
Nga Blerti DELIJA
Partia Demokratike është në ditën e saj më të keqe nga themelimi i saj. As 1997- a dhe as skizmat jo të pakta gjatë ekzistencës së saj, nuk e kanë dëmtuar se situata e muajve të fundit e sidomos ajo që ndodhi dje në oborrin e selisë blu. Demokratë që sulmojnë me mjete të forta dyert e ndërtesës së partisë së tyre, të tjerë që hedhin gaz lotsjellës dhe godasin pa mëshirë me shkopinj kokës po demokratë, policë që futen në mes demokratëve për të mbrojtr njërën palë nga tjetra, akuza dhe kundër akuza për dhunë. Më keq se kaq, vështirë se mund të shkojë një parti që synon pushtetin përmes votës së shqiptarëve. Do të duhen vite që imazhi i kësaj partie politike të bëhet i pranueshëm, i besueshëm në sytë e shqiptarëve.
Që të fillojë ringritja, duhej prekur fundi. Besoj se kjo ka ndodhur me 8 janar 2022 dhe fatkeqësisht, rrezikon të përsëritet sërish në ditët apo javët në vijim. Palët janë konsoliduar rreth liderëve respektivë: Basha dhe Berisha! Në këtë pikë nuk mendoj se kanë rëndësi numrat, kush ka më pak apo më shumë mbështetës në radhët e demokratëve apo edhe shqiptarëve. Nuk ka rëndësi as kush e paraqet e mbron më bukur kauzën e tij përballë opinionit publik. Nuk kanë peshë as audiencat e blera apo të verteta në rrjetet sociale. As edhe numri i komenteve e “like”- ve në publikime të ndryshme. Ajo që duhet kuptuar është se Partia Demokratike është në udhëkryqin më të madh të ekzistencës së saj: Të ringrihet apo të kthehet në një partiçkë që synon një llokmë pushteti si një zgjatim koalicioni ku nuk ka rendesën specifike më të madhe.
Kjo parti duhet të ketë dhe mendoj se ka “mendje të ftohta”. Duhet kuptuar se beteja nuk është sot për nesër, nuk është për Bashën dhe Berishën por për të paktën 25- 30 vitet e ardhshme të një partie që shënjoi kapërcimin nga diktatura në demokraci në këtë vend. Lulzim Basha nga dje, nuk ka asnjë mundësi të jetë kryetar. Shkopinjtë kokës e shpinës, gazi lotsjellës vështirë të kapërdihen edhe nga ata që e panë nga larg ngjarjen, edhe nga ata që e panë përmes transmetimeve direkte. Basha mund të mbajë vulë, logo e seli edhe përmes një vendimi gjykate. Por partia e tij nuk do të mund të jetë kurrë Partia Demokratike për të cilën demokratët, shqiptarët e Shqipëria kanë nevojë.
Sali Berisha sot, më shumë se një shpresë për të nesërmen e PD- së, është bartës e zëdhënës i frymës kundër Bashës. Ai nuk mund të jetë alternativë për të unifikuar ideologjikisht partinë, aq më pak me frymë konservatore siç flitet. Imazhet e sulmit ndaj selisë blu, varetë e matrapikët, nuk janë imazhi më i mirë për një lider që mëton jo vetëm të vihet në krye të PD- së por edhe të Shqipërisë si kryeministër. Siç e ka pranuar edhe vetë, rikthimi pas 8 viteve në luftën politike në këtë vend, ishte i detyruar. Nëse Basha nuk do ta pezullonte nga GP i PD- së, sot Berisha do të ishte në krahun e “delfinit” të tij përballë Ramës, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme.
Në gjendjen aktuale, PD nuk ka asnjë shans të jetë forcë kompetitive për pushtetin. Qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel kombëtar. Përballë Edi Ramës por edhe kujtdo që mund të jetë në krye të PS- së pas tij, PD-ja e ka të sigurt humbjen. Pyetja që duhet të bëjë fillimisht çdo demokrat e më pas çdo shqiptar është: Kujt i duhet, kujt i sherben një Parti Demokratike si kjo e sotmja? Demokratëve jo, as shqiptarëve që janë jashtë grupimeve aktive politike, jo!
A ka shpresë, a ka mundësi për ringritje? Natyrisht, por çdokush duhet të kapërcejë vetën, të dalë mnbi interesin e ngushtë të tij dhe të grupimit që ka pas vetes. Pas 8 janarit 2022, është tronditur rëndë besimi jo vetëm ndaj strukturave qendrore si Kryesi, Këshill Kombëtar apo Grup Parlamentar. Tashmë as kryetarët lokalë të PD- së, të zgjedhur apo të emëruar, nuk kanë legjitimitet apo besueshmëri përballë antarësisë. Partia Demokratike duhet të kalojë në duart e antarësisë, vendimmarrjes së saj direkte.
Në formë kapilare, nga seksionet, grupseksionet, kryesitë e degëve e kryetarët, duhet të zgjidhen nga e para. Ata duhet të vetëorganizohen, të vetëqeverisen, të vetëpërfaqësohen, jo të emërohen. Procesi nuk duhet bazuar ngurtësisht në statut, as atë të Bashës e as atë të Berishës. Pak a ashumë, siç ndodhi në vitet ’90, kur PD sapo kishte lindur dhe nuk ishte burokratizuar akoma. Çdo degë duhet të jetë autonome. Listat e antarësisë duhet ti hartojë vetë dhe të mos presë ato nga kryesia e Tiranës. Kandidatët për kryetarë, duhet ti përzgjedhë vetë në liri të plotë dhe jo ti vijë për votim një listë nga kryesia qendrore. Kryesitë e degëve, nuk duhet të formohen për shkak të funksioneve por të votohen nga e gjithë antarësia, ashtu siç edhe kryetari. Kur të vijë koha, në të njëjtën mënyrë duhet të zgjidhen edhe kandidatët për kryetarë bashkishë, këshilltarë bashkiakë, deputetë etj. Vetëm në këtë mënyrë ata do të shkojnë në forume e institucione kombëtare, partiake apo shtetërore, si përfaqësues të bazës dhe jo të kryetarit të radhës e vasalë të tij.
Por hapi i parë, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për këtë ide ringritje të PD- së, është largimi i atyre që me veprime apo mos veprime, për interesa personale apo të grupimeve të ngushta, shkelën mbi demokratët. Lulzim Basha dhe Sali Berisha, në të njëjtën kohë, duhet të hapin krahun. Jo vetëm të mos kandidojnë për kryetar PD- je, por të mos jenë pjesë e asnjë forumi vendor apo qendror të Partisë Demokratike. Mirë do të ishte që të zgjidhnin “pensionin politik”, duke mbajtur thjesht për nostalgji, teserën e PD- së dhe asgjë më tepër se kaq. Partia Demokratike ka nevojë për liri, demokraci dhe frymëmarrje të pavarur nga askush. Duket paradoksale, por sot PD ka nevojë pikërisht për atë, të cilën e kërkoi në 1990- ën në emër të të gjithë shqiptarëve: Liri- Demokraci! As Basha e as Berisha nuk mund t’ ja garantojnë atë. Më mirë djepi bosh se djalli brenda tij!