Ia ka dalë edhe kësaj here. Vazhdon të jetë në epiqendër. Jo të termetit por të opinionit publik. Edi Rama po sillet ekzakt si Edi Rama që njohim të gjithë. Nuk është e vështirë se është viktimë e etjes për protagonizëm që e ka shoqëruar që në daljen e tij të parë në publik. Që nga koka kur kërkoi të përfshihej në PD dhe deri sot, para pak minutave, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse përpjekje protagonizmi.
Në fakt, duhet të kuptoni edhe pozicionin e tij këto 4-5 ditët e fundit. Termeti katasrofik ka vënë në heshtje gati të plotë politikën. Zhurma e saj nuk ndjehet më. Kryeministri spo sillet, në Shkodër i themi “si kali në lëmë”, nga një lagje në tjetrën, nga një pallat tek tjetri, sa në Durrës, Tiranë, Thumanë etj. Po flet edhe si ngjinier teksa ka arritur të evidentojë “probleme në strukturë” nga “problemet në muratorë”, duke ua shpjeguar edhe banorëve që u janë shembur shtëpitë. E natyrisht, qershia mbi tortë që nuk mungon kurrë është: Burgu!
Ata që e njohin mënyrën e funksionimit të individit Edi Rama, e dinë se ai ka nevojë të ngjehet gjithmonë protagonist, në qendër të vëmendjes, i anatemuar dhe anatemues, hokatar, komunikues, elbores, arrogant dhe i brishtë njëkohësisht. Këto tipare deshifron thjeshtë edhe në videot e sotme në zonën e ish- Kënetës në Durrës.
Fillimisht përzë një grua nga takimi i tij, kapet me fjalë me një “provokator” të moshuar rreth 20 metër larg dhe nis me hokat.
Sjell në vemendje një barcaletë sipas gjasave, duke bërë humor të zi në një situatë shumë të rëndë si ajo e pas 26 nëntorit.
Nuk ka dyshime se është i lodhur. Jo aq shumë nga mosha që me përgjegjësinë e kryeministrit ka efekt dyfish sa nga mungesa e kundërshtari “qit e prit” që ta bëjë të ndjehet “i gjallë”, i fortë e i rëndësishëm.
Lulzim Basha po e çmend me mospërfilljen e tij, Përgjigjet ndaj “ftesave” që i dërgon papra kryeministri tregojnë se lideri i opozitës ka ndryshuar qasjen publike ndaj rivalit të tij në pushtet. Më në fund e ka kuptuar se mospërfillja deri në injorim, e grin Edi Ramën “si teja”.
Ilir Meta prej kohësh tashmë i kthyer në makth por edhe motiv lufte mediatiko- politike, po sheh “hesapin” e tij. Duket se nuk po e konsideron fare kryeministrin, mbase edhe në një koordinim me liderin e opozitës.
Në këtë situatë, çfarë mbetet të bëjë tjetër Rama? Ka vetëm dy alternativa, me të cilat është i dënuar të përballet çdo moment këto 5 ditët e fundit: Qytetarët dhe gazetarët! Nga këta të fundit, bën edhe një “përzgjedhje” të vogël. E përsërit shpesh se nuk e ka me ata të terrenit, sepse ata janë heronj, ua ka përsëritur shpesh. E ka me ata që i drejtojnë nga zyrat apo gazetarët në studio televizive. Sepse polemikat apo zënkat me gazetarët e terrenit, nuk e ngopin, nuk e joshin, nuk e grishin Edi Ramën. Sepse për të, janë standard, nivel i ulët. Po sikur edhe nga zyrat apo studio televizive, të kthehet në drejtim të kryeministrit mospërfillje, injorim për “sulmet” ndaj medieve?
Situata do të kthehej në tragjike sepse përballë për përplasjet e zakonshme të përditshme, të kishte vetëm…qytetarët! E kështu, përpiqet nga mëngjesi në darkë të krijojë “motive” për tu ndjerë “i gjallë”, në qendër të vëmendjes, të polemikave. Këshillon qytetarët të mos shohin televizor, duke “harruar” se në ato mrrokulla pjesën më të madhe të ditës është i pranishëm po ai, duke u lehtësuar punën edhe medieve për të transmetuar “live” sepse sinjali prodhohet papushim e pa lodhje nga krijesa e tij ERTV! E këto “live” gjatë gjithë ditës, mundësohen pikërisht nga ata shefa që ai “sulmon” në sytë e vartësve të tyre, gazetarë e kameramanë terreni! Madje, pikërisht ata që Rama “sulmon”, sa herë e dëgjojnë vënë buzën në gaz, hanë dreka e sarka me të dhe ndonjëri prej tyre, është edhe sugjerues i strategjisë së rradhës së kryeministrit!
Të gjithë ata që shqetësohen për “sulmet” ndaj medieve, as të mos e vrasin trurin! Mediat tradicionale, ato që i shërbejnë dhe do ti shërbejnë për sa kohë të ketë në dorë “çelësat e shtetit”, nuk janë të rrezikuara! Kijameti, mund të mbyllet ndonjë portal jo shumë komod, për momentin! Edi Rama nuk e pa problemin me mediat, kuptojeni! Edi Rama e ka problemin me veten e tij ose me vetë…Edi Ramën! /Nga Blerti DELIJA/