ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Kush po e shtyn Valdrin Pjetrin të gabojë…?!

Në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës, Valdrin Pjetri, një nga emrat më të lakuar të ditëve të fundit, publikoi në faqen e tij në Facebook dy certifikata. Sipas tij, ato provojnë se kandidati për tu ulur në karriken e kryetarit të Bashkisë Shkodër, nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar në Itali.

Loading...

Pa dashur të ndalemi tek përmbajtja apo çfarë vertetë përfaqësojnë aty dy shkresa, nëse Valdrini ka qenë ose jo i ndaluar/arrestuar/dëbuar nga Italia, ia vlen të gjykohet mbi momentin e bërjes publike të dokumentave.

Vetëm pak orë pasi PD e akuzoi zyrtarisht, Valdrin Pjetri pari një prononcim të shkurtër për një media por që u shpërnda me shpejtësinë e vajit mbi ujë në çdo qoshe mediatike në këtë vend, e sidomos në rrjetet sociale. “U njoha nëpërmjet kërkesës së Bardhit i cili bazohet dhe firmos mbi “Indicie Publike”. Sigurisht që jam i hapur mbi çdo verifikim timin por jo mbi “Indicie Publike”. Askush më mirë se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së  z. Bardhi dhe cdo personi tjetër të interesuar apo kurioz. Pasi institucioni i ngarkuar nga ligji për të kryer verifikimet e kërkuara të ketë kthyer zyrtarisht përgjigje, nga ana ime do ketë një prononcim publik mbi këtë kërkesë të z.Bardhi të bërë në emër të Partisë Demokratike”. Ky ishte deklarimi i parë i Pjetrit, i cili në fakt la në “stand- by” të gjithë. Pritej të fliste organi i ngarkuar me ligj për verifikimet. Më pas, mund të kishte komente dhe deklarime pa fund politike nga Pjetri, PD apo edhe amatorët e palëve në rrjete sociale.

Edhe para 48 orëve, ai zgjodhi të njejtën linjë, këtë herë me zë dhe me figurë para mediave në Vau- Dejës. Me një ndryshim të vogël, duke shtuar togfjalëshin “gjyq publik” që po i bëhej dhe duke mohuar publikisht çdo akuzë. Nuk është e vështirë të kuptohet se këto dy dalje publike të Pjetrit, janë në linjën e një PR-i të sprovuar. Shprehesh i hapur që drejtësia të bëjë punën e vet, nuk jep shumë detaje që mund edhe të shfrytëzohen të paktën politikisht, punën në pjesën “e padukshme” për realizimin e qëllimit dhe flet vetëm pasi të ketë folur organi kompetent, këtë rast, Prokuroria pasi të marrë përgjigjen zyrtare nga homologët italianë për rastin konkret.

Por jo! Valdrin Pjetri papritur ka dalë nga “skema” e nisur në ditët e para të gushtit. Ai nxitoi të publikojë dy dokumente. Një nga Prokuroria italiane dhe një nga Ministria e Drejtësisë. Nuk e dimë formimin e Pjetrit, por sipas gjasave duhet të jetë jurist. Edhe mos qoftë, e ka kulturën e nevojshme judidike për të vlerësuar vlefshmërinë e dokumentave që ka nxjerë përballë akuzave të PD-së.

PD reagoi e para, duke i kujtuar rastin “Roshi”, i cili për hir të realitetit, bëri të njëjtat veprime si Pjetri, duke publikuar dy shkresa identike, një nga Ministria e Drejtësisë së Italisë dhe një nga Prokuroria e vendit fqinj. Jo vetëm kaq. PD i bëri një pyetje të thjeshtë për një datë: Çfarë të kujton 27 janar 2003?

Çfarë mund të jetë kjo datë? A disponon PD të dhëna të tjera për të kaluarën e Pjetrit në Itali dhe po e paralajmëron?

