ANALIZA – Fitorja e Vetëvendosje!, Kurtit e Osmanit…tani nisin sfidat e verteta për ta e Kosovën…

Nga Blerti DELIJA

Albin Kurti dhe Vetëvendosje! e tij ka fituar thellë zgjedhjet në Kosovë. “Dita e të Dashuruarve” mesa duket ishte fatsjellëse duke i siguruar gati 50% të votave ose, një nga dy kosovarë kanë votuar për partinë e tij. Ngjan me një referendum, me vetëm dy përgjigje: Po dhe jo!


Një “dorë” ia ka dhënë edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani. Sigurisht, jo vendimtare për këtë fitore të thellë të brezit të ri të politikanëve kosovarë, që nuk kanë lidhje direkte me UÇK-në dhe luftën e saj prë pavarësinë e Kosovës.

Fitorja e Albin Kurtit u lehtësua edhe nga Gjykata e Posaçme në Hagë. Nga presidenti, ish- kryeparlamentarët dhe shumë të tjerë, ishin dhe vazhdojnë të jenë pas hekurave para dhe pas 14 shkurtit. Në një farë mënyre, 14 shkurti është edhe “ndarje” e Kosovës me UÇK-në dhe futje në rrugëtimin për kah e ardhmja.

Në fakt, e tha edhe Albin Kurti në fjalimin e fitores. “Drejtësi e punë”, duke përcjellë edhe një mesazh të fortë për ndërkombëtarët: Dialogu me Serbinë prioritet i pestë apo i gjashtë.

Mesazhi i këtyre zgjedhjeve ishte mjaft i qartë: Nuk mund të kërkohet dhe të vihet në pushtet vetëm “duke rrahur gjoksin” dhe propaganduar në emër të UÇK- së, vlerave të saj të padiskutueshme. Ajo është një epope e jashtëzakonshme, me fryte që po i shijojnë të gjithë nga 1999 por…kërkohet diçka më shumë, për të sotmen e të ardhmen.


“Drejtësi e punë” është një mesazh i qartë për tu kuptuar. Ndikimi në përditshmërinë e kosovarëve është i prekshëm, nëse do të realizohet. Drejtësia është koncept ndërsa puna siguron të mirat familjare. Mesa duket, kosovarët brenda e jashtë vendit, e kanë marrë e zbërthyer këtë mesazh. Starti ishte slogani “Krejt e drejt”, i ngjashëm me “timonin” që ne në Shqipëri e njohim si koncept, por i shprehur më me elegancë, më me seriozitet. Albin KUrti u bëri thirrje kosovarëve t’ja japin pushtetin “krejt” dhe ai premtoi se do ta përdorë “drejt”.

Kosova po bëhet gati të nisë një rrugëtim të ri. Një klasë e re politike po ngjitet në udhëheqje. E re në konceptin e moshës dhe ideve, sepse Vetëvendosje! ka 15 vite në skenë, në mbrojtje të palëkundur të ideve dhe qasjeve ndaj çeshjeve të rëndësishme të Kosovës.

ShkodraWeb Channel

Kosova nuk votoi për ndryshimin. Kosova realizoi përmbysje, nga ato që ndodhin rrallë në botë. Fitorja është e thellë por edhe pritshmëritë janë të mëdha nga kosovarët. Hapi i parë, krijimi i qeverisë, ku Kurti la të nënkuptohet se nuk do të ketë nevojë për vota të partive të tjera që “u shemben” nën peshën e VV- së në këto zgjedhje. Do të jetë i detyruar, sipas Kushtetutës, të afrojë në qeveri pakicat e sidomos serbët. Këta të fundit, nuk janë aspak optimistë pasi “dialogu me Serbinë” nuk është më prioritet absolut. Pavarësisht kësaj, AAK- ja e Haradinajt mund të afrohet në qeverisje, nëse do të gjendet kompromis për postin e Presidentit të Kosovës. Ushtruesja e detyrës Vjosa Osmani, aleate e ngushtë e Albin Kurtit, duket se “e ka kaparuar” premtimin për këtë post, të cilin publikisht e aspiron edhe Haradinaj. Posti i kryeministrit natyrisht është i Kurtit dhe e vetmja pikë që mund të negociohet është Kryetari i Kuvendit. A do të kënaqet me këtë pozicion Haradinaj, gjithnjë nëse Kurti e thërret në qeveri?!

Albin Kurti është “i dënuar” të prodhojë rezultate të dukshme e me impakt të prekshëm ekonomik për kosovarët. Sepse i ka premtuar. Kurti duhet të gjejë mekanizmat për përshpejtimin e integrimit në strukturat Euro- Atlantike por që me “dialogu me Serbinë prioritet i pestë apo i gjahstë”, do ta ketë të vështirë. Kurti ka detyrën e vështirë të largojë imazhin e tij, si një udhëheqës jo shumë miqësor me Përendimin, sidomos me SHBA- të e BE- në. Mbase në këtë pikë, roli i Vjosa Osmanit mund të jetë vendimtar e mund të jetë një nga kalkulimet e Kurtit kur e mori në krahun e tij të djathtë në këto zgjedhje. Zgjedhja e Osmanit si presidente, do të ishte një amortizator i mirë në imazhin e marrëdhënieve të koalicionit të ri qeverisës me ndërkombëtarët. Kurti ka edhe një tjetër detyrë jo të lehtë: Qasjen me Gjykatën e Posaçme të Hagës. Nga pozicioni si opozitar, Kurti e ka deklaruar një qasje por tashmë duhet të verifikohet nëse do të jetë e njëjta si kryeministër fuqiplotë dhe i papenguar në numra nga asnjë. Mandati i kësaj gjykate do të vazhdojë apo do të mbyllet, bashkë me kapitullin e “ftesave” e më pas arrestimeve të ish- liderëve të UÇK- së?!

Në planin personal, Albin Kurti ka kurorëzuar një sukses jo të vogël politik. 15 vite durim e përpjekje, me metoda demokratike por edhe jo shumë demokratike, me arrestime e pengime (siç ishte moskandidimi si deputet me 14 shkurt), ia doli! Tregoi se është politikan race, që di të presë momentin e duhur, të punojë me durim për të gjetur rrugën e duhur për të hyrë në zemrat e mendjet e kosovarëve.

Sot, nis sfida e vertetë dhe aspak e lehtë për Albin Kurtin. Nuk do ti mungojnë “shkopinjtë në rrita” nga shqipfolës por edhe të tjerë, nga brenda e jashtë Kosovës. Kurti sigurisht ka një agjendë të vetën, por edhe “të tjerë” kanëe  do të kenë dhe përplasja mes agjendave, nuk ka çajre pa ndodhur. E në fund, interesante është të shihet bashkëjetesa në mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, si dy “koka” të së njëjtës shqiponjë. Historia ka treguar se asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. Sidomos kur Kurti të jetë kryeministër e Osmani presidente e vendit.

© ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Channel