ANALIZA – Ngjashmëritë dhe ndryshimet e përballjeve Nano- Majko dhe Berisha- Basha në PS dhe në PD…

Ajo që mund të konsiderohet “përplasje publike” Basha- Berisha, sjell në mendje përplasjen e vitit 1999 Nano- Majko+Meta. Ishte koha kur Nano shpalli “katharisis”- in e tij në PS, në një moment kur po perjetonte krizë në familjen e tij, në marrëdhënien bashkëshortore. Në PS ndodhte dhe ka ndodhur për herë të parë dhe vetëm një herë. Tashmë, këtë po e provon edhe PD, më shumë se 30 vite nga themelimi si forca e parë politike opozitare në post diktaturë.

Asokohe, Fatos Nano u largua nga drejtimi i qeverisë dhe i PS- së, duke u zhveshur nga çdo pushtet i mundshëm. Nisi takimet me bazën socialiste, kritonkte deri në sulmim qeverinë e drejtuar nga Majko, i cili ishte sekretar i përgjitshëm i PS- së dhe kandidat për kryetar të saj në kongresin e 3- të të kësaj force politike. Për një grusht vota, Nano pa asnjë post- pozicion të privilegjuar, arriti të rikthehet në krye të PS- së dhe pas zgjedhjeve të 2001- it, edhe kryeministër deri në 2005. Nuk duhet harruar se në krah të Majkos ishte edhe Ilir Meta, sigurisht akoma aq i fuqishëm politikisht brenda PS- së. Në atë kongres, u nda posti i kryetarit të partisë me të kryeministrit, por vetëm përkohësisht.


Sot, Sali Berisha ka nisur një tur. Është i bindur se i është bërë një e padrejtë nga Lulzim Basha, i cili e përjashtoi nga GP i PD- së pas shpalljes “non grata” të ish- kryeministrit nga SHBA- të. “De jure”, nga viti 2013 kur dha dorëheqjen, Sali Berisha nuk ka asnjë post partiak dhe është larg pushtetit si pjesë e opozitës. Nuk e ka pranuar shprehimisht por edhe nuk e ka përjashtuar se mund të synojë rikthimin në drejtim të PD- së. Praktikisht, jemi në të njëjtën linjë si ajo e PS- së në 1999 kur Nano dha dorëheqjen nga postet për të synuar rikthimin përmes votës së antarësisë.

Jemi në vitin 2021. Nëse Nano nuk kishte publikisht kundër ndërkombëtarët e sidomos Ambasadën Amerikane, sot Berisha në nismën e tij të rikthimit, ka kundër ambasadoren amerikane Yuri Kim. Edhe sot, pak orë para nisjes së “Foltores” së Berishës, ajo përcolli një mesazh të qartë për shqiptarët “zgjidhni të nesëermen apo fantazmat e të shkuarës”. Por nga ana tjetër, Sali Berisha nuk është Fatos Nano. Karriera e tyre politike, mënyra e qasjes së lidershipit në opozitë dhe në pushtet, është e ndryshme.

Nano provoi opozitën duke qenë i burgosur në Bençë, të paktën pjesën më të madhe të saj. Berisha, pasi u rrëzua në 1997- ën pas “revolucionit të armatosur”, ia arriti të rikthehet në qeverisje të vendit në 2005- ën e për të qendruar plot 8 vite. Fatos Nano u rikthye në pushtet pikërisht me rrëzimin e Berishës, por pas humbjes në 2005- ën, preferoi të dalë në hije, duke u larguar nga jeta politike aktive në fund të mandatit 2005- 2009, kur nuk u përfshi as në listat e kandidatëve për deputetë nga Rama.

Për mëse 8 vite, Berisha nuk ka patur asnjë postë të rëndësishëm politik, me përjashtim të deputetit. Në mandatin 2013- 2017, ishte thuajse lideri “de facto” i opozitës në Kuvend. Pavarësisht se sot ai e mohon, përceptimi ishte se Berisha kishte ndikim të madh në vendimmarrjet e rëndësishme të PD- së. Po a ka ndikim realisht Berisha në PD? Mesa duket, e konsideron veten të fortë sidomos tek baza e antarësisë. Jo më kot, ai kërkon referendum lidhur me legjitimitetin e vendimit të Bashës kundër tij.

Për herë të parë në këto 30 vite, PD po përgatitet të kalojë një “provë hekuri”. Asnjëherë më parë, nuk ka patur një përballje të tillë sepse asnjëherë rivalët përballë Berishëa apo Bashës, nuk kanë patur staturën që Berisha ka sot përballë Bashës. Natyrisht, pas 8 viteve kryetar, Basha teorikisht është i favorizuar në këtë përballje por nuk duhet harruar pozicioni i liderit historik të pacënuar asnjëherë si dhe mentaliteti fitues i Berishës, pa folur për karizmën që ngjadhe dhe jo vetëm tek demokratët.

E sigurtë është se për PD- në, pas përfundimit të kësaj përballje Basha- Berisha, do të rifillojë një erë e re. Jo thjeshtë në konceptin e liderit por të funksionimit të kësaj force politike. Sipas gjasave, do të vendosen disa rregulla e parime, të shkruara e të pashkruara. Sigurisht, kjo përballje do të ketë ndikim edhe në afrimin apo largimin e PD- së me pushtetin. Natyrisht, edhe për demokratët e simpatizantët e PD- së në të katër anët e vendit. /Nga Blerti DELIJA/