Ka nisur një “reaksion zinxhir” që vështirë të ndalet. Burgjet shqiptare po boshatisen, Si për ironi të fatit, të një vendi që mban rekord në Ballkan dhe i katërti në Europë për numrin e të burgosurve për 100 mijë banorë.
Po boshatisen ndërkohë që u tejmbushën me fakir- fukarenj që plaseshin brenda për borxhe të pashlyera ndaj OSHEE-së, “vjedhje” energjie nga pamundësia për ta paguar, që guxojnë të ndërtojnë çatinë e kasolles së tyre pa leje…
Por boshatisja e burgjeve në këtë vend, po ndodh me selektim. Ata që lirohen para kohe, janë nga ata që më parë se fjalën nxjerrin pistoletën apo kallashin. Janë ata që në të kaluarën e tyre, urojmë jo në të sotmen e të nesërmen, kanë mbi ndërgjegje jetët e shpirtrat e shumë shqiptarëve. Disa syresh, lirohen pasi burgimi i përjetshëm iu konvertua në 25 vjet e më pas, i falen edhe ca vite të tjera bazuar në këtë apo atë ligj, amnisti etj…
Ata gjyqtarë që japin vendimet, janë të bindur se u arrit qëllimi: Janë edukuar dhe duhet të riintegrohen në shoqëri! Jo vetëm kaq! U janë premtuar punësime me vlera qesharake, 35 mijë lekë në muaj për punë të rëndomta. Të ngjashëm me ata që janë pas hekurave, e sipas gjasave fërkojnë duart me shpresën se shpejt u vjen rradha të prekin lirinë, kanë deklaruar publikisht se në burg kanë “buxhet” mujor 50 apo 100 mijë lekë të reja. Por në liri, kënaqen edhe me vetëm 35 mijë lekë të reja, sepse ky mesa duket është çmimi që dikush mund ta blejë lirinë. Në pjesën e dukshme të pazarit, sigurisht.
E gjithë kjo po ndodh në kulmin e vetting-ut, kur gjyqtarët duhet të dridhen nga frika e KPK-së, KPA-së, ONM-së, Komisionerit Publik, kryeministrit me “KÇK”-të, KLGJ-së, KLP-së, SPAK-ut, BKH-së, akronime që sipas gjasave shumë që i lexojnë kanë vështirësi ti deshifrojnë.
Situata e javëve të fundit po tregon qartë se “reforma në drejtësi” mesa duket më shumë po mbulon “atë të maces” sesa po spastron sistemin. Përveç standardeve dyfishe, vettingu po krijon edhe “perden e nevojshme” që të dalin nga burgu “ata që duhet të dalin” dhe që jo vetëm atje, por edhe në mes tonë do të kenë statusin “VIP”.
“Ujku, ujku por çakalli po bën kërdinë”. Nuk është shumë e vështirë të kuptohet, sidomos sot, se kush është ujku e kush çakalli në këtë histori. /Nga Blerti DELIJA/