ANALIZA – Më mirë djepi bosh se djalli brenda tij…

Akoma nuk ka përfunduar reforma zgjedhore e rradhës, por një gjë është e sigurte: Nuk do të jetë e fundit dhe para zgjedhjeve që do të zhvillohen me këtë kod zgjedhor që pritet të miratohet, do të ketë një reformë tjetër zgjedhore!

Duket si lojë fjalësh, por realisht 30 vitet e fundit, thuajse para çdo palë zgjedhjesh, kemi patur një reformë zgjedhore. Jo vetëm kaq, por e miratuar madje me konsesnsus ne mes palëve. Të paktën, konsensus në mes të mëdhenjve PD- PS.


Shtytje për këto rreshta, u bë një shprehje që prej kohësh më sillet në mendje. “Më mirë djepi bosh se djalli (dreqi) në të”. Vetëm pak fjalë por që përmbledhin më së miri atë që është verifikuar këto 30 vite në këtë vend, qoftë edhe me reformën zgjedhore.

Reformat Zgjedhore në këtë vend, kanë patur si shtrat orientimet e OSBE/ODIHR, pas analizave e raporteve që ato i evidentojnë pas zgjedhjeve të rradhës. Nga ana tjetër, edhe gjatë negociatave për Kodin Zgjedhor të radhës, kumbarë kanë qenë ndërkombëtarët, kryesisht përfaqëques të SHBA e BE, në raste të rradha, “trojka” është plotësuar me OSBE apo ambasadë me influencë në vend.

Sivjet, në krah të Yuri Kim dhe Luigi Soreca, është ambsadaori i Britanisë së Madhe. Në fakt, pak e çuditshme përsa kohë Britania e Madhe nuk është më pjesë e BE-së dhe marrëdhëniet e Shqipërisë nuk janë më të ngushtat e mundshme me këtë monarki.

Gjithsesi, duke nisur nga 2017- a, reformat zgjedhore kanë një element të shtuar, të ri, i cili nuk është e vështirë të konstatohet. Po përpara se të shtjelloj këtë risi, duhet nënvizuar një fakt botërisht i njohur dhe jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet e konsideruara në zhvillim apo demokraci të brishta.

Ndërkombëtarët janë të prirur deri në inetresim, ta kenë “mirë” apo “grurë” me qeverinë apo mazhorancën që është në pushtet. Dhe tjetra, në mes stabilitetit qoftë edhe për fasadë dhe standartave sa më të larta të garancive demokratike e zgjedhjeve të pakontestueshme, ndërkombëtarët kanë zgjedhur e vazhdojnë të zgjedhin të parën. Logjika besoj është e thjeshtë: Nuk ka rëndësi nëse janë zgjedhjet sipas standarteve në vendet e tyre, por rëndësi ka të bëhen, edhe nëse problemet janë më të thella e të dukshme se ato të zgjedhjeve paraardhëse. Shembulli më i fundit? “Zgjedhjet” e 30 qershorit 2019, me cilat mund të krahasohen për standarte më të ulëta?!

Për tu kthyer tek elementi i ri apo risia që shoqëron nga 2017-a e këtej reformat zgjedhore. Ka një persion të dukshëm mbi opozitën. Në këtë rast, mbi PD-në, drejtuesit e ekspertët e saj, të cilët kanë përballë jo vetëm rivalët politikë por edhe ndërkombëtarët në këtë betejë. Për ta thënë më kuptueshëm. Opozita nuk e udhëheq më procesin e reformës, por duhet të kanalizojë propozimet e saj në hullinë e mirëpërcaktuar nga mazhoranca me ndërkombëtarët në krah.

E në fakt, është së paku e çuditshme. Sidomos kur opozita, e cila synon me të drejtë pushtetin, kërkon sa më shumë garanci për votimin, numërimin e publikimin e rezultateve. Koha kur mazhoranca e rradhës i drejtohej opozitës së rradhës “sillni çdo propozim për reformën zgjedhore dhe e miratojnë”, i takon tashmë të shkuarës. Të paktën asaj të para vitit 2017.

Në këto kushte, reforma zgjedhore që miratohet, paracakton pa pritur ditën e votimeve edhe fituesin. Kjo është edhe frika e kuptueshme e opozitës së sotme. Një frikë në fakt, që nuk ka të bëjë vetëm me ata që e mbështesin atë, as me të sotmen por më shumë me të nesërmen. Sepse katër vite mandat nuk janë “sot” por “nesër” për jetën e një individi.

Të bëhesh prind, është një nga ndjesitë më të bukura, në kufijtë e hyjnores. Ata që e kanë provuar, dinë ta vlerësojnë. Megjithatë, filozofia “më mirë djepi bosh se djalli në të”, përcjell një mesazh të fortë, për ata që duan ta kuptojnë. Më mirë të mbetesh pa fëmijë, duke u provuar nga një ndjesi gati hyjnore, se dë sjellësh në jetë një djall, një dreq. Sepse mendoj se edhe për reformën zgjedhore, ka ardhur koha që ti tregohet më shumë përmbajtjes se formës. Nuk duhet të mjaftohemi me një reformë zgjedhore të rradhës që pas zgjedhjeve të rradhës, të bëjmë një tjetër reformë. Kështu rrethi vicioz vazhdon përjetësisht! Në 2020- ën Shqipëria nuk ka nevojë për reforma zgjedhore të tipit “nuk ka rëndësi kush dhe si voton por kush numëron”. /Nga Blerti DELIJA/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media