I shkruan letër Lulzim Bashës. Më ike nga 17 maji i vitit 2017, i thotë Ramë Ziu, keqkëshilluar dhe keqpërdorur nga një “small group with another agenda” (“nga një grup i vogël me një axhendë tjetër”, sikundër shkruante ish-ambasadori Arvizu në 21 janarin e vitit 2011…).
E çfarë kuptimi ka që e la pas vetes krekosjen e disa ditëve më parë? Nuk do të përplaset më 30 qershorin e ardhshëm? Nuk i kishte bërë mirë llogaritë? Po Grupi i vogël, me “G” të madhe çfarë thotë? Apo iku edhe ay, grupi që e mbështeste deri në fund në të drejtën e tij “Kushtetuese”?
“I dashur Kryetar”, e fillon letrën e tij, Kryeministri. E kujt? Kryetarit të një partie që e provokoi deri ne kockë, duke i thënë e stërthënë se është një parti dhe një popull zgjedhor aseksual, “që nuk i ngrihet!”, sipas “RamëZiut” do thoshte mentori, miku dhe armiku i tij i dikurshëm dhe i sotëm Spartak Ngjela…
Sot na shkruan një letër, krejt pa gabime drejtshkrimore, me “K” të madhe “Kryetar”, e më pas Ju, me “J” të madhe, e të tjera gjëra të mallëngjyeshme si këto.
Një letër flirt, e denjë për recitime “portokallie”, një thirrje e fundit, për çfarë?
Për të mirën e Shqipërisë!
Duke harruar se sot, do apo s’do Rama apo Luli, është më e fortë dhe më kërkuese edhe se sa Rama, edhe se sa Lulzim Basha. Sepse vetëvrasjen politike të këtij të fundit, Bashës, pra, askush nuk e do, përveç Ramës, kuptohet.
Sa shumë beson te gënjeshtrat e vjetra te aftësia e tij për të joshur, që dikur, për vite të tëra, bënte kërdinë, me thënë të vërtetën.
Basha, le të bëjë si të dojë, është e drejta e tij, por Partia që ai drejton sot është më fortë se ai, zgjedhësit e tij nuk janë lepurusha, që pasi ti i rreh, i gazifikon, i burgos, u lëshohen karotave të tua.
Pasi kapin ministrin tënd dhe drejtorët e tu të pangopur, me 20 milionë euro për 1 kilometër rrugë të shtruar, në një goditje 40 milionëshe, pra, t’u thuash që burgose dynjanë edhe për 20 euro korrent të papaguar, duke dashur të bësh shtet!
Zgjedhjet do të bëhen patjetër! Por pa ty Kryeministër, askush nuk është kundër zgjedhjeve, përkundrazi, zgjedhje, o sot o kurrë vëlla, se koha me ty në krye po rrjedh shumë keq dhe është keq edhe për ty. Pyete edhe “grupin e vogël” se edhe ata e dinë, po heshtin nga frika para teje.
Valixhet besoj janë gati?
Këtë doje të qartësoje me letrën tënde për kryetarin e PD-së, me shkronjën “K” në krye të fjalës? Je në thelb një gallataxhi i paparë, por ata s’të kuptojnë, s’ke ç’bën, kthehu në politikë në jetën tënde të katërt, se të tretën ia ke kushtuar rrobëqepjes, në garë me të madhin Kujtim Gjuzi, që po të pret kaq vite, sir! /Nga Artur ZHEJI, 360grade.al/