Teksa është përcjellë lajmi i regjistrimit të disa emrave, marrë nga regjistrat e gjendjeve civile të vendit, të qyteteve e fshatrave të Shqipërisë për t’u shënuar në listën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e opozitës, në kakofoninë e tingëllimit të lajmeve politike, u ndala pa dashje nja një minutë në ERTV (Edi Rama televizion), njërin nga zërat e çuditshëm e të pakundgjenshëm publikë përpos se në këtë atmosferën ku ne frymojmë, të ndotur me gjithfarë zërash, mbarë e mbrapsht. Një qytetar, një burrë kund pak mbi të gjashtëdhjetat, i mirëveshur, i mirëmbajtur e i rregullt, që të jepte përshtypjen e një ushtaraku me karrierë të mbyllur, a ndonjë punonjës i hershëm agjitpropi [shkurtim i togfjalëshit agjitacion e propagandë] partie, i cili u prezantua në platformën “Shqipëria që duam” e zotit Edi Rama.
Dukej i lumturuar e gati i ekzaltuar se ai kishte zgjidhë një hall komunal me faturën e ujit a të dritave; i ishte korrigjuar një shtesë fiktive në shifrën për t’u paguar, një akt ky që entet vjedhëse të OSHE-së dhe Ujësjellësve e bëjnë rëndom me ne qytetarët. I ftuar nga platforma, domethënë nga zoti Kryeministër, ai i kumtoi atij lajmin e gëzueshëm se brenda 10 ditësh, me ndërhyrjen e platformës (lexo Kryeministrit) atij i ishte korrigjuar shifra e gabuar në faturën e ujit. Dhe kumtin e tij, në takimin deklamativ, nën praninë e pafundme të kamerave, ai e filloi kështu: “Është e rëndësishme të korrigjohet përshtypja e gabuar për administratën…” Dhe kumti ishte i ngjyrosur me gjithë vezullimet që ia kërkonte rasti e platforma… E pamundur të mos ndërroje kanal, po ku të ndalje…!
Nuk ka se si të bajatizohet më shumë se kaq propaganda si qëllim e synim themelor i mashtrimit të publikut! A mund të fyhet më shumë se kaq inteligjenca e njeriut? Edhe në kohën e regjimit, kur propaganda ka qenë e konstitucionalizuar ka pasur më shumë finesë se kaq. Dhe nuk ka qenë kaq e rëndë e mbytëse, gjithashtu. Zoti Edi Rama, propagandën e ka kthyer në akt, propaganda e ka dubluar prej kohësh qeverisjen. Këtu propagandohen realizime të pandodhura si akte të qeverisë. Propagandohet rritja e mirëqenies kur e shumta e familjeve nuk mbyllin javën me të ardhurat që kanë, flitet pa u ndalur për mirëqenie kur të rinjtë ia mbathin nga sytë këmbët. Ikin dhe duan të ikin, se nuk rrihet këtu. Se nuk jetohet këtu, thonë. Se këtu ka korrupsion, ka vjedhje shtetërore e shumë varfëri e nuk ka drejtësi, thonë. E propaganda shfaq veç lumturi. Dhe për këtë nuk kursehet as përdorimi i njerëzve. Njerëzve si kavje politike, me të cilat eksperimenton heqimi-mjeshtër i propagandës. Njerëz që vetësakrilegjohen për heqimin shpëtimtar-propagandist. Të mjerët ata për veten e tyre. Mjerë edhe të tjerët që janë të detyruar të shikojnë, të dëgjojnë e le të bëjnë sikur i besojnë ato.
Po le të kthehemi pak te fillimi i këtyre radhëve të këtij shkrimi. Te kumti që zoti Kryeministër ka dhënë për ndërtimin e opozitës së re në Parlamentin e tij. Ka thënë se me ata deputetët rishtarë, që si dele të buta po hyjnë atje një e nga një, do të vijojë reformat (se për ç’reforma e ka fjalën, nji zot e din). E kështu radha e “reformatorëve” ka filluar e po përvijohet. T’i rendisësh me emra…është e pamundur. Sepse, saktësisht emrat ua dinë vetëm regjistrat e gjendjes civile ku janë regjistruar për herë të parë. Më përtej, zor se përveç tyre për veten, ndokush tjetër mund të na bëjë me dije ndonjë kontribut të tyre publik. Porse kjo “porkeri” nuk e lehtëson aspak as zotin Lulzim Basha, liderin e opozitës reale. E as asnjërin nga kryetarët e partive opozitare sot.
Kjo gjindje anonime me rishtarë që duan të bëhen me patjetër deputetë është në atë listën e rëndësishme të shkruar prej vetë kryetarëve. Vetëm kryetarët e partive i kanë nxjerrë këta nga anonimati i listave të gjendjeve civile dhe i kanë vënë në këtë listën e njerëzve të rëndësishëm. Pa kurrfarë dhuntie a kontributi publik. Së paku, në potencë kështu. Me të vetmen cilësi, të vlerësuar prej kryetarëve se kanë aftësinë të mbledhin vota. Se votat kështu janë këtu te ne e mbledhja e tyre është si të mbledhësh fiq në bahçe. Mbledh më shumë ai që është më i shkathtë… Vlen më shumë ai që ka vese më shumë; ai që di të vjedhë a të plaçkitë, të marrë peng a të gënjejë e mashtrojë më shumë. Ky është metri që ka mat dhe mat ende e do të masë me gjasë vlerën e listës zëvendësuese për deputetë.
A për cilindo të zgjedhur politik. Për sa kohë lista do të jetë e kryetarëve, për sa kohë sistemi ynë politik të jetë kështu i mbyllur. Me lista të mbyllura. Dhe, siç dihet gjarat e mbyllura janë të destinuara të kalben… Ndaj, edhe zoti Lulzim Basha duhet të na flasë edhe për këtë, kur me gjithë opozitën e bashkuar kanë ndërmarrë aktin e parë serioz e të besueshëm të djegies së mandateve të Parlamentit farsë. Veç, do t’i lutesha, jo me frazën: “Deputetët, tani e këndej, do t’i zgjedhë populli”. Se është e zvargur dhe krejt, krejt e pabesueshme. Kjo frazë, e thënë kështu. Nëse do që ta besojnë të premtojë se në zgjedhjet që po vijnë, por dhe kurdo që të vijnë, ai do t’i garantojë zgjedhësit se do të zgjedhin me listat e tyre dhe jo vetëm me listat e kryetarit. Siç zgjedhin edhe në Bosnjë. Prej së paku njëzet vjetësh. /Nga Frano KULLI/