Që pas zgjedhjeve të 25 prill 2021 ishte përfolur për një kalim të mundshëm të deputetit të sapokonfirmuar për herë të tretë në Shkodër, Agron Çela, në krahun e Partisë Socialiste. Megjithatë, ajo nuk ndodhi dhe deri ditën e sotme, deputeti i vetëm i LSI- së, sot PL, konsiderohej opozitar, në rresht me deputetët e PD- së.
Sot, burime pranë deputetit të LSI- së në Shkodër, shpërndanë lajmin për kalimin e Agron Çelës në radhët e PS- së. Kjo, pas një marrëveshje me kryeministrin Rama, marrëdhëniet me të cilin, kanë qenë gjithmonë miqësore edhe kur Çela nuk ka qenë pjesë e LSI- së si deputet. Mbetet që vetë Çela ta pranojë apo përgenjeshtrojë këtë “lajm”.
Në fakt, për hir të realitetit, lajme të ngjashme nuk kanë munguar edhe më herët. Është folur për ftohje me Kryemadhin, Metën por gjithmonë Çela është konfirmuar si deputet i LSI- së. “Lajmi” i përhapur sot nga burime pranë deputetit të PL- së, vjen në një situatë mjaft të ndryshme nga herët e tjera. Zgjedhjet politike për deputetë nuk janë aspak afër, ndërsa apo për bashkinë Shkodër janë “pas dere” dhe pesha specifike e LSI- së apo PL- së, nuk është e parëndësishme.
Largimi nga PL- ja drejt PS- së, qofët edhe përkohësisht në kuadër të mbështetjes për Benet Becin me 14 maj 2023, nuk mund të justufikohet me pakënaqësitë për lënien e mandateve në fillim të 2019- ës apo me pakënaqësi të tjera edhe nga PD. Natyrisht, “llogaritë” janë më të ngushta, më individuale sesa ato “ideologjike”, “programore” apo “konceptuale”.
Me gjasë, po shkohet drejt skemës politike të vitit 2015. Asokohe, kur Voltana Ademi kandidonte përballë Keti Bazhdarit, mazhoranca qeverisëse PS- LSI, ishte publikisht në mbështetje të kandidates socialiste. Madje, Meta dhe Rama në takime publike, kërkuan publikisht votën e shkodranëve për kandidaten socialiste.
Dihet si shkuan gjërat atë kohë, deklarimet në rrethe të ngushta të ish- kandidates socialiste por edhe eksponentëve të ndryshëm në PS dhe LSI. Siç tregoi përfundimi i numërimit të votave, prioritet i LSI- së në 2015- ën ishte Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ku LSI doli forcë e dytë duke lënë pas PS- në. Edhe sivjet, Ilir Meta ka evidentuar këshillat bashkiakë si prioriteti i PL- së me 14 maj 2023.
Sigurisht edhe LSI, edhe në Shkodër, bën llogaritë e veta për zgjedhjet vendore. Duke parë situatën aspak të mirë brenda PD- së, me përçarjen që tashmë është e pariparueshme deri me 14 maj 2023, PL do të kërkojë të marrë maksimumin e mundshëm edhe në bashkinë e Shkodrës. Nga ana tjetër, PS- së i nevojiten vota nga të gjitha drejtimet, për të mbushur hendekun e stërmadh që e ndan nga PD- ja e 2015- ës. PL ka mundësinë të realizojë marrëveshje të rëndësishme parazgjedhore për Shkodrën, në rastin më të keq, ti lërë të lirë anëtarët e simpatizantët të votojnë kandidatin e preferuar por të garantojnë votë për këshillin bashkiak. Me gjasë, ky është thelbi i lëvizjes më të fundit politike.
“Shtëpia e Lirisë” me 6 mars 2022, pavarësisht vulës së LSI- së në përfaqësim institucional, në fakt ishte PD-ja e Shkodrës, e fuqizuar nga fryma e ngjallur nga Sali Berisha përmes “Foltores”. Me 14 maj 2023, tashmë Partia e Lirisë do të jetë më aktive. Për ironi të fatit, mbase vula e kësaj force politike, do ti japë legjitimitetin zgjedhur koalicionit ku do të jetë edhe PD-ja, të paktën pjesa që njeh Berishën si lider. Por këtë herë, në Shkodër, deputeti i vetëm i PL- së, do të jetë në krah të Ramës dhe kandidatit Benet Beci. Përballë do të jenë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Bardh Spahia. Siç ka ndodhur të paktn nga 2005- a e këtej, pavarësisht rezultatit, e fituar do të jetë…PL- ja. /Redaksionale e ShkodraWeb/