ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Ka fitore por ka edhe fitore si e…Pirros

Historia është mësuesi më i mirë! Për të kuptuar atë që ka ndodhur, por sidomos atë që mund të ndodhë, duhet kthyer koka pas shpesh. Ndër prijësit- luftëtarë që kombi ynë nga nxjerrë në shekuj, përveç Gjergj Kastriotit, jo rradhë herë përmendet edhe Pirro i Epirit. Në fakt, sundimi i tij u shtri në një territor shumë të gjërë të Ballkanit të sotëm, zhvilloi mjaft beteja, korri shumë fitore, por ajo që mbahet mend edhe pas mijëvjeçarëve të ekzistencës së mitit, mbahet mend vetëm njëra fitore. Bota mbarë e quan fitore si e Pirros. Në betejën që u zhvillua më pas në Heraklea afër Tarentit (280 para Krishtit), Pirro u ndesh me një ushtri Romake dy herë më të shumtë në numër se ushtria e tij dhe doli fitimtar. Mirëpo ai humbi aq shumë oficerë dhe ushtarë saqë thirri: “Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetem në Epir”. Nga këtu, lindi edhe shprehja “Fitore si e Pirros”…

Në fakt, Edi Rama të dielën e 30 qershorit, nuk pati kundërshtar direkt në fushë- betejën e tij. Asnjë logo serioze politike nuk e rrezikonte fitoren “spektakolare” në 61 bashkitë e vendit. Numërimi i deritanishëm dhe shpallja e fituesve në gati gjysmën e bashkive të vendit, vërtetojnë këtë fakt. Kryeministri e dinte rezultatin e votimeve pa nisur akoma ato. Me gjuhën e matematikës, ishte ngjarje e sigurte, me probabilitet 1.

Po pse hyri në garë në këto kushte shefi i mazhorancës? A mos ishte etja për pushtet, e cila shtohet sa më shumë e shijon atë? Apo kërkonte ti jepte një shuplakë atyre që sipas tij, braktisën garën? Duhet të kalojnë edhe disa kohë që kjo të qartësohet. Por ajo që kuptohet lehtë deri në këto momente është, dëshira e Edi Ramës për të triumfuar jo në votime, por në referendum. Atë çfarë në fakt e përmendi opozita, e ëndërronte Edi Rama.

Referendumi e nxorri humbës kryeministrin e vendit. Edhe nëse shifra e pjesëmarrjes në votime është në kufijtë e 20%. Ajo çfarë mund të konstatohet që në zanafillë, pa u lodhur shumë në përllogaritje, është se Edi Rama u braktis edhe nga vetë socialistët. Nuk është aspak e vështirë që të kuptohet se duhet të jenë vënë në rresht, ata që janë rrogëtarë të “shtetit të madh” dhe “shtetit të vogël”. Aty ku PS qeveriste bashkitë.

Mazhoranca ka rënë nën rezultatin e vitit 2015-të dhe 2017-të. Rezultatet e deritanishme flasin qartë, edhe pse vetë votohej, vetë numërohej, vetë shpallej rezultati. Pertej këtyre shifrave, për herë të parë nga 1990-a, një parti e vetme, një politikan- kryeministër në Shqipëri, unifikon qeverisjen qendrore dhe atë vendore në një dorë të vetme njëngjyrëshe. Ajo çfarë mbetet të verifikohet, është aftësia e menaxhimit të një pushteti kaq të madh, në dorën e një njeriu të vetëm.

Kryeministri Rama, ndoshta edhe pa dëshirën e tij, është ngjitur brenda 6 viteve në zenitin e tij politik. Sipas gjasave, edhe po të dëshirojë, nuk mund të ngjitet më lart në hapësirën shqiptare të Republikës. Është i plotfuqishëm, i pakontestueshëm në të gjitha kuptimet e e mundshme të fjalës….

Historia tregon se me gjithë madhështinë që e shoqëroi gjatë jetës, fundi i Pirros së Epirit, nuk ishte më i lavdishmi i mundshëm. Ndërsa kishte hyrë triumfator në qytetin Argos, Pirro papritmas u izolua në një lagje. Në këto kushte, i kërkoi ndihmë djalit të tij Heleni, që komandonte një pjesë të ushtrisë. Ai duhej të hapte një shteg në mur për të shpërqendruar armikun dhe të lejonte tërheqjen e të atit, por i keqkuptoi instruksionet dhe ajo që bëri ishte të hynte në qytet nga i njëjti vend nga ku po arratisej Pirroja. Duke u ngatërruar mes njerëzve, armaturave, armëve, rënia e një elefanti përballë portës ngushtoi kalimin.  Ndërsa përpiqej të vinte rregull, Pirroja u godit nga një shigjetë në gjoks. Mbreti Pirro u rrotullua për të vrarë ushtarin që e goditi por nëna e këtij të fundit e goditi me një tjegull duke e rrëzuar nga kali, në këtë mënyrë njëri prej maqedonasve, i quajtur Zopiro përfitoi nga rasti, për ta vrarë dhe për t’ia prerë kokën. Kështu, erdhi fundi i Pirros, nga një tjegull në kokë e duke ikur, bëri të famshëm një maqedonas të zakonshëm. Sa herë kujtohet fitore e Pirros, kujtohet edhe një maqedonas, ndoshta jo me emër… /ShkodraWeb/

 

 

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.