ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ “Erdhi dita” të kuptojmë se ç’ditë është kjo…

Nëse kërkohet një shembull se si një ëndërr kthehet në shpresë; shpresa në vullnet; vullneti në mision e misioni në politikbërje, më qartë se “Vetëvendosje” nuk më vjen diçka tjetër në mendje për të vërtetuar se deri sot, pikërisht tek kjo ditë ka “ardhur dita”.

Misioni nuk është një “tabula rasa” që pasi zhgarravit në të nuk është më “tabula rasa”, por diçka e vazhdueshme, e pandërprerë dhe produktive e, nëse shtrohet pyetja se ç’është kjo ditë, ajo çfarë dimë të themi është se, thjeshtë ka ardhur!
Po ç’ditë është kjo?!
Për Albin Kurtin është koha të zbërthejë këtë fjalëkryq që s’ka reshtur prej 15 vitesh politikisht e një jete të tërë qytetarisht, së na foluri për krijesën e tij, “Vetëvendosjen”; nuk ka reshtur së na predikuari ëndërrën e tij, “Bashkimin Etnik Kombëtar”; nuk ka reshtur së na treguari rebelizmin e tij anti-establishment e nga ana tjetër, duke marrë mbi vete plagët e prangave në emër të fjalës së lirë ndryshe, në emër të lirisë së fjalës; nuk ka reshtur së luftuari për një ditë të cilën (ai po njëherë e mbase të gjithë ne), e dinim se do të vinte.

(Zotimet e Albin Kurtit janë dëshmia e dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve në Kosovë, për të përqaf’ prekshmërinë e tyre një ditë, dhe ditën kur fusha e betejës është gati për të pritur palën e deklaruar në krah të këtij vullneti, duam të dimë, a është gati “Vetëvendosja”? A është gati krijuesi i saj?).

Teksa njeriu i cili qëndroi për të paktën 25 vite larg pushtetit dhe infektimit me mish-mashin që din të gatuajë përgjithësisht politika rajonale, e veçanërisht politika shqip-folëse; bëhet gati për t’u ngjitur në ‘fronin’ që fitoi jo duke e kërkuar, por luftuar në çdo formë për ta marrë, mijëra e miliona njerëz kanë hyrë në fazën e nje reflektimi të madh për të cilin, Albin Kurti duhet të dalë garant. A vijon të jetë ai ende politikani, misioni për të cilin predikoi e solli në vendin e duhur ku ky mision mund të praktikohet?!

Ballkani ndodhet në një udhëkryq dhe fati i tij varet sidomos prej këtij fakti: faktorit shqiptar. Personalisht nuk më tremb nëse qeveria e re e Kosovës do të ezaurojë dhe zgjidh çdo çështje për të cilën ka marrë votëbesimin, (e di që nuk do ta bëjë), më shumë se ç’më tremb dhe kam nevojë të di dhe kam nevojë të shoh sidomos se ajo të cilës i druhem, s’ka për të ndodhur. Jemi shembulli unik në botë ku brenda nje kombi ekzistojnë dy shtete “popujt” i të cilëve janë etnikisht të njëjtë dhe historikisht e tmerrësisht autokton që e duan bashkimin. Dhe do të ishim po ashtu populli unik në planet që pavarësisht sa më lart, do të hynim në një konflikt e urrejtje dhe kjo mund të vijë vetëm nga politika. Ja, kësaj i ndruhem.
Po cilës politikë? Cilëve njerëz?

Është fakt që Edi Rama dhe Albin Kurti nuk i kanë marrëdhëniet e tyre të shëndetshme. Duke përllogaritur të drejtën e çdokujt për mendime e qëndrime kundër, madje edhe përplasje mes tyre, është e turpshme nga ana tjetër që në rastin konkret, sherri e ka zanafillën tek një person, një klan, një Baton apo një Cakë. Kryeministri me gjasë i ardhshëm i Kosovës është prononcuar pro dialogut konstruktiv dhe mbi baza reciprociteti me Serbinë, por nga ana tjetër nuk e ka fshehur dot kërcëllimin e dhëmbëve kur i është pëmendur emri i Edi Ramës. Pro dialogut (dhe bravo i qoftë), me një shtet kauza më e madhe dhe e njohur botërisht; kryelobimi anembanë botës i tij, është shtypja, genocidi dhe pengimi me çdo kusht i Kosovës të rritet e vetëvendos.
Është për të vënë kujën kur shikon se shqiptarët udhëhiqen ende nga njerëz që i kanë zët (halë në sy) shqiptarët dhe kanë mirësinë dhe peshën e ndërgjegjes (me të drejtë mbase), t’i shtrijnë dorën armikut për t’i thënë “PAQE O NJERI”.

Kështu bëri kryeministri shqiptar në Beograd kur foli për Kosovën pa folur me Kosovën, e kështu bëri kryeministri pretendent i Kosovës kur foli për Cakën pa folur me “Cakën”. Jemi në kohën dhe situatën të cilën e dinim të gjithë se do të vinte, por me kulturën dhe tiparin tipik shqiptar, edhe këtë herë si përherë na gjeti duke u marrë me veset tona e jo ëndërrat tona.

Për t’u rikthyer tek çështja që ka një rëndësi përtej emrave të përveçëm dhe çështjeve specifike, (përfshirë edhe gjysmë-enigmën se a do jetë Albin Kurti kryeministër apo që të bëhet kryeministër ia vlen barra qeranë për ripërsëritjen e zgjedhjeve), kjo ‘rëndësi’ ka të bëjë me faktin se a ka akoma “Vetëvendosja” të njëjtin mision mbi të cilin u ngjiz, lindi e u rrit! Nuk do shumë mend kjo punë, as shumë kohë. Albin Kurti ka marrë përmasat e mitit që krijoi vetë duke e bërë ëndërrën realitet, ardhjen tek “dita” tij, e koha do të provojë nëse ai ka aq vullnet për t’ia dalë të tregojë se për ç’ditë e kishte fjalën. Nëse për të do të rezultojë se gjithë ajo luftë mes qindra-mijëra betejash, ditë-netësh qelive, sollën ditën e bardhë mbi të cilën frymonte misioni që e rriti, Albin Kurti do të ishte një Mandelë. Deri më tani, asgjë nuk konsiston në arritjen e një qëndrimi kundër kësaj, e rëndësishme është që ai sa më shpejt të na tregojë se ç’ditë është kjo për të kuptuar se ky “Mandelë” nuk është si gjithë “mandelat” e tjerë që “pushteti i rreshtoi kundër”. /Nga Fatjon GJINAJ/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.