Të gjitha vendet ose shumica e atyre të Europës e përtej, kanë një datë të çlirimit të lidhet me Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa Euopa si kontinent dhe entitet kombesh kombesh të lira e të federuara, feston 9 majin, si ditën e fitores me fashizmin.
Shqipëria përpëlitet prej 30 vitesh në mes 28 dhe 29 nëntorit, me dilemën e madhe e qesharake se: Kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria në vitin 1944!
Vetëm vitet e fundit, kjo ngarkesë e pakuptimtë për politikën, opinionin publik e mediat, duket se është lehtësuar. Tashmë për ditë e më shumë po diskutohet rreth 29 nëntorit, a duhet të konsiderohet ditë e çlirimit apo jo?!
Shumë herë është tentuar të sigurohen e publikohen prova e dokumente që Shqipëria të kishte edhe një 28 nëntor të tretë pas atij të Skenderbeut e Ismail Qemalit. Fatmirësisht që mbështetësit e 29 nëntorit si ditë e çlirimit kanë këmbëngulur e sot në Kushtetutë 29 nëntori rezulton si Ditë e Çlirimit. Sepse pas 28 nëntorit të Skenderbeut e atij të Ismail Qemalit, do të kishim një 28 nëntor të Enver Hoxhës!
E pikërisht këtu duket se është “thembra e Akilit” edhe e të gjitha diskurseve politike në vend. Sepse para por edhe pas 1990-ës, nuk është kërkuar e nuk kërkohet thjesht një datë 29 nëntor për tu festuar si Ditë e Çlirimit nga pushtimi nazi- fashist. Po kërkohet një “gozhdë” që të djerret një ditë që tenton të përjetësojë në histori Enver Hoxhën. Pra, që 29 nëntori të nisë të vazhdojë të kujtohet si Ditë e Çlirimit që me kalimin e viteve, të konsiderohet si “triumf i Enver Hoxhës”.
Nuk dua të futem në diskursin e lodhshëm të asaj që pasoi 29 nëntorin 1944. Shumë kan ndërruar jetë por fatmirësisht mijëra janë të gjallë akoma për të cilët dita e 29 nëntorit 1944 shënoi fillimin e një kaluari të pashoq në jetët e tyre. Panë tu ekzekutohen prindër, vëllezër, motra e fëmijë. Jo vetëm ata që u ekzekutuan pas “gjyqeve” që gjithsesi ishin farsë, por edhe ata për të cilët gjykatat e diktaurës morën vendime kapitale pasi ishin ekzekutuar shumëditë më parë.
Ajo që shqiptarët duhet të ndajnë është shumë e thjeshtë. Ky vend ka nevojë për simbole. Ky vend ka nevojë për data të rëndësishme, mes të cilave natyrshëm duhet të jetë një datë çlirimi në Luftën e Dytë Botërore. Por privatizimi që po kërkohet me ngulm, duke personifikuar jo vetëm luftën por edhe simbolikën e çlirimit me një emër të vetëm, atë të Enver Hoxhës, jo vetëm është e dëmshme por do të vazhdojë të përçajë edhe pas 1000 vitesh. Sot, simbole mbarëbotërore të rangut të Nënë Terezës apo Skenderbeut, nuk unifikojnë dot shqiptarët. Pavarësisht imazhit të ndritut në botë, pavarësisht se sot është në piedestalin më të lartë të rreth 1.5 miliardë njerëzve katolikë në mbarë globin, në Shqipëri ka akoma njerëz që bezdisen kur Shën Tereza e Kalkutës paraqitet me veshjen e murgeshës apo ne rruzaret mbi shpatulla. Edhe Skenderbeut nuk i falin “mëkatin” që ka luftuar e ka mundur “vëllezërit” tanë turq. Madje arrihet deri atje, sa në një pritje zyrtare në presidencë, për të mos bezdisur një mysafir të rëndësishëm turk, hiqet edhe busti i Skenderbeut.
Mos pritni që 29 nëntori si ditë e çlirimit më 1944 të unifikojë. Përsa kohë dikush po përpiqet ta paraqesë si triumf të një individi, i cili prej 30 vitesh konsiderohet si diktator i popullit të tij e prej botës përendimore, konsiderohet si një nga më të egrit në historinë e njerëzimit.
Nuk duhet harruar kaq shpejt se nga duart e këtij diktatori, nga humori i keq e paranojat e tij e të sistemit që ngriti, u ekzekutuan e persekutuan edhe ata që kontribuan vërtetë për çlirimin e këtij vendi. Për më shumë, shokë e bashkëndërtues me të të sistemit diktatorial në këtë vend.
Teoria e përfolur shumë, e ndarjes së asaj që ka ndodhur deri me 29 nëntor 1944 dhe për të cilën mund të krenohemi të gjithë sepse na rreshtoi në krahun e kombeve që luftuan murtajën nazi- fashiste, me atë që ka ndodhurpas 29 nëntor 1944 ku Shqipëria u përfshi në diktaturën më të lemerishme që ka njohur ndonjëherë, nuk mund të implementohet. Për një arsye të vetme: Sepse akoma nuk është shpallur zyrtarisht, me një rezolutë parlamenti Enver Hoxha si diktator për 45 vite në këtë vend. Sepse akoma, edhe pas 35 viteve që ka ikur në botën tjetër, Enver Hoxha vijon të jetë “Hero i Popullit”, ashtu siç edhe ata që u ekzekutuan nga dora e tij si Beqir Balluku, Mehmet Shehu etj.
Hapi i parë që duhet të bëjnë shqiptarët është të ndahen përfundimisht nga dhe me Enver Hoxhën. Duhet rënë dakort që ai të shpallet zyrtarisht diktator i popullit të vet, rrënues i mijëra jetëve e brezave. Por fillimisht, në krye të herës, shqiptarët duhet të ndahen nga mentaliteti enverian që mbizotëron edhe pas 30 viteve në shoqërinë shqiptare. Në çdo qelizë të tij! Deri atëherë, përralla 28-29 nëntori, ditë çlirimi apo ditë pushtimi, do të na shoqërojë edhe për shumë kohë, edhekur të mos jemi ne në jetë! /Nga Blerti DELIJA/