Pjerin Ndreu ka qenë Drejtor i Policisë në Shkodër. Edhe në periudha të vështira që kalonte vendi, ai ka treguar trimëri e profesionalizëm në detyrën e vështirë për ruajtjen e qetësisë dhe rendit. Falë Shkodrës, sigurisht edhe aftësive të tij, Pjerin Ndreu u ngjit në majë të Policisë së Shtetit.
Është e drejta e tij të heq dorë nga uniforma dhe të hidhet në politikë. Siç u hodh Ndreu dhe në fakt edhe të tjerë. Siç Sandër Lleshaj që hoqi spaletat e gjeneralit për të veshur kostumin e ministrit të brendshëm.
Sot Ndreu është kandidat i shpallur i PS-së për Bashkinë e Lezhës. E në këtë linjë, mbase duhet kuptuar edhe shënimi i mëposhtëm, mjaft i vonuar i Pjerin Ndreut për një çeshtje sensitive për Shkodrën e përtej saj.
“Nje debat per Drejtorine Arsimore ne Lezhe ka zgjuar militantizmin patriotik te disa pushtetareve te pafte qe kerkojne e kercenojne e ca nuk thone!
Lezha eshte vendi i Beselidhjes se Gjergj Kastriotit, vendi ku ka lindi Fishta, Kryetar I Kongresit te Manastirit per unifikimin e gjuhes Shqipe, eshte vendi e sa e sa poeteve e shkrimtareve me fame.
Ndrece Ndue Gjoka ne Mirdite eshte simboli i pashembullt te hapjes se shkollave shqipe.
Cdo perpjekje per te mitizu nje vend e per te injoru nje tjeter eshte shfaqje injorance, diskriminim dhe perpjekje e shemtuar per te gjete arsye me ba politike.
Lezha ka kontributet e veta te cmuara ne arsim pervecse eshte diku ne mesin e zonave te veriut, cka e ben me funksionale komunikimin ndermjet rretheve!”, shkruan Pjerin Ndreu.
Të jesh deputet apo politikan, jo domosdosmërisht do të thotë të kesh njohuri nga çdo fushë. Lezha është shënuar në historinë tonë sei vendi i “Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit”. Pikërisht për këtë, edhe ekipi i futbollit mban kërë emër… Por merita e Lezhës si vend i “Besëlidhjes” është e Venedikut, që në atë kohë e kishte zotërim Lezhën dhe princat shqiptarë të kohës u mblodhën aty për të qenë edhe më të mbrojtur. Si sot, vendimet e rëndësishme merren në Bruksel, edhe pse Tirana është në Shqipëri. Kaq merita ka edhe Lezha me Kuvendin e “Besëlidhjes” në 1444.
At Gjergj Fishta ka vetëm mbiemrin që e lidh me Lezhën nga vendlindja. Vertetë qëka qenë bashkëkryetar i Kongresit të Manastirit, por alfabeti është i Shoqnisë “Bashkimi” dhe natyrisht, është produkt i Shkodrës. Veç kësaj, pjesa e shndritshme e Fishtë është e lidhur pazgjidhshmërisht me Shkodrën. Por një të drejtë e ka Pjerin Ndreu: Fishta e ka një shtëpi diku andej nga Lezha… Po shëmbet thonë, por tani që Ndreu mund të bëhet kryebashkiak, mund ta shpëtojë sepse si deputet…
Ndrec Ndue Gjoka, heroi që u vra në 1946 ka lidhje me Lezhën aq sa mund të ketë çdo mirditor tjetër. (Ndreu kandidon për Bashkinë e Lezhës, Bashkia Mirditë është diçka tjetër…). E veç kësaj, referenca të tilla gjen mjaftueshëm edhe në Skrapar, Çorovodë, Surrel e gjetkë, ku fare mirë mund të zhvendoset DAR Shkodër…
Togfjalëshi “militantizmin patriotik” i përdorur nga Ndreu, duhet të jetë lapsus. Patriotizmi i kalon kufijtë e këtij debati të hapur. Në rastin më të keq, mund të quhet “militantizmin lokalist” ose thjesht “lokalizëm”. Sepse termi “militantizëm” nuk ka kuptim. Ai që drejton sot DAR Shkodër është socialist, siç do të jetë edhe kur DAR Shkodër të shkojë në Lezhë…
Shkodra e re por edhe ajo e vjetër, mund të ketë shumë faje e mëkate mbi shpinë. Por një gjë është e qartë: Nuk ka asnjë faj për vendin që ka merituar në historinë e Shqipërisë! Pa dashur ti heqim asnjë meritë Lezhës, Mirditës, Tiranës… por duhet të ketë një hierarki vlerash për tu respektuar. Nuk guxoi ta vërë në dyshim as diktatori Enver Hoxha: Një universitet që zgjodhi ta hapë në Veri, e vendosi në Shkodër. Edhe pse e persekutoi deri në gen, nuk mundi ti heqë meritat në arsim. Mrita që fillojnë që në gjenezën e shqipes së shkruar, vazhdojnë me “Normalen” e parë të Elbasanit që mori një shkodran si Gurakuqi për ta drejtuar e për ti vënë vulën para mëse gjysmë shekulli me Institutin e Lartë Pedagogjik sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Lezhjanë e shkodranë kanë qenë gjithmonë vëllezër, ose Lezha ishte motra e vogël e Shkodrës. Edhe batutat i kemi patur të përbashkëta si “lezhjan të krehun e shkodran të terun nuk gjen”. Edhe po të pyesësh vetë lezhjanët, shumica me zemër ose me mendje janë kundër o Pjerin Ndreu! Për kundër teje, nuk e dimë por kundër zhvendosjes së qendrës së gravitacionit arsimor në Lezhë në dëm të Shkodrës. Lexo edhe komentet në postimin tënd në Facebook. Edhe pse jemi të qartë se fushata elektorale tashmë ka filluar dhe…të mirëkuptojmë! /Shënim i ShkodraWeb/