Drejtorët rajonalë që kanë dhënë dorëheqje deri tani, i njoh. Disa syresh nga afër. Me ndonjërin kam edhe miqësi. Por me të gjithë, në periudha të ndryshme, më ka lidhur puna si gazetar.
Për ata apo edhe të tjerë që janë në listën e dorëheqjeve të imponuara nga kryeministri i vendit, “nuk mund ta vë dorën në zjarr” për ndershmërinë e tyre në ushtrim të postit që iu është besuar. Për asnjërin prej tyre nuk mund të hedh akuza, aq më shumë kur edhe kryeministri e ka thënë më shumë se një herë se të gjitha akuzat depozitohen në Prokurori.
Për asnjë nga drejtorët nuk mund të them nëse e kanë merituar apo jo postin që iu është dhënë. Ashtu siç nuk na pyet askush kur hiqen apo dorëhiqen, nuk na kanë marrë mendje as kur i emëruan.
E pas këtyre pohimeve, nuk mund të rri pa e thënë publikisht se kryeministri Edi Rama, po gabon shumë rëndë!
Shqiptarët mund të mbajnë mend apo harrojnë shumë nga mijëra deklaratat e Ramës si kryeministër apo edhe ish- kryetar i opozitës për 8 vite. Por e kanë të vështirë të harrojnë vokacionin e tij të përsëritur publikisht për të bërë shtet, përmes reformave, siç i cilëson ai.
Urdhri i tij i fundit, shemb edhe atë pak besim që njerëzit mund të kenë patur sa i takon shtetbërjes nga Rama. Kush e garanton Ramën dhe banorët e qarkut Shkodër se 27 gra drejtore rajonale do të administrojnë më mirë se 22 burra dhe 5 gra që janë aktualisht në detyrë? Nëse ka patur indicie nga portali i denoncimeve të qytetarëve, pse nuk i ka dërguar vetë ai i pari në prokurori?
Duke u fshehur pas fustanit të grave, Rama vetëm sa përpiqet të krijojë një alibi për largimin e drejtorëve të tij në qarkun e Shkodrës.
Ka një dyshim në fakt lidhur edhe me qëllimin e këytare lëvizjeve njëherësh. Shumë nga drejtorët, burra apo gra, dihet publikisht që kanë shkuar si kandidatura në zyrat e ministrave përmes dorës së deputetëve të qarkut. Jo vetëm qytetarët por edhe disa drejtorë e kanë shprehur se “jam drejtor i propozuar nga X deputet”. A do të marrë vetë në dorë të gjitha emërimet në Qarkun e Shkodrës, tashmë që është edhe udhëheqës politik i Veriut të Shqipërisë Edi Rama? Është alternativa më e mundshme, më e besueshme dhe që justifikon deri diku çmendurinë e dorëheqjeve në bllok të drejtorëve rajonalë në Shkodër.
Me këtë lëvizje, kryeministri po tenton të fshehë dështimin e sistemit të instaluar nga ai në rekrutimin e administratës shtetërore. Sa nga drejtorët aktualë mbajnë vendin e punës falë konkurrimit, që me aq bujë u trumbetua nga Rama para dhe pas 2013-ës? Asnjë! Për cilët nga këta drejtorë u zhvillua një debat, të paktën brenda rradhëve se nuk po themi votim me alternativë brenda strukturave? Asnjë! Cilët nga këto drejtorë kanë qenë totalisht të pavarur nga partia e tyre apo deputeti “i tyre”? Thuajse asnjë!
E për ta mbyllur me fshehjen pas fustaneve të grave nga kryeministri. Duke filluar nga qeveria, parlamenti, ministritë, drejtoritë e përgjithshme në dikastere, gratë e shkarkuara apo të qarkulluara nga Edi Rama, nuk janë shumë më pak se burrat. Mbase ia vlen që dikush t’ia kujtojë kryeministrit se “promovimi i grave” nuk mund të sherbejë më si “gjethe fiku” për të mbuluar dështimin e sistemit të përzgjedhjes së “shërbëtorëve” të shtetit! /Nga Blerti DELIJA/