Një polemikë, sipas meje e kotë, ka nisur sot publikisht në mes Policisë së Shtetit dhe Partisë Demokratike. Njoftimi për zhvillimin e protestës së rradhës të opozitës, ka marrë refuzimin e Policisë së Shtetit për sheshin para Kuvendit me 5 mars 2019.
Nuk është e nevojshme të jesh jurist për të “përkthyer” një parim universal, nën pushtetin e të cilit është edhe Shqipëria: E drejta për tubim apo grumbullim. Policia e Shtetit nuk ka të drejtë të refuzojë përveç rasteve kur mitingjet ndalohen me ligj, kur cënohet siguria kombëtare etj. Nëse mund të presupozohet ndalimi i protestave nga policia, ç’kuptim do të kishte sanksionimi i kësaj të drejte në Kushtetutë, pa i lënë mundësi askujt ta interpretojë.
Dy janë elementet ku mbështetet policia për të refuzuar lejen për sheshin para parlamentit, duke i kërkuar të zgjidhet një shesh tjetër. “Rrezikohet jeta e deputetëve dhe cënohet siguria kombëtare”, pohon Policia e Shtetit në thelb. E drejta e tubimit është e drejtë e pamohueshme universale. Sigurisht, duhet të prevalojë edhe në “ngushtimin e përkohshëm” të të drejtave të 75-80 qytetarëve shqiptarë, qoftë edhe deputetë me imunitet. Në kuptimin që, siguria e jetës së tyre, nuk mund dhe nuk duhet të pengojë tubimin e opozitës. Policia nuk duhet ti heqë telashe vetes, por të krijojë një korridor, një hapësirë, një mundësi që deputetëve të mos “u rrezikohet jeta” dhe të hyjnë e të dalin lirisht nga Kuvendi. Ekzistojnë të gjitha modalitetet për ta garantuar, deri në momentin kur të vertetohet se kjo pengohet nga protestuesit, gjë që vështirë të ndodhë. Pak a shumë, e njëjta logjikë që policia mund të përdorte edhe për protestat para Kryeministrisë, sepse edhe aty mund të “rrezikohej jeta” e kryeministri Rama dhe të tjerëve me imunitet apo jo që punojnë në atë ndërtesë. Edhe pse në fakt, në këtë rast, “masat” i mori vetë Rama duke u larguar nga ndërtesa para fillimit të protestës. Sa për pjesën e dytë të arsyetimit të policisë për mosdhënien e lejes për tubim tek Kuvendi, “cënim i sigurisë kombëtare”, jemi në kufijtë e qesharakes dhe nuk ia vlen të japim arsyet.
Opozita ka dalë zyrtarisht nga Kuvendi, duke hequr dorë nga antarësia e tij, duke e konsideruar jolegjitim, duke kërkuar rinovim përmes zgjedhjeve të parakohëshme. Po atëherë, ku duhet të protestojë opozita përveç se para Parlamentit?! Nuk duhet të kesh gradë shkencore për ta kuptuar, as të jesh jurist. Edhe simbolikisht, edhe fizikisht protesta legjitimohet pikërisht para institucionit që kontestohet. Kështu ka ndodhur e po ndodh përditë në shtete që janë djepi i demokracisë. Përndryshe, gjithçka bëhet qesharake: Tubim para Akademisë së Shkencave për të kërkuar zgjedhje të reja politike ose, tubim para Kuvendit për të kërkuar shkarkimin e trajnerit të Kombëtares së futbollit!
Me vendimin e vet dhe vendosmërinë e opozitës për të ushtruar të drejtën kushtetuese të tubimit, Policia e Shtetit po ndikon në acarimin e panevojshëm të situatës por edhe në karikimin më të fortë të protestuesve potenciale. Opozita, sa ishte në Kuvend, ankohej se i mbyllej goja, nuk i jepej e drejta e fjalës. Tani që është jashtë parlamentit, pa imunitete, pa mandate, si qytetarë të thjeshtë, po tentohet ti mohohet edhe e drejta e protestës. Çfarë mbetet…nxjerrja jashtë ligjit me ligj e opozitës?! Nuk është aspak shenjë e mirë për një polici që “nxjerr dhëmbët” pa patur nevojë dhe nga ana tjetër, hoqi dorë nga ruajtja e rendit publik në stadiume përballë tifozëve… /Nga Blerti DELIJA/