Ilir Meta është një politikan profesionist. Ndër të paktët në këtë vend që çdo gjë e ka arritur me “muskujt e vet”. Gjatë 29 viteve në këtë “zanat”, Meta ka dhënë prova të forta. Jo vetëm përballë kolegëve në politikë por edhe përballë Drejtësisë. Madje në opozitë dhe në pushtet.
Ilir Meta është ndoshta më i suksesshmi, duke provuar brenda pak viteve tre pozicionet më të larta të hierarkisë së një shteti: Kryeministër, kryetar Kuvendi dhe President. Të gjitha këto nuk janë përshtypje por fakte.
Nga 2004 deri në 2017, Meta dhe LSI-ja e tij, ishin faktor thelbësor për qeverisjen e këtij vendi. As efekti “sandviç”, i gjendur në mes “të mëdhenjve” PD dhe PS nuk nuk arriti ta shtypë. Asnjë manovër politike, e hapur apo e fshehtë, përmes ndryshimit të Kushtetutës apo ligjeve, nuk e nxorri jashtë loje.
Jo rradhë herë Ilir Meta ka “treguar edhe dhëmbët”, duke qenë në pozita aspak komode politikisht e përballë ligjit. Në të njëjtën kohë, ka qenë mjeshtër në sheshimin e kontradiktave por edhe vendosjen e urave të komunikim- bashkëpunimit edhe me kundërshtarët më të ashpër.
Personalisht, e kisha parashikuar shumë kohë para zgjedhjeve të 2017-ës se kishte një marrëveshje Meta- Rama për “ti hapur krahun” njëri- tjetrit, duke marrë Presidencën nominalisht. E në fakt kështu ndodhi edhe pse pjesa e dytë e parashikimit- unifikimi apo federimi i PS- LSI nën udhëheqjen e një lideri, nuk u realizua dot.
Etja për pushtet apo edhe nevoja për të mbyllur mundësinë e një zgjidhje ekstreme siç ishte shpërndarja e Kuvendit, detyruan Ilir Metën të bënte (në këndvështrimin tim!) gabimin më të madh në karrierën e tij politike: Pranimin e postit të Presidentit në 2017- ën!
Sot faktet japin të drejtë. Prej rreth 2 vitesh, Ilir Meta është në një “kafaz të artë” dhe ku mjeti i tij i vetëm për të treguar se është “gjallë”, është fjala dhe…dekreti presidencial!
Pesha publike por edhe juridiko- institucionale e këtij të fundit, është në nivelin zero. Prej disa muajsh, dekretet e Ilir Metës janë thjeshtë një “pusull bakalli” për mazhorancën. Kur shkojnë kundër interesit të saj, mazhoranca mbledh Kuvendin që e zotëron dhe ia rrëzon me rezolutë.
Ilir Metës i ka mbetur vetëm Fjala! Komunikimet shumë të shpeshta me publikun dhe median përmes rrjeteve sociale dhe konferencave për shtyp, janë tregues i pamundësive të tjera për të reaguar institucionalisht.
Për ata që duan të kuptojnë, Presidenti i vendit ka shkelur dje pasdreke “vijën e kuqe”. Nëse kapet edhe Drejtësia, Meta paralajmëroi qartë se për shqiptarët ka vetëm tre alternativa për të reaguar: Duke marrë ar.mët, duke u bërë skllevër ose duke ikur jashtë vendit. Janë të papranueshme, sidomos dy të fundit, saktësoi kreu i shtetit.
Ilir Meta vazhdon të bëjë politikë, ashtu siç ka bërë gjithë jetën e tij. Por tashmë në “kafazin e artë” ku ndodhet, hapësirat i janë ngushtuar ndjeshëm. Ai ka vendosur t’ja tregojë këtë edhe shqiptarëve. Më shumë se pyetje- përgjigje, dialogje, monologje përballë gazetarëve në Presidencë, studio televizive apo rrugë, janë klithma të një kryetari shteti që e sheh veten të pafuqishëm. Të pafuqishëm përballë një realiteti që sipas tij, po degradon standardet demokratike të arritura në 29 vite. Mbase mund të jetë edhe frikë për atë që mund të ndodhë me Presidentin pas ngritjes së “piramidës” së re të Drejtësisë. Të paktën këtë ia kujton herë pas here edhe mazhoranca.
Ilir Meta po flet para qytetarëve shqiptarë por sigurisht edhe për veshët e ndërkombëtarëve ose “arbitrit” që duhet të jetë i paanshëm në mes palëve. Perceptimi publik i presidentit për këtë pjesë të realitetit shqiptar (për ndërkombëtarët),është mjaft negativ dhe e ka shprehur. Përmendja e shifrës 150, 200 apo 300 milion për reformën në drejtësi dhe asocimi me termin “korrupsion të ndërkombëtarëve”, është një detaj që nuk mund të kalojë pa u vënë re.
Qytetarët shqiptarë siurisht dëgjojnë. Dëgjojnë por me mendjen më shumë tek Gjermania apo Franca, më së shumti po kthehen në “tifozë” politikë, duke e parë çdo gjë në rolin e spektatorit. Të velur apo të mërzitur nga pafuqia e votës e pozicionimit të tyre, sot pjesa më e madhe thjesht rrinë e vështrojnë se çfarë do të ndodhë me ta, me të sotmen e tyre e të fëmijëve sepse e nesërmja si parashikim, është e pamundur të ëndërrohet.
“Tri alternativat” e Presidentit Meta ditën e djeshme, janë shoqëruar me heshtjen e faktorit ndërkombëtar në Tiranë. Nuk ka as pozicionim negativ por as pozitiv ndaj tyre. “Arbitra” që reagojnë edhe për çeshtje shumë më të parëndësishme, kanë zgjedhur të bëjnë veshin e shurdhër. Është në favor apo disfavor të Presidentit Meta? Secili e ka nga një përgjigje…! Ka edhe një fakt tjetër: Në 29 vite Ilir Meta nuk është rrëzuar asnjëherë totalisht edhe pse historia na ka mësuar se ka gjithmonë “një herë të parë”. /Nga Blerti DELIJA/