Nuk ka asnjë dyshim se rruga e vetme është negociata. Nuk ka asnjë dyshim se ato kanë nisur. Ashtu siç ka ndodhur edhe në situata të ngjashme e siç në fakt, vazhdojnë gjithmonë edhe në “kohë paqeje” në mes “emisarëve” të niveleve të treta. Në pjesën e dukshme, situata duket pa zgjidhje, edhe pse palët po e kërkojnë me ngulm atë.
Edi Rama pret me ankth ardhjen e fundit të qershorit. Pret një përgjigje, e cila për fatet e tij dhe të mazhorancës aktuale është jetike. Edhe Lulzim Basha e pret fundin e muajit të gjashtë të këtij viti, për të njëtëjn arsye si rivali i tij politik. Të dy presin përgjigje, por në kahje të ndryshme: Rama pret përgjigje pozitive, Basha pret përgjigje negative.
Në fund të qershorit, ajo që sot po luhet në pjesën e padukshme, mund të bëhet publike. Në varësi të përgjigjes që do të vijë nga Brukseli. Edhe nga atje, për negociatat. Por çeljen e negociatave të BE-së me vendin tonë për antarësim në familjen europiane.
Përmes aleatëve politikë në Europë, dy palët po lobojnë fort. Në atë që shihet, por më shumë në atë që është poshtë horizontit. Nëse përgjigja do të vijë pozitive nga Brukseli, Rama “do të këndojë fitore” dhe 2021-i do të ishte limiti i përballjes në zgjedhje politike me bashën. E nëse përgjigja do të jetë negative, Basha do të kërkojë edhe më fort “kokën” e Edi Ramës.
Edhe për këtë “përgjigje” shumë të rëndësishme për fatet e Ramës e Bashës, “beteja politike” është transferuar dukshëm në mediat europiane e botërore. Secili po përpiqet të bindë sa më shumë të jetë e mundur, se “kauza e tij” është më e pranueshme se e rivalit.
Këtë vit, “përgjigja e rëndësishme” nga Brukseli, paraprihet edhe nga një datë tjetër, ajo e 30 qershorit. Është dita kur presidenti i Republikës ka ftuar shqiptarët të votojnë për qeverisjen vendore. Edi Rama dhe PS po bëhen gati. Edhe Lulzim Basha nuk ka mohuar asnjëherë pjesëmarrjen në zgjedhje. Pak orë më parë rikonfirmoi kandidatin e parë si kryebashkiak, Mziun e Kamzës. Sipas gjasave, do të vazhdojë edhe me emra të tjerë në turin e pritshëm nëpër Shqipëri. Edhe për këtë datë, Basha e Rama po negociojnë, nuk ka asnjë dyshim.
A mund të ketë një kompromis për këto dy data në mes tyre? Janë të detyruar të gjejnë kompromis. Dy palë zgjedhje diku nga fundi i vjeshtës, është alternativa që mund të kënaqë të dy palët. Edi Rama është i bindur në suksesin e tij të rradhës përballë Bashës, pavarësisht datës se kur do të votohet. Edhe Basha është i sigurtë në fitoren e opozitës, nëse i krijohen kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Alternativë tjetër? Natyrisht. Një qeveri socialiste pa kryeministër Edi Ramës për të mbyllur mandatin dhe në 2021-in garanci për garë të ndershme, të patrukueshme dhe të gjithë pranuar nga palët. Por ka një problem, a mund të pranojë “të ulet në pankinë Ronaldo”, ashtu siç “Messi” nga ana tjetër, duket e ka bërë pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit…?! /Nga Blerti DELIJA/