Ndërkohë, në rrjete sociale, këto kohë burim informacioni i vazhdueshem dhe jo rradhë i vertetë, pas dokumentave të publikuara nga Pjetri, kanë nisur të dalin detaje të tjera. Përveç datës së dhënë nga PD, flitet për 18 muaj heqje lirie, 1000 euro gjobë, dëbim deri në 10 vjet i vlefshëm deri me 31.07.2012, heqje e lejes së qëndrimir me datë 04.02.2003 që e kishte marrë me 01.09.2001, ekspulsioni ka marrë formë definitive me datë 24.07.2015 etj., etj.

Natyrisht, deri në momentin kur do të ketë një përgjigje zyrtare nga Prokuroria italiane, të gjithë janë në fushën e hamendësimeve apo insinuatave politike apo edhe individuale. Fakti i publikimit të datave të sakta, nënkupton se dikush/disa kanë patur apo kanë informacion, akses në atë që mund të jetë e verteta e Valdrin Pjetrit në Itali. Por nga ana tjetër, mund të jetë edhe “skemë” për të goditur deri në linçim kandidatin për qytetar të parë të Shkodrës.

Duke folur për anën formale, atë të datës së shkresave që Pjetri ka publikuar. Të dyja mbajnë datën 19 korrik 2019. Në takimin informat tek Hotel Rozafa në Shkodër, Lulzim Basha artikuloi para të pranishmëve diçka për dyshimet për të shkuarën e inkriminuar të Pjetrit në Itali. Por nuk pranoi të flasë për gazetarët kur e pyetën më pas lideri e PD-së. Me 23 korrik, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Edi Rama prezantoi Valdrin Pjetrin si drejtues politik të qarkut të Shkodrës, duke zëvendësuar Ditmir Bushatin. Me 1 gusht, PD akuzoi publikisht Pjetrin për të shkuarën e tij kriminale në Itali.

Nuk është e vështirë të kuptohet se shkresat nga Italia që publikoi mbërmë Valdrini, nuk kanë ardhur menjëherë sapo i postoi në Facebook. A është vënë në lëvizje pas akuzës së Bashës në Shkodër? Deklarata u bë nga Basha me 15 korrik në darkë, shkresat kanë datën 19 korrik, kaq shpejt të ketë lëvizur Pjetri dhe institcionet italiane? Pra, me 16 në mëngjes është bërë kërkesa, ka udhëtuar me postë apo dorazi me avion dhe brenda tre ditëve Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë kanë prodhuar dokumentet e kërkuara? Edhe mund të ndodhë, por Prokuroria shqiptare thotë se duhet shumë më tepër kohë se kaq. Sidomos në një shtet si Italia që drejtësia për vetë italianët ecën me hapin e kërmillit.

Pas akuzës së Bashës nga Shkodra, a mund t’ia ketë kërkuar këto dokumente Edi Rama para se ta vendosë si lider politik të Qarkut të Shkodrës për PS- në? A thua Rama të mos i ketë besuar formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ nga i përzgjedhuri i tij për Shkodrën, duke i kërkuar edhe dokumente nga drejtësia italiane? Duke njohur Ramën, nuk është çudi, edhe pse PD këmbëngul se kryeministri e njihte të shkuarën e Pjetrit në Itali. E vetmja e gjë e sigurtë është se dokumentet e ardhura nga Italia, nuk kanë lidhje me akuzat publike të PD-së me 1 gusht sepse mbajnë datën 19 korrik.

Papritur mbase, Valdrin Pjetri e sheh veten në mes të “syrit të ciklonit” politik në vend. Edhe pse deri diku, është komod deri tani të paktën. Prokuroria apo edhe PD kanë për detyrë të vertetojnë apo të hedhin poshtë me dokumente akuzat e opozitës. “Barra e provës” ishte jo detyrim i tij. Prandaj Pjetri gaboi me publikimin e dy dokumenteve të ardhura nga Italia, duke kërkuar të shfajësohet përballë akuzave të PD-së, pa patur nevojë, pa ia kërkuar askush. Apo ia kërkuan. në orët e vona të të shtunës…?! /ShkodraWeb/

MUND TË LEXONI EDHE: OPINION/ A po e lënë vetëm Valdrin Pjetrin…?!

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.