
Debatet televizive reale, qoftë në nivel kombëtar por edhe rajonal në Shkodër, duket se janë thuasje “mision i pamundur”. Dy liderët kryesorë politikë, kandidatë të mundshëm potenciale për kryeministër pas zgjedhjeve të 11 maj 2025, me shumë mundësi nuk do të ulen përballë njëri- tjetrit në një studio televizive. Rama dhe Berisha, vazhdojnë agjendat e tyre elektorale pa u shqetësuar shumë.
Në nivel rajonal, të Shkodrës, për të ndjekur debatin e fundit politik, mes dy kandidatëve, duhet të lundroni në Youtube për të gjetur përballjen në një televizion lokal për zgjedhjet e 2017- ës mes dy zonjave, Izmira Ulqinaku e PD me Senida Mesi të PS. Pavarësisht thirrjeve publike të kandidatit të PD- së Ted Kopliku për përballje në debat me këdo nga lista e PS- së, shanset që kjo të ndodhë, janë minimale. Aq më pak, një debat në nivel politik mes drejtuesve të forcave politike në nivel qarku, Boçi- Beci.
Zgjedhësit shqiptar por edhe ata në nivel rajonal në Shkodër, kanë nisur të bombardohen nga platforma elektorale, të cilat të paktën deri me 11 maj 2025, do të “ulin parajsën në tokë”. Në rastin më të mirë, përjashto militantët e forcave politike, zgjedhësit e tjerë apo ata gri, do të çoroditen duke ndikuar direkt në kthjelltësinë e gjykimit se kujt duhet ti japin votën me 11 maj 2025.
Përballja në një debat në studio, do të tregonte në sytë e zgjedhësve, qasjen reale të kandidatëve përballë premtimeve për ata që i ndjekin. Nëse sot, nga studio apo ekrane televizive, çdokush i jep të drejtë vetes në premtimet, shpesh pa hesah që jep”, përballja e tyre ndihmon zgjedhësit të kuptojnë më mirë diferencat, mundësitë apo realizimin e tyre.
Në fakt, të paktën në nivel rajonal, mediat duhet të tregojnë forcën e pushtetit të tyre. Duhet të dërgojnë ftesa në drejtim të subjekteve politike, kresore ose jo për debate. Të vendosin afate për dërgimin e emrave të debatuesve. Nëse nuk ka gatishmëri nga njëra, tjetra apo të gjitha palët, të lihen 1, 2 apo të gjitha karriget bosh në studio. Për të treguar se kjo është politika, demagogji deri në tallje me zgjedhësit. Sepse debatet, në vendet e zhvilluara drejt të cilave aspirojmë prej 35 vitesh, janë dhe duhet të jenë detyrim, jo vetëm moral! /ShkodraWeb/