ANALIZA – Edi Rama e dinte po aq sa Ilir Meta se nuk mund ta shkarkonte Presidentin e Republikës…

Ilir Meta është shkarkuar nga detyra e Presidentit të Republikës. Vendimi politik i institucionit që e votoi para 4 viteve, u mbështet nga 104 deputetë. Është folur e stërfolur por tema e legjitimitetit të këtij parlamenti është ezauruar. I ligjshëm ose jo, i plotë apo i paplotë me 140 deputetë, të mangët mendërisht apo logjikisht një pjesë e deputetëve, ata prej gati 2 viteve e gjysmë, po vendosin për fatet e të gjithë shqiptarëve. Edhe për Ilir Metën, si shtetas shqiptar, e njëjta trupë do të vendosë.

Por sigurisht, Kushtetuta ka vendosur edhe një filtër të fundit në rastin e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Ky filtër është Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të shqyrtojë dhe të gjykojë vendimin politik të Kuvendit. E kotë të lodhemi me terma, vendimi i parlamentit për Ilir Metën, është thjeshtë dhe vetëm politik. Mazhoranca e numrave të krijuar- 104, është pikërisht treguesi më i qartë. Madje, mund të konsiderohet edhe “votë inati” për deklaratat e pamëshirshme të Metës ndaj këtij parlamenti dhe eksponentëve të veçantë.

Tani, vendimi politik i Kuvendit duhet të gjykohet në bazë të koncepteve e parimeve juridike nga Gjykata Kushtetuese. Ilir Meta është një president “mëkatar”. Por a është më “mëkatar” se presidenti në detyrë i SHBA- ve Donald Trump, lidhur me ngjarjet e fillimvitit, pak orë para betimit të Joe Biden? Sigurisht që jo! Sepse në trazirat e selisë së Kongresit Amerikan në Uashington, pas fjalëve të Trump, Capitol u sulmua dhe pati 7 viktima.

Senati nuk fajësoi Trump për sherbimet e sigurisë dhe ato inteligjente. Sepse është e thjeshtë, e drejta e fjalës, edhe në kuptimin e metaforave, nuk mund të pengohet. Aq më pak, kur del nga goja e një presidenti, i cili e ka detyrë të flasë për parimet themelore të demokracisë, për zgjedhje të lira, mbrojtje të votës etj. Tani pyetja që shtrohet është: A ka Shqipëria një sistem më të konsoliduar se SHBA- të? A është më lart Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA apo Parlamenti i Tiranës?!

Edi Rama dhe mazhoranca e tij, e di po aq mirë sa edhe Meta se Presidenti i Republikës nuk do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Edhe “marifeti” për të miratuar Komisionin Hetimor për Shkarkimin e Presidentit vetëm 48 orë para futjes në “zonën e kuqe” të 4 muajve të fundit të jetës së Kuvendit ku nuk lejohen komisione hetimore, nuk i vlen. Në ligjin për komisionet hetimore, për caktohet qartë, Neni 4, pika 6., “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit.”. Me një interpretim të thjeshtë, edhe pa qenë jurist, deri sa ligji pengon ngritjen e komisioneve hetimore në këtë periudhë, a mund të lejojë vendimmarrjen bazuar në raportet përfundimtare të këtyre komisioneve?! Sigurisht që jo!

Vendimi i Kuvendit është marrë me datë 9 qershor, mandati i Kuvendit përfundon me 9 shtator 2021. Pra, vendimmarrja është në harkun jo të katër por tre muajve para fundit të mandatit. Vetëm kaq arsyetim elementar mjafton që vendimi i Kuvendit të shpallet antikushtetuese. Sepse ligji e përcakton qartë dhe pa ekuivoke, “gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Që vendimi i Kuvendit të quhej kushtetues, duhej të shpallej jo më vonë se data 9 maj 2021. Të gjitha argumentet, kundërargumentet e tjera që mund të përdoren, janë thjeshtë retorika politike.

Po pse gjithë kjo ngutje për të shkarkuar politikisht Kreun e Shtetit? Mendoj se ka të paktën tre arsye. E para, si një argument konsumi politiko- mediatik për të eklipsuar sado pak çeshtjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. E dyta, për ti dhënë një sinjal BE- së se ne nuk kursejmë as Presidentin e Republikës në “rrugën e reformave” drejt integrimit. E treta, për të treguar “besnikërinë” dhe “luajalitetin” tonë përballë aleatit strategjik pas debatit publik në distancë të Metës me ambasadoren.

Sigurisht, me konstituimin e Parlamentit të ri në shtator, Edi Rama dhe mazhoranca nuk do ta kenë jetën kaq “fushë me lule” sa deri tani. Natyrisht, ka numrat për të krijuar qeverinë, por vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë se emërimi i ministrave është kompetencë gati e ndarë barabar në 1/3 e tre institucioneve: Kryeministër, President, Parlament. Presidenti i Repiublikës, në këtë rast Ilir Meta, ka të drejtë të refuzojë dekretimin e ministrave të veçantë. Me shumë mundësi, edhe këtë “siklet” ka dashur të anashkalojë kryeministri me shkarkimin e Metës.

Po ashtu, në shtator, ulëset në Kuvend do të plotësohen me deputetë që vertetë përfaqësojnë qytetarët, sidomos opozitarët e këtij vendi. Edhe pse me më pak numra se mazhoranca, opozita është në të gjithë botën, edhe në Shqipëri, “pushteti moral”. Sido të jetë qasja e opozitës ndaj këtij Kuvendi, brenda tij apo në sheshe proteste, kryeministrit dhe mazhorancës, do ti shtohen orët e pagjumësisië. Sepse tashmë, përballë forcave të rendit e sigurisë, do të ketë mbi 60 persona me imunitet.

Shkarkimi politik i Metës nga Kuvendi, lidhet edhe me “fletën e bardhë” të bashkëpunimit pa kushte që Rama i ka ofruar Bashës pas 25 prillit 2021. Shkarkimi i Presidentit dhe emërimi i të riut, mund të ishte një pikënisje e këtij bashkëpunimi në parlamentin e ri. Por siç është parë, Basha, të paktën deri tani, ka refuzuar çdo bashkëpunim me Ramën e mazhorancën e tij. E për ta mbyllur, çdo vendim, edhe në Gjykatën Kushtetuese, përfundon në çeshtje numrash.

Gjykata Kushtetuese, e krijuar sipas përcaktimeve kushtetuese, ka aktualisht 7 antarë, dy më pak nga sa duhet. Pikërisht këta duhet të vendosin për ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta. Kryeministri Rama e di se të paktën 4 prej tyre, do të votojnë kundër shkarkimit të Kreut të Shtetit. E që Ilir Meta të shkarkohet, duhet të votojnë pro minimumi 5 antarë të Gjykatës Kushtetuese.

Edi Rama e ka ditur po aq mirë sa vetë Ilir Meta që Presidenti i Republikës nuk ka asnjë mundësi ligjore e kushtetuese për tu shkarkuar. Por sigurisht, nuk i ka shpëtuar “tundimit” për ta përdorur Kreun e Shtetit si “aksesor” në skemat e lëvizjet e tij politike, për efekte brenda vendin por edhe jashtë vendit. Beteja e vertetë mazhorancë- opozitë, përfshi edhe presidentin Meta, do të fillojë në shtator. /Nga Blerti DELIJA/