Përplasja institucionale tashmë është evidente. Pasi kreu i shtetit firmosi “live” dekretin që shfuqizon datën e 30 qershorit si ditë e zgjedhjeve vendore, kryeministri ndërmorri hapin tjetër: Nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Më herët, Edi Rama ka thirrur në një takim ambasadorët e akredituar në Tiranë, sipas gjasave për të kërkuar opinion por edhe për ti vënë në dijeni për nismën e shkarkimit të Ilir Metës.
Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se kur nisin procedurat dhe si shkarkohet Presidenti i Republikës.
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, sipas proçedurës së parashikuar në nenin 90, pika 2 dhe 3. Në nocionin “krim i rëndë” hyn në rradhë të parë krimi i tradhëtisë ndaj atdheut. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, neni 91 i Kushtetutës parashikon se Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.”.
Presidenti Ilir Meta, qartas nuk është në asnjë nga rastet e mësipërme për t’iu kërkuar shkarkimi. Përtej kësaj, askush nuk e pengon dot Edi Ramën të ndërmarrë nismën ligjore për shkarkimin e presidentit të Republikës. Është përcaktuar e enjtja e kësaj jave si dita e nisjes së procedurave dhe sipas gjasave, nëse Rama do të jetë konseguent në nismën e tij, brenda të enjtes të javës që vjen, do të mësojmë për fatin e Ilir Metës por edhe të…Edi Ramës.
Duhen 94 vota që Ilir Meta të shkarkohet. Kështu e thotë Kushtetuta. Këto numra vështirë të realizohen në një kuvend me 122 antarë, ku “opozita e re” nuk ka asnjë shans të japë votat për shkarkimin e presidentit. Por edhe nëse mund të ketë “rrjedhje” votash, siç ka ndodhur edhe herë të tjera përmes blerjes së deputetëve, ka një barrierë të fundit: Gjykata Kushtetuese. Aktualisht ku institucion nuk ekziston dhe sipas gjasave, deri me 30 qershor nuk do të mund të ngrihet. Kështu që, dita e fundit e qershorit si datë zgjedhjesh, praktikisht ka vdekur, pavarësisht fatit të Ilir Metës si president.
Por nëse Edi Rama futet në procedurën e shkarkimit të kreut të shtetit, ka edhe “anën tjetër të medaljes”. Dështimi në mbledhjen e numrave të duhur, të paktën 94 deputetë, automatikisht sjell vetëm një gjë: Largimin e tij nga posti i kryeministrit! Kjo është logjika normale e funksionimit demokratik të institucioneve. Pyetja e vetme që mund të shtrohet pas kësaj analize është: A është një skemë e mirëllogaritur për të dërguar vendin në zgjedhje të parakohëshme politike dhe vendore, mbase brenda 3 muajve? Me bekimin e tre aktorëve kryesorë në vend…Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha…!? /Shënim i ShkodraWeb/