ANALIZA – Marrëveshja e sforcuar Kurti- Mustafa dhe rrugëtimi i garantuar një vjeçar…

2 shkurt 2020, Kosova ka një marrëveshje për një qeveri legjitime! Gati katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme që erdhën pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Isa Mustafa i dhanë vendit të tyre një qeveri.


Për shtetin e Kosovës, është një lajm i mirë por jo një lajm shumë i mirë.

Marrëveshja mund të quhet edhe “Pazar” për ndarjen e pozicioneve të larta kushtetuese. Para pak më shumë se një muaji, Kuvendi i Kosovës, edhe me votat e LDK-së, zgjodhi kryetar Glauk Konjufcën e VV-së. Pas miratimit të qeverisë Kurti, sipas gjasave, e njëjta mazhorancë do të shkarkojë Konjufcën për të ngjitur në krye të Kuvendit një përfaqësues të LDK-së, ndoshta Vjosa Osmanin, kandidate e kësaj partie për kryeministre. Ndërsa më herët Kurti dhe Konjufca thanë se “nuk është koha për shkarkime por për emërime”, a mund të konsiderohet kjo lëvizje “pazar”?! Kurti dhe VV-ja iu dorëzuan presionit të Mustafës e LDK-së, në emër të kujt? Palët thonë se çdo gjë u arrit në shërbim të Kosovës.

Qeveria Kurti do të lindte si një qeveri e vogël, me pak poste dhe rrjedhimisht kursimtare. Janë shtuar disa ministri, do të ketë 15 sosh dhe 33 zëvendësministra. Natyrisht, më pak se ajo që është në pushtet akoma që ka më shumë ministra e rreth 80 zëvendësministra. Kurti u detyrua të tërhiqej kështu nga skema fillestare e qeverisë. Fillimisht për të kënaqur Mustafën por edhe të vetët. Një karrike për Konjufcën tashmë është fakt i kryer. A është ky një “pazar” tjetër mes palëve që nënshkruan marrëveshjen?!

E vetmja pikë që është shtyrë për më vonë, duket se është Presidenti i ri, ai që pas rreth një viti, duhet të pasojë në detyrë Hashim Thaçin. Sipas gjasave, kjo pikë është garancia më e fortë se koalicioni VV- LDK do të zgjasë të paktën një vit. Pas një viti, nuk përjashtohet se mosmarrëveshjet për ndarjen e posteve të rëndësishme, të mos fusin në krizë aleatët e koalicionit. Një vit është mëse i mjaftueshëm edhe për të krijuar “mazhoranca fluide”, fillimisht për të zgjedhur kryetarin e shtetit, më pas pse jo, edhe për të ndërtuar një qeveri të re.

Aleanca VV- LDK është e brishtë. Katër muaj për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisje, janë treguesi më i qartë dhe i fortë. Pa folur për konvergimin e programeve politike, të cilat në shumë çeshtje e pika, janë fort të ndryshme në mes VV dhe LDK. Fati i Albin Kurtit si kryeministër, do të jetë në dorën e Isa Mustafës, ndërsa ky i fundit postin e kryeparlamentarit, mund ta lëshojë fare lehtë, ashtu siç edhe e mori përmes një dorëheqje të kundërshtuar nga VV në fillim.

Por ajo që mbase duhet përgëzuar, për interesin më të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj, është krijimi i një qeverie legjitime, nga zgjedhje të gjithëpranuara. Paralelisht, do të jetë edhe një opozitë e fortë, shumë e fortë, por jo me tymuese e shashka në sallën e Kuvendit të Kosovës. Sepse Albin Kurti do të jetë përballë opozitës dhe jo më opozitë. Duhet pranuar se, si Albin Kurti dhe Isa Mustafa vepruan sipas parimit “qëllimi justifikon mjetin”. Kosova ishte e dyta, menjëherë më pas. /Nga Blerti DELIJA/

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!