Lajm i keq! Kush mendon ndryshe, është anti-shqiptar, budalla ose kërkon të përfitojë politikisht apo ekonomikisht… Mungesa e një marrëveshje për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, nuk mund të përjetohet ndryshe. Edhe pse në fakt, kishte pak dyshime se vendi ynë do të “ngelej për vjeshtë”, edhe pse “vjeshta shkollore” në këtë rast, mund të jetë edhe fundi i pranverës apo fillimi i verës. E për to folur me “gjuhën shkollore”, kaq shpesh sa “kemi ngelur në klasë” nga viti në vit, duhej të na humbiste fare “e drejta e studimit”. Por mesa duket, BE-ja është më zemërgjerë se universitetet shqiptare për studentët.
Këto orë, në horizont kanë dalë mjaft mbështetës të Shqipërisë, natyrisht edhe të Maqedonisë së Veriut në aspiratën për intergim në BE. “Kryeministri” i Europës së Bashkuar dhe “presidenti” i saj, Juncker e Tusk, ishin të parët. E rëndësishme ishte edhe deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit. Ndërkohë, para pak minutave qarkullonte lajmi se kryeministri italian Conte, do ti kërkonte në nëntor Këshillit Europian të çelte negociatat me këto dy vende. Pozicionim i çuditshëm, kur u njoftua zyrtarisht se me këtë çeshtje, BE pritet të merret diku nga maji 2020.
Për herë të parë e publikisht, faktori ndërkombëtar duket i përçarë përballë Shqipërisë në aspiratën e saj për integrim evropian. 25 nga 28 vendet antare të BE-së, janë në krah të vendit tonë. Shtetet e Bashkuara dhe shumë udhëheqës të BE-së, janë në krahun tonë. Dy institucione shumë të rëndësishme si Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian, janë në anën tonë. Problemi i vetëm është modaliteti i funksionimit të BE-së, ku një shtet antar, mund të vendosë veto dhe nuk ka vendim të gjithëpranuar. Kështu veproi Franca, të cilës iu vunë pas Holanda dhe çuditërisht Danimarka. Se çfarë problemesh i ka shkaktuar Danimarkës Shqipëria apo shqiptarët, deri tani nuk e kemi të qartë. Por sipas gjasave, “i është vënë pas” Francës e Holandës, për inerci apo solidaritet nuk përcaktohet akoma.
Pas vendimit negativ për Shqipërinë, siç ishte e kuptueshme, pati reagime edhe në Tiranë. Mund të përmblidhen shkurt në pak rreshta. Rama la të kuptohej se mosdhënia e negociatave, është problem i BE-së dhe jo i qeverisë duke kujtuar se nuk do të ketë votëbesim në Kuvend apo zgjedhje të parakohshme. Në krahun tjetër, Basha fajësoi direkt qeverinë e kryeministrin për dështimin, duke i thënë shkurt e qartë: Rama shporru! Pak më herët, mediat njoftuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev, vendi i të cilit duket “e pësoi” për hatër të Shqipërisë, falë këmbënguljes së Italisë për të mos ndarë “fatet evropiane” të dy vendeve ballkanike. Nga ai moment, tymnaja mbuloi lajmin. Pritet që vetë Zaev të dalë nga Shkupi për të qartësuar nëse ka dhënë dorëheqje ose jo, nëse do të vazhdojë qeveria e tij pa të në krye apo do të ketë zgjedhje të parakohshme politike në Maqedoninë e Veriut.
E në fund, është momenti i konkluzioneve pas gjithë kësaj panorame të parashtruar të fakteve. Ka dy arsyetime, deri diku logjike: Macron ka inat jo vetëm me Shqipërinë por ndoshta personal edhe me Ramën dhe e dyta, presidenti francez ka hallin e shtetit të tij më shumë se të BE-së!
Rama njihet si filo- francez. Madje, jo pak vite ka jetuar në Paris, pavarësisht vështirësive që mund të ketë patur atje, dokumentuar edhe me foto të çuditshme por të veçanta. Po ashtu, një nga shqiptarët më të famshëm në botë, Ismail Kadare prej shumë vitesh jeton në Paris, duke u kthyer gati në një simbol të këtij qyteti. Vërtetë që nuk janë ekipi më i preferuar ndër shqiptarët, por pas Gjermanisë, Brazilit, Italisë, Holandës, Anglisë…e ndonjë tjetri, edhe Franca ka tifozë futbolli në Shqipëri.
A ka probleme Franca nga emigracioni azilkërkues i shqiptarëve, sidomos 5-6 vitet e fundit? A i ka këto probleme më të mëdha se Gjermania? A është vërtetë problem eksportimi i kriminalitetit shqiptar në Holandë? A po kthehen grupet e strukturuara të shpërndarjes së dr.ogës në “lider” në mbarë Europën? A kemi abuzuar në këto drejtime, me liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen? A mund të konsiderohemi realisht një vend antar krenar i NATO-s apo “na futën” ashtu siç po kërkojmë të “na fusin” edhe në BE për mëshirë apo gjeopolitikë?
Shumë nga këto pyetje kanë marrë e po marrin përditë përgjigje, qoftë edhe nga hulumtimi i informacioneve në media tradicionale, portale e deri në rrjete sociale.
Që Bashkimi Europian ka probleme brenda për brenda, ky është një fakt i ditur. Që partitë populiste anti- europianiste po fitojnë terren duke rrezikuar edhe themelet e BE-së, është një fakt i ditur. Por që të themi me gojë plot “PO, e meritojmë integrimin në BE që sot”, me përjashtim të një shqiptari që të gjithë e njohim, vështirë ta thotë kush me zë të lartë! Edhe pse në fakt, çelja e negociatave për vendin tonë, mund të jetë vetëm starti i gjysmës së rrugëtimit tonë evropian drejt BE-së! E mos harroni, kanë kaluar 27 vite nga “trokitja” e parë në këtë derë, të cilën 82% e shqiptarëve vazhdojnë ta shohin si “porta e mrekullisë” për Shqipërinë! /Shënim i ShkodraWeb/
SONDAZHI NË SHKODRAWEB, JEPNI OPINIONIN TUAJ: