ANALIZA/ Llumi ku notojmë prej 28 vitesh dhe rezultatet e një vetting jo perfekt…

Kisha pak shpresë tek vettingu. Flas për atë të gjyqtarëve e prokurorëve. Kjo për shkak të mungesës së plotë të konsensusit politik, i domosdoshëm për pranimin e çdo reforme të mundshme në vend. Natyrisht, edhe për shkak të mosfunksionimit 100% të mekanizmit të përzgjedhjes së antarëve të trupave të vettingut direkt përmes KPK dhe KPA por edhe KLP e KLGJ nëse duam ti përfshijmë në të njëjtin sistem. Por ajo çfarë konstatoj unë por edhe shumë të tjerë, është funksionimi i “sitave” deri tani të paktën. Në të njëjztën kohë, edhe përceptimi i saktë i qytetarëve shqiptarë për një sistem drejtësie të korruptuar dhe me probleme kolosale nga themeli në majën e tij.

Po bien dhe do të vazhdojnë të bien sipas gjasave në rrjetë, VIP-a që kanë ndërtuar perandori duke shfrytëzuar pushtetin e drejtësisë, i ndarë dhe i pavarur nga pushtetet e tjera. Sa më shumë vazhdon vetting-u, aq më shumë bindemi për llumin ku kemi notuar këto 28 vite. Një masakër njerëzore dhe financiare në dëm të miliona shqiptarëve dhe në dobi të një grushti njerëzish qëdrejtësinë e kthyen në bisnes fitimprurës. Edhe sheikët e naftës do u’a kishin zili sheikëve të zhdrejtësisë shqiptare.

E në gjithë këtë zallamahi, konstaton jo pa keqardhje se janë hallka të shumta që kanë mbajtur në këmbë këtë sistem. Natyrisht, në këtë vend gjithçka buron nga politika, por nuk është vetëm faji i saj. Sot po dëgjojmë se ILDKPI, DSIK, SHISH e agjensi të tjera, paskan patur informacion edhe të detajuar për gjyqtarë e prokurorë. Jo vetëm për paratë e paligjshme, por edhe për lidhjet “e papërshtatshme” me individë nga bota e krimit. Si ka mundësi që as këto “filtra” nuk paskan funksionuar e sot, me ndihmën e tyre, po dalin jashtë sistemit dhjetra, qindra sheikë të zhdrejtësisë?

Vetting-u po bën punën e vet. Me rezerva, me pakënaqësi, po të doni edhe me dopio standart. Natyrisht, nuk do të arrijë ta pastrojë 100% tërë sistemin. Por e sigurtë është se do të largojë nga jetët tona shumë sheikë që u pasuruan mbi kurrizin tonë. Por ky vetting, do të ishte shumë i mangët. Duhet të pasohet nga një tjetër, për të gjithë ata drejtues në vite të agjensive ligjzbatuese dhe monitoruese që paskan akumuluar informacione në vite dhe nuk kanë vepruar. Ose, nuk i kanë dërguar aty ku duhej. Ata që janë në detyrë por edhe ata që kanë qenë para tyre, duhet të japin llogari në kuptimin e plotë të fjaës. Për veprime e mosveprime, për fshehje dhe shkelje të ligjit.

Praktikisht, kemi jetuar në një diktaturë. Në krye, paskan qenë sheikët e zhdrejtësisë por që u ndihmuan në konsolidimin e pushtetit pikërisht nga titullarë e zyrtare të agjensive që sot po i japin dërrmën gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar e të lidhur me krimin. Analogji mbase edhe me sistemin diktatorial në vend. Enver Hoxha i vetëm apo edhe bashkë me Byronë Politike, do ta kishin të pamundur të ndërtonin e të mbanin në këmbë diktaturën 45- vjeçare komuniste në Shqipëri. As kjo diktaturë nuk u ndërtua në një ditë, ashtu siç edhe diktatura e zezë e “togave të zeza” që për 28 vjet persekutoi shqiptarët. Fizikisht por edhe financiarisht, duke gjymtuar trupa dhe shpirtra, duke shkatërruar jetë dhe fundosur shpresën bashkë me të vertetën.

Vetting-u vetëm për drejtësinë, vetëm për policinë do të ishte gjysmak. Madje i pavlefshëm. Ky vend ka nevojë të largojë llumin në të cilin noton prej 28 vitesh. Mëkatarët e vetëm nuk janë vetëm gjyqtarët e prokurorët. Kanë edhe ata instrumentat dhe bashkëfajtorët. Të gjithë duhet të japin llogari, të paguajnë deri në një. Edhe pse shumë që do të lexojnë këto rradhë do të buzëqeshin deri në zgërdhirje. Milionat, vilat, makinat luksoze, të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të garantuar nuk mund t’ua heqë as vetting-u. Por të paktën do të vuajnë linçimin publik, diskretitimin e merituar në sytë e shqiptarëve. Nuk është pak, duke njohur llumin në të cilin notojmë! /Nga Blerti DELIJA/

Loading...