Studentët në protestë rigorozisht vijojnë të refuzojnë afrimin e politikës në lëvizjen e tyre që në embrion. Refuzojnë direkt opozitën, janë përballë qeverisë dhe madje nuk honepsin as hallexhinjë që kërkojnë të bashkojnë kauzat: Banorët e “Astir”. Këta të fundit mbahen larg protestës studentore me arsyetimin se kanë pranuar në protestat e tyre mëse një mujore përfaqësues politikë të opozitës.
Me një shikim pas, sot studentët janë më të avancuar se ata të Lëvizjes së Dhjetorit 1990. Janë më të kjartë në administrimin, të paktën në fasadë, të “krijesës” së tyre. Në dhjetorin që shënjoi nisjen e rrugëtimit në sistemin brenda të cilit jemi sot, studentët kishin vetëm “teorinë” e lëvizjeve studentore. “Praktika” zotërohej nga ata, që brenda pak javëvë u vunë në krye të Lëvizjes Studentore, e udhëhoqën, krijuan Partinë Demokratike dhe jo “Partinë e Studentëve” dhe…vazhdimi dihet. Janë të shumtë ata që kanë bindjen se ndarja e “pozicioneve partiake” ishte a paracaktuar pasi ishte mirëmenduar. Shprehja mitike e Dritëro Agollit përmblidhte shumëçka nga e verteta që gradualisht e kuptuam të gjithë: Dolën nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës.
Pas 28 viteve, nga brezi në brez, mentaliteti i studentëve është shumë i ndryshëm nga ai i 1990-ës. Kanë të përbashkët etjen e vazhdueshme për ndryshim, ndryshim pozitiv por sot studentët kanë “praktikën” që e kanë vuajtur në kurriz përgjatë 3 dekadave “tranzicion” stërmundues. Është e vështirë që sot, nga jashtë studentëve, dikush t’u vihet në krye, t’u marrë që në embrion “krijesën” e tyre me synim “rritjen” dhe përdorimin për interesa thjesht pushtet- kërkimi, pushtet- marrje dhe pushtet- abuzimi. Sepse kështu ka ndodhur në 28 vite.
Greva e urisë, si mundësi e fundit për realizimin e kërkesave, është e dhimbshme të dëgjohet sot e artikuluar nga goja e studentëve. Lëvizja ekstreme, është e fundit demokratike për t’iu imponuar një pushteti që nuk dëgjon në emër të disa numrave, që edhe ato, janë të dyshimtë në mënyrën si u arritën. Historia përsëritet, pasi në 1990- 1991 këto greva ishin të shpeshta, duke patur si synim heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti por edhe kërkesa të tjera. Sot studentët kanë avancuar dhe nëse kërkesat e tyre do të bien në “vesh të shurdhër”, do të avancohet më tej, deri në largim të kryeministrit, qeverisë apo kastës politike.
Mbase dikush mund të urojë që kjo lëvizje e fundit e studentëve, të kulmojë me krijimin e një partie të re politike. Ndoshta vazhdim i Lëvizjes së Dhjetor 1990, mbase edhe “Partia e Studentëve”. Nëse do të realizohej thjesht në kuadër të një partie më shumë në listën e atyre që çorodisin vendin prej 28 vitesh, e shoh si të gabuar dhe pa shumë të ardhme. Në furinë e lëvizjes, me mbështetjen e kuptueshme të studentëve por edhe të prindërve e të afërmëve të tyre, ndoshta do të ishin surprizë e tipit “Syriza” në Greqi apo “5 Yje” në Itali. Por do të ishte e përkohëshme. Nëse lëvizja ka fuqinë, dëshirën dhe bindjen për largimin e kastës që qeveris me rotacion vendin prej rreth 3 dekadash, do të ishte e mirëseardhur. Sespe ky rrugëtim i vendit nën udhëheqjen e kësaj kaste, ka rezultuar i dështuar dhe shumë i dëmshëm për vendin. Për këtë, askush nuk ka dyshim. Madje, edhe 50% e kastës kur është në opozitë, është dakrt me këtë përfundim. Edhe pse, kur ngjiten në karriket e pushtetit, mendojnë ndryshe.
Çeshtja që mund të shtrohet për diskutim është se sa janë të bindur studentët për të vazhduar atë që u la përgjysmë në 1990-ën. Sa mjete kanë në dispozicion dhe çfarë është më e rëndësishmja, a kanë fuqinë të krijojnë lidership që jo vetëm ti udhëheqë ata, por të ngjallë shpresën thuajse të vdekut tek shqiptarët. Askush më mirë se koha, nuk mund ta tregojë këtë. Duke shpresuar se studentët janë të ndërgjegjshëm se e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre, nuk mund të bëhet më e mirë thjesht duke realizuar “arsim publik falas”, as tarifa më të ulëta në konvikte, as me kartën e studentit. Studentët duhet të krijojnë bindjen se Shqipëri nis një rrugë të re duke shëmbur sistemit, që disa studentë të tjerë në 1990- ën nisën të ndërtonin, mision që e lanë pa përfunduar. Sepse nuk kishin eksperiencën e duhur, shembujt frymëzues, të cilët prej 28 vitesh nuk u mungojnë studentëve nga vendet e zhvilluara përendimore dhe SHBA. Thirrja më e parë e studentëve të sotëm, duhet të jetë për ata të Dhjetorit 1990-ë. Por jo ata që këto 28 vite molën “lopën- pushtet” duke rrahur gjoksin në rradhën e karrikeve me në dorë një foto bardhezi të atyre viteve. E në këtë frymë, jam i sigurtë se Shqipëria është e mbushur me “studentë”. Nuk janë vetëm ata që po protestojnë këto ditë. /Nga Blerti DELIJA/