
Në vitin 1997 Sali Berisha ishte pa i mbushur 53 vite të jetës së tij kur u detyrua të ndërpresë mandatin e marrë në prill të atij viti. Ishin të shumtë ata që e medonin këtë moment si fillimin e fundit të tij në politikë. Po largohej me kryengritje të armatosur nga pushteti pas 5 viteve por pasi përgjatë tyre kishte “lejuar” fitoren e opozitës së asaj kohe në zgjedhjet vendore të korrikut 1992 vetëm 4 muaj pas fitores plebishitare të 1992- it, pas humbjes në referendumin për Kushtutën në 1994 dhe zgjedhjeve vendore të tetorit 1996- 5 muaj pas “fitores” së zgjedhjeve të 26 majit që shënjuan fillimin e fundit pët pushtetin e Berishës. Në 6 vite, duke nisur nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, Berisha kishte arritur më shumë humbje se fitore në garat ku mori pjesë. Edhe nga 1997 deri në 2005, ai korri jo pak humbje. Pak a shumë, vitet në pushtet të Edi Ramës janë shënjuar sa nga fitore por edhe humbje, në mos më shumë. Por gjatë kësaj periudhe, në qeverisjen e tij Berisha ka shënjuar edhe arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë: Antarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave!
Edi Rama erdhi në politikën e lartë përmes emërimit nga Fatos Nano si ministër në qeverinë e tij më 1998- ën. Garën e parë Rama e fitoi në vitin 2000 për Bashkinë e Tiranës, të cilën e përsëriti në 2004 dhe 2007. Humbi vetëm përballë Sali Berishës- Ilir Metës- Lulzim Bashës më 2011-ën, ku dorëzoi çelësat e kryeqytetit. Në përballje politike ai ka humbur vetëm në vitin 2009, ndërsa në 2013 dhe 2017 ka fituar. Për pushtetin vendor, ka korrur fitore të thellë me PS-në në 2015-ën dhe të papërsëritshme më 2017-ën duke marrë 99% të qeverisjes vendore në Shqipëri. Sigurisht, duke qenë i vetëm në “lojë”.
Ndryshe nga Berisha, Rama nuk është “i kalitur” me humbjen. Edhe në ato pak raste, Edi Rama ka kërkuar të tërhiqet por nuk është lejuar nga njerëz të fuqishëm pranë tij, të cilët e kanë mbajtur në krye.
Sot, pakkush ka dyshime se Edi Rama është kthyer në “skllav të pushtetit” dhe “armik” të daljes në opozitë. Aludimet, edhe të opozitës, se “janë oligarkët ata që i imponohen për të qëndruar në pushtet”, nuk kanë bazë. Transformimi i thellë i Ramës konstatohet duke iu kthyer pas në kohë arkivave të mediave. E nisi ngjitjen drejt postit të kryeministrit si “misionar” ndërsa sot as nuk i shkon në mend të shkëputet nga karrikja, çfarëdo mynxyre t’i ngjasë këtij vendi.
Sot Edi Rama është 55 vjeç ose dy vjet më i madh nga Sali Berisha kur u rrëzua me kryengritje të armatosur nga pushteti më 1997-ën. Pavarësisht mjekrës së gjatë dhe të bardhë, kjo është mosha e Edi Ramës. Por a ka kohë e mundësi Edi Rama “të provojë” një aventurë që mund ta largojë nga karrikja me të cilën është i super dashuruar? A ka garanci se mund të rikthehet sërish, ashtu siç u rikthye Berisha pas 8 viteve? Qasja aktuale e Edi Ramës ndaj refuzimit të çeljes së negociatave nga BE, krejtësisht e ndryshme nga ajo e homologut maqedonas Zaev (që edhe “u dogj” për shkak të Ramës në Bruksel), jep përgjigjet e nevojshme.
Është e qartë, Edi Rama ndjehet i plakur dhe këtë kërkon ta demonstrojë edhe me pamjen e jashtme. Ndoshta kryeministri ndjehet edhe i lodhur dhe e ka kuptuar se rrezikimi i karrikes së kryeministrit përmes zgjedhjeve të parakohshme, mund të mos i japë më shansin të synojë pushtetin pas 4 apo 8 viteve, siç bëri Berisha. Sepse me rënien nga pushteti politik, pa më të voglin dyshim Rama do të ikë apo detyrohet të ikë nga karrikja e të parit të Rilindjes në PS.
Nëse do të ishte i sigurtë në fitoren e tij, nëse vërtetë opozita është e çorganizuar siç ai proklamon nga mëngjesi në darkë, mund të ngjitet tek Presidenti Meta, të depozitojë dorëheqjen dhe ti prijë vendit në zgjedhje të parakohshme. Jo në mars si Zaev, por brenda 45 ditëve.
Është e qartë se Edi Rama e ka kuptuar se ylli i tij në politikë është drejt shuarjes përfundimtare, pasi e ka braktisur prej vitesh tanimë edhe karizma e shprehur edhe me batutat e momentit. Ja pse nuk duhen pritur zgjedhje të parakohshme, me dëshirën e tij, nga Edi Rama. Kurdo të ketë garë, sepse një ditë do të ketë, Rama nuk do të duhet të përballet me Lulzim Bashën e opozitën e sotme por me imazhin e Sali Berishës, të cilin është përpjekur ta kopjojë në PS nga 2009 e deri më sot.
Kryeministri aktual ka dhënë prova se nuk është Sali Berisha. Rama është produkt i pushtetit jo i opozitës. Në opozitë qëndron në krye mbi supet e “të padukshmëve”, të cilët kur vjen në pushtet, edhe mund ti burgosë. Berisha luante “rëndë”, por mbështetur në shpatullat e veta. Ky është ndryshimi thelbësor mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. /Nga Sokol N. SOKOLI/