ANALIZA – Edhe 1.15 miliardë euro të fatkeqësisë së shqiptarëve për PR- in e kryeministrit…

Në pamje të parë “i shokuar” nga suksesi i papritur por realisht, euforik për atë që, pa më të voglin dyshim, do të jetë një tjetër fitore e PR- it për kryeministrin.


Nuk ka rëndësi nëse 1.15 miliardë euro u dhanë për fatkeqësinë shqiptare të 26 nëntorit 2020, datë nga e cila mungojnë në apel 51 shqiptarë dhe mijëra të tjerë janë pa një çati mbi kokë. Nuk ka rëndësi nëse ajo shumë e stërmadhe, u mblodh pikërisht për këta fatkeqë. Nuk ka rëndësi as edhe si do të shpenzohen këto para. Rëndësi ka që kryeministri të demonstrojë edhe nga Brukseli, se ai është “i suksesshëm” edhe me ndërkombëtarët.

Një makineri e tërë mediatike, prej muajsh, është në shërbim të këtij qëllimi. Një ushtri zyrtarësh, me të gjitha mjetet e mundshme të komunikimit, nga fjala me zë tek mail- et dhe komunikimi elektronik, përgatiti me shpresën për t’ia arritur qëllimit kryeministri.

E sot, është momenti që kryeministri të kujtohet, në formën e revanshit si “fitimtar”, edhe për “bastet” në studiot televizive, të cilat sipas tij, janë humbur. Sepse ka fituar ai. E me shumë modesti, ai përmend “hudhrën”, që të mos e “marrin sysh”, siç është tradita shqiptare në raste kur çdo gjë shkon fjollë. E po kështu, kryeministri kërkon kohë për të kaluar “shokun”.

Konferenca e Donatorëve e ditës së sotme, ishte një tjetër shpërfaqje e parimit mbi të cilin funksionon ky kryeministër makiavelist: Qëllimi justifikon mjetin!

Nga 2017- a, pas “mandatimit” si timonier i vetëm, ky kryeministër ka marrë superxhiro në të gjitha kuptimet. Sot e panë edhe ndërkombëtarët, sigurisht edhe shqiptarët.

“Kjo mbështetje është besim i plotë tek plani i rindërtimit i Ramës”, është vetëm fjalia e parë që, pasi doli nga goja e Taulant Ballës, do të pasohet nga të tjera deri në megafonët mediatikë të gatshëm t’ia marrin në gojë suksesin e rradhës së timonierit.

Nga sot, listës së “fitoreve”, do ti shtohet edhe një tjetër. Edhe pse askush deri më sot, nuk ka parë, nuk njeh një plan konkret të rindërtimit pas shkatërrimit të 26 nëntorit 2019.

E përveç kryeministrit tanimë në eufori pa patur nevojë për simulantë të jashtëm, “u ka ardhur fryma” edhe atyre, që realisht u interesojnë paratë e dhuruara- huazuara nga dashamirësia humanitare e ndërkombëtarëve. Shpresat për të patur një çati mbi kokë sa më shpejt, është rritur duke aluduar se të gjitha fondet do të shkojnë në destinacionin e duhur.

Por “detyra e parë” që do të kenë të gjithë këta fatkeqë, do të jetë PR- i i kryeministrit. Ndoshta nga sonte, por sigurisht nga nesër e në javët e muajt në vijim, qindra kamera e mikrofonë, dhjetra studio televizive e emisione, do ti kenë “në qafë”. Sepse të gjithë duhet ta kuptojnë se, përmes fjaëve të fateqëve që u goditën nga termeti se: Rindërtimi u mundësua nga “largpamësia” e kryeministrit! Madje ndonjë “analist” i pavarur që ka “shkapërcyer ylberin”, e ka nisur tashmë “fushatën”…

Pas këtij suksesi, edhe Skenderbeu duket i vogël para këtij kryeministri. Por sigurisht, edhe për këtë janë duke menduar mjeshtrat e tij të PR- it. Edhe Papa është i vogël, në këtë rast i anshëm si prijës i një besimi të caktuar fetar. Pra i papërshtatshëm për PR-in e kryeministrit “të të gjithëve”. Mbetet vetëm Zoti, ose diçka e ngjashme me “Zoti në qiell, Amerika në tokë”. Jetoni e do dëgjoni njerëz, në Shqipëri apo në emigracion. Sepse sot është vetëm dita e parë e një PR- i të ri për kryeministrin.

Sa për korrektesë me ata që marrin vesh nga financat. Nga 1.15 miliardë euro, sa prej tyre do të duhet të paguhen nga shqiptarët në formën e hua- borxhit? Sepse po flitet për rreth 850 milion euro… /Shënim i ShkodraWeb Media/