Gazetat e sotme por edhe shkrimet “e freskëta” të portaleve, kanë në fokus dy tema mjaft të rëndësishme. Por më shumë se temat, kanë rëndësi autorët që i trajtojnë ato. Moikom Zeqo shpreh shqetësimin e tij sepse republika nuk ka një datë lindje, meqenëse prej shumë vitesh, 11 janar 1946 nuk festohet si në kohën e diktaturës. Shkrimtari i njohur, ish- deputet i shqiptarëve në Kuvend për shumë vite, ka kohë edhe ti përgjigjet Nexhmije Hoxhës lidhur me zhvillimet e vitit 1991. Sepse Zeqo dhe Hoxha, janë “njohje e vjetër”. Zeqo arriti deri në sekretar i Komitetit të PPSH në Durrës, në ato kohë post që thotë gjithçka me kompetencën “të heq konopin nga qafa”.
Tema tjetër e ditës në gazeta e portale është tensioni Iran- SHBA. Kush mund të zërë hapësirë në “të shkruar” të lexuar online? Lisien Bashkurti, i cili ishte sekretar i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë- BRPSH duke zëvendësuar në prag të vitit 1990 një tjetër emër të njohur, Mehmet Elezin. Të dy pas 1990-ës, deputetë e diplomatë “në sherbim” të demokracisë!
E përgjatë këtyre ditëve, një një gazetë që përsëritet në të gjitha të tjerat, të paktën në versionin online, Nexhmije Hoxha shpalos vizionin e saj për historinë e re të të vjetër, duke folur me mostalgji për komunizmin, diktaturën e natyrisht edhe bashkëshortin diktator.
Pasnesër është 14 janar, që në Shkodër por edhe në Shqipëri është shënjuar si një nga lëvizjet e para, edhe pse e heshtur, kundër komunizimit. Madje më shumë se kaq, sepse u planifikua të rrëzohej busti i Stalinit, diktatorit gjeorgjian që adhurohej nga diktatori shqiptar dhe pasuesit e tij.
Sot 30 vjet më pas, si në ato ditë të ftohta të shkuara, lexojmë të njëjtët emra. Atëherë në “ZP” dhe në sibijat e saj, sot në gazeta dhe portale pa fund që kanë mbirë. Asokohe duke na bërë moral komunist, sot duke na udhërrëfyer rrugën drejt vlera më të mira përendimore dhe evropiane. E shqiptarët, ata që kanë fatin e keq të jetnë brenda 28 mijë kilometrave katrorë e të tjerë që frekuentojnë media e portale, i dëgjojnë “me gojëhapur” dhe pyesin: Se ku e kam dëgjuar këtë emër, se çfarë më kujton ky zë…?!
Demokracia është sistemi i një konkurrimi të hapur e të barabartë. Por çuditërisht, këto 30 vite në Shqipëri, disa kanë rezultuar “më të barabartë” se të tjerët. E po çuditërisht, lidhjet e tyre na çojnë para vitit 1990 si për të provuar se riciklimi u krye i plotë dhe me shumë sukses. Baballarë, fëmijë e tanimë edhe nipa, po rriten nën moralin që po vazhdojnë të na shesin produkte të komunizmit, të diktaturës. Sepse në Shqipëri nuk ka patur ndryshim sistemi por thjeshtë konvertim. Shembulli më i mirë, me 12 qershor në mëngjes u zgjua si Partia e Punës së Shqipërisë me ngarkesën 45 vjeçare të persekucionit të një populli të tërë dhe në mesditë u pagëzua si Partia Socialiste e Shqipërisë. Për 30 vitet e fundit, ka qeverisur shqiptarët në të paktën gjysmën e kësaj hapësire kohore. Krahu tjetër i politikës? Koka tjetër e shqiponjës, ashtu siç është edhe simboli ynë kombëtar: Dy koka me një trup të vetëm! /Nga Sokol N. SOKOLI/