ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Ilir Meta është “mëkatari”, po Edi Rama që e ngjiti në krye të shtetit…?!

Me ardhjen në pushtet në 2013-ën dhe ndarjen e posteve kryeministër- kryetar Kuvendi, kam qenë ndër personat që kam parashikuar, e zezë në të bardhë dhe publikuar në media, se njëri do ti duhej ti hapte krahun tjetrit me finish zgjedhjen e Presidentit të vendit në 2017-ën. Nuk përbën sekret se Ilir Meta u dërgua thuajse përdhuni në një “kafaz të artë” siç ishte presidenca për ti lënë rrugën e hapur Edi Ramës drejt unifikimit të së majtës PS-LSI por edhe një mandat të dytë të këtyre dy forcave politike. Atëherë por edhe sot, e konsideroj si gabimin më të madh në politikë të Ilir Metës. Pavarësisht artikulimit të presidentit aktual mbi arsyet “patriotike” që e detyruan të pranojë të ngjitet në Presidencë, Meta ka bërë zgjedhje të gabuar.

Loading...

Sot, Ilir Meta është “armiku publik numër 1”. Ai sot po anatemohet si shkelës i Kushtetutës, i Kodit Zgjedhdhor, rrëmbyes i atributeve të Kuvendit…e shumë akoza të tjera. Personalisht, nuk kam patur dhe nuk kam demonstruar asnjëherë ndonjë simpati për Ilir Metën dhe LSI-në. Përgjithësisht, i kam parë si një model që nuk duhet të ketë peshë përcaktuese në politikën shqiptare. Në shumë raste, e kam konsideruar dhe besoj se ka qenë një e keqe në frymën që ka përhapur në ndërtimin e modelit të partisë që merr pushtet për të punësuar njerëz, të cilët më pas janë të detyruar të sigurojnë të ardhura për LSI-në dhe drejtuesit e saj. Madje, në momente të caktuara, para pëlqeja një aleancë qeverisëse PS-PD pikërisht për të larguar nga skena modelin LSI në politikën tonë. Edhe pozicionimin e LSI-së në krah të PD-së në opozitë, nuk e shoh si ndonjë përfitim të madh qoftë edhe në numra, edhe pse përballë një të keqeje më të madhe zgjidhet një e vogël. Kur nuk ke alternativë tjetër.

 Sot Ilir Meta është në krye të shtetit. Në kushtet aktuale, një pjesë e percepton si hero në mbrojtje të demokracisë dhe pluralizmit. Pjesa tjetër e konsideron si shkelës të Kushtetutës e ligjeve dhe duhet të shkarkohet. Jemi në terrenin e “gjyqeve publike” sepse ka vdekur Gjykata Kushtetuese. Ilir Meta mund të jetë “mëkatar”, nëse doni, më i madhi në këtë vend. Por natyrisht, janë shumë ata që i kanë dhënë “një dorë” për të arritur aty ku është. Duke filluar nga Fatos Nano, Sali Berisha e sidomos Edi Rama. Për të realizuar interesat e tij politike, ai e ngjiti në majën e piramidës shtetërore, pa ndonjë dëshirë të madhe të vetë Ilir Metës. A është më pak “mëkatar” Edi Rama nga Ilir Meta? Mendoj se jo! Në katër vite, ai i dha Ilir Metës, të cilin ka treguar se e njeh mjaft mirë, dy poste shumë të rëndësishme kushtetuese: Kryetar Kuvendi dhe President. I la ministritë me më shumë buxhet dhe me peshë në përditshmërinë e vendit për “ti kullotur”, e ktheu në faktor për 4 vite në bashkëqeverisje por edhe për 5 vite të tjera nga Presidenca, ku Rama po përpiqet ta rrëzojë.

Edi Rama është po aq “mëkatar” sa Meta, nëse presidenti konsiderohet i tillë nga një pjesë e shqiptarëve. Është po aq fajtor për atë që nuk është bërë mirë dhe që është bërë keq këto 6 vite. Nëse Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, po aq fajtor është edhe Edi Rama. Nëse vendi nuk ka sot institucione themelore, jetike për garantimin e parimeve themelore të demokracisë siç janë Gjykata Kushtetuese apo ajo e Lartë, të dy janë bashkëfajtorë njësoj. Për katër vite, ata ishin kuzhinierë të parë në të njëjtin restorant ndërsa prej dy vitesh po tentojnë konkurrencën nga dy akshihane të ndryshme. Edi Rama nuk mund “të lajë duart si Ponc Pilati” me nismën për shkarkim apo edhe shkarkimin e Ilir Metës. Ai duhet të japë llogari para shqiptarëve, deri në largim bashkë me të, sa më shpejt të jetë e mundur. Sidomos tre vitet e fundit po zbulojnë se si, të dy bashkë, për interesa individuale të pushtetit dhe pasurimit, kanë shfrytëzuar dhe po shfrytëzojnë çdo institucion. Madje, edhe jashtë tyre, elementë me të shkuar apo të tashme të errët.  Edhe nëse sot janë të prishur mes vedi, kjo ka ardhur jo në emër të moralit por të luftës për pushtet. “Merr një m#t e ndaje përgjysmë, zgjidh cilën pjesë të duash, m#t se m#t ke marrë”, është shprehja më e përshtatshme që sugjerojnë proverbat shqiptare. /Nga Blerti DELIJA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.