Kosova dha edhe shembullin tjetër, forca e parë e votuar del në opozitë përballë një koalicioni të inicuar nga forca e dytë më e votuar në vend.

E për të realizuar këtë skemë, Rama ka futur në lojë “opozitën e re”, e cila çuditërisht pas “listave të hapura” (për të cilat parimisht vështirë të mos ketë dakortësi), nxorri nga mënga edhe “koliacione parazgjedhore jo”.

Ajo që nuk kuptohet në këtë skenar lehtësisht të kuptueshëm dhe të shkruar keq nga autori, është përfitimi i mundshëm i “opozitës parlamentare” që ia fut vetes me dëshirë me këtë kërkesë- kusht.

E për ta mbyllur, një herë e një kohë, pas vitit 1990, kur duhej të miratohet me shumicë të cilësuar një president dhe mazhoranca e kohës nuk i kishte votat, thuhej se vota e një deputeti të vetëm u ble 500 mijë euro. CASH apo me bonuse nuk di ta them, por është pranuar publikisht në një nga emisionet “Eureka” në Shkodër se “mund të kishte ndodhur”, nga një deputet i asaj kohe që më pas u bë edhe kryekomunar… /Nga Blerti DELIJA/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